Ngjarje e vërtetë: Për të isha vetëm edhe një më shumë (6)

  • A.P /
  • 25 July 2021 - 14:30
Ngjarje e vërtetë: Për të isha vetëm edhe një më shumë (6)

Kështu, kaluan edhe shumë ditë, e unë vazhdoja që të qëndroja mbyllur në shtëpi. Kur, përfundimisht, mora guximin që të dilja të shëtisja pak, më priti edhe një goditje tjetër. Duke ecur qendrës së qytetit, në një dyqan pashë Muharremin, duke u puthur me Dorianën, një të njohur nga fakulteti. Kjo pamje më shkatërroi në tërësi. Përsëri u ndjeva si bërllok, si një trofe i cili shërben që meshkujt ta dëshmojnë veten në të, si një nevojtore. Kjo ma lëndoi për së tepërmi vetëbesimin, duke më bërë që përsëri të vendosja që të rrija në shtëpi, meqë nuk kisha guxim që të takohesha me tërë ato fytyra të njohura. Nuk kisha nevojë, në fakt, nuk mund të ballafaqohesha me shikimet tallëse dhe përqeshëse, të të gjithë atyre të cilët, me ndihmën e Muharremit, kishin parë sesi ne të dy bënim seks.

Kjo vetëm sa ma shtonte frikën dhe hezitimin. Gjendesha buzë depresionit. Përfundimisht, për mua më nuk kishte kuptim jeta. Atë ditë, kur në derën time përsëri trokiti Vildanja, në zemrën time, pas shumë ditësh, përsëri depërtoi një rreze shprese. E vetëdijshme që, të paktën për të, kisha njëfarë domethënieje, e përqafova sikur i mbyturi që përqafon gomën e shpëtimit. - E di se tani e ke vështirë, por do të të kalojë, më beso. Askush nuk ia vlen vuajtjet dhe shëndetin tënd. Sidomos jo një Muharrem. Mos harro, gjithmonë do të jem këtu për ty, meqë, së bashku, jemi më të forta - më tha, duke më bërë që të qaja edhe më shumë, ngaqë u preka. Do të rreja sikur të thosha se Muharremi nuk më kishte lënë kurrfarë vrage në zemrën time, por të paktën, tani jam mbushur mend. Falë Vildanes dhe shokëve e shoqeve të paktë të tjerë, të cilët m'u gjendën në ato momente të vështira, përkundër të gjithave, kuptova se, në të ardhmen, meritoj një të dashur shumë më të mirë. FUND 

(Kosova Sot Online)