Ngjarje e vërtetë: Për të isha vetëm edhe një më shumë (2)

  • G.G /
  • 21 July 2021 - 12:03
Ngjarje e vërtetë: Për të isha vetëm edhe një më shumë (2)

Ndoshta do të duhej ta thirrja Virdanen. Ajo me gjasë do ta dijë se çka duhej të bëja. Pas disa hezitimeve, mora celularin nga ormani i natës. - Hej, shoqe, më fal, shpresoj se nuk të zgjova - fillova me një ndjenjë faji. Ishte e qartë se ajo kishte qenë në gjumë. - Nëse dëshiron ta dish, ma prishe gjumin, por ke fat që të kam shoqe.

E tani, ma thuaj! Me të vërtetë dua ta di se çka qenka kaq me rëndësi, pasi më thërret në këtë kohë? - tha ajo, tanimë e kthjellur. - Sot në qytet takova rastësisht Muharremin. Ai ma lavdëroi stilin tim të ri të flokëve. Nuk mund të besoja kur më tha se edhe ai, me shokët, do të shkonte në atë ekspozitë - fillova e entuziazmuar, e me ta përmendur emrin e Muharremit, zemra filloi të më rrihte më shpejt.

- Mirë dhe, çka ka këtu të çuditshme? - më pyeti paksa e painteresuar. - E çuditshme është që më ftoi për kafe. Më tha se i pëlqej dhe se kishte vendosur që të vinte në atë shëtitje vetëm hatri im - sqarova. - Në rregull - më tha. Duke njohur natyrën e Virdanes, mund të bëja be që ajo tanimë ishte duke planifikuar hapin tjetër. - Pra, na duhet një plan - më tha shoqja, e unë sa nuk ia krisa gazit. - Muharremi është një tip interesant, nuk mund t'i mohojmë faktet, prandaj duhet të përpiqemi që, gjatë atij udhëtimi, ta bësh për vete - përfundoi ajo. -

Do të ishte ideale sikur të visheshe në një mënyrë pak më femërore, sesa që vishesh zakonisht. Me këtë rast harroji mbathjet sportive, e për stilin tënd të flokëve do të përkujdesem vetë unë. Do të t'i drejtojmë ato kaçurrelat e tua dhe do të të trajtojmë pak me grim. Duhet të dukesh e këndshme, por edhe seksi. Megjithatë, në pyetje është Muharremi - përfundoi ajo.

E unë, pasi kuptova se ajo do të përkujdesej për stilin tim, fillova që të ndihesha më mirë. Nëse asgjë tjetër, mund të isha e sigurt se nuk do ta frikësoja Muharremin me pamjen time. Atë të shtunë para dite, me një ngërç në bark, gjatë takimit me Virdanen dhe me disa vajza në stacion të autobusëve, zemra më rrihte si e marrë për shkak të shqetësimit.

Edhe pse me tërë fuqitë mundohesha që ta përcillja bisedën e tyre të relaksuar, mendimet i kisha te Muharremi dhe te tërë ajo që, së shpejti, duhej të ndodhte. Mund ta pranoja, apo jo, por nuk mund të mohohej fakti se Muharremi më kishte magjepsur të tërën. O Zot, pse nuk ishte aty? Mos vallë, në momentin e fundit kishte hequr dorë nga udhëtimi? Virdanja menjëherë e hetoi shqetësimin tim. - Hej, qetësohu! Pashë Zotin, vajzë, nuk do të të qesim në litar.

Muharremi sa nuk ka ardhur. Shokët e tij tanimë janë këtu. Gjithçka do të jetë në rregull, do të shohësh. Fundja, a mundet ndokush të duket ndryshe, kur duket kaq bukur si ti? - shtoi me një ndjenjë të superioritetit. - Ah, përfundimisht na vjen princi yt në kalë të bardhë. Vetëm ji ajo që je dhe mos u shqetëso aspak - nuk e la rastin pa ma dhënë edhe këshillën e fundit. (vijon)

(Kosova Sot Online)