Ngjarje e vërtetë: Për të isha vetëm edhe një më shumë (5)

  • E.K /
  • 24 July 2021 - 16:14
Ngjarje e vërtetë: Për të isha vetëm edhe një më shumë (5)

Pasi që një ditë më ftoi në shtëpinë e vet, sa s'fluturoja nga gëzimi. Nuk dyshoja asgjë as kur, pas disa gotave me verë, më njoftoi se ishim tërësisht vetëm në shtëpi, meqë prindërit e tij kishin shkuar diku për drekë. Pas disa gotave të tjera me verë, e edhe disa të tjerave, kisha ndjenjën se dhoma më sillej vërdallë. Pasi që Muharremi propozoi që të shkonim në dhomën e gjumit të prindërve të tij, ky propozim mu duk aq i natyrshëm sa që menjëherë pranova. Edhe pse isha e virgjër, nuk kisha hamendje. Edhe pse isha nën ndikimin e alkoolit, e dija çka bëja dhe ajo që bëja, nuk më dukej gabim. Një pjesë e imja sikur kundërshtonte, por në fund fitoi pjesa tjetër, e cila me çdo kusht donte të ishte "cool".

Por, kur çdo gjë kishte përfunduar, nuk mundesha të mos ndjeja dëshpërim. Muharremi ishte një dashnor i shpejtë dhe i ashpër, kështu që, në fund të fundit, në trupin tim kishte disa mavijosje. - Më fal, vogëlushe. Të premtoj se herën tjetër do të jem më i kujdesshëm. Po shkoj që të bëj dush, e më pas mund të të dërgoj në shtëpi. Sinqerisht, prindërit e mi mund të kthehen nga ora në orë në shtëpi - më tha duke më befasuar. - Edhe mua më duhet që të shkoj në shtëpi. Është bërë vonë dhe prindërit e mi do të shqetësohen - thashë fjalët e para që më ranë në mend, në mënyrë që ai të mos e vërente faktin se isha lënduar. Disa minuta më vonë, nga banja u dëgjuan vrushkujt e ujit.

U ngrita ngadalë nga shtrati dhe fillova t'i mblidhja rrobat nga dyshemeja. Dëgjova një zile të çuditshme. Më dukej si alarm, por kur shikova përreth dhomës, pashë një kamerë. Fillova të dyshoja. Kur shikova, pashë se Muharremi kishte incizuar tërë aktin tonë seksual. Intuitivisht hapa dollapin poshtë kamerës, gjë që më mirë të mos e kisha bërë. Aty pashë kaseta me emra të ndryshme të femrave. Meqë nuk e kisha idenë se çka mund të kishte në ato kaseta, e mora njërën prej tyre dhe e lëshova në dhomën e ditës. Aty më vonë, në ekran, shumë shpejt u paraqitën Muharremi dhe një vajzë duke bërë seks në dhomën e gjumit të prindërve të tij. Një si duq mu formua në fyt. Shkova mora disa kaseta të tjera dhe pash se, në secilën prej tyre, Muharremi ishte me nga një femër tjetër. Atëherë kuptova se çka ishte duke ndodhur. Ato femra për të ishin vetëm argëtim.

As unë nuk bëja përjashtim këtu. As vet nuk e di se si arrita atë mbrëmje të kthehesha në shtëpi. Pas disa minutash Muharremi më thirri, por nuk u lajmërova. Sa më përkiste mua, edhe pse e doja ende, gjithçka ishte më se e qartë. Ndihesha e ndotur, e tradhtuar, e mjerë dhe asnjë kërkim falje nuk mund ta ndryshonte këtë. Më vinte vetëm keq që, nga ngutia, kisha harruar ta merrja nga shtëpia e tij incizimin që kishte bërë me mua. Disa ditë nuk shkova në ligjërata. Vetëm qaja. Tërë bota më ishte rrënuar, kisha humbur tokën nën këmbë e Muharremi ishte fajtor për këtë. Në kokë kisha mendime të trishtueshme. Prindërit disi arrita t'i bindja se isha ftohur dhe se nuk ndihesha mirë. Por, nga shikimi i shqetësuar i nënës sime, arrita të kuptoj se nuk më besonin. (vijon)

(Kosova Sot Online)