Ngjarje e vërtetë: Për të isha vetëm edhe një më shumë (8)

  • E.K /
  • 27 July 2021 - 15:53
Ngjarje e vërtetë: Për të isha vetëm edhe një më shumë (8)

- Arian, nuk mund ta mbash këtë çantë këtu. Pse nuk e vendose me pjesën tjetër të bagazhit? - u zemërova me një nxënës. Shoferi e zgjidhi këtë çështje dhe përfundimisht u nisëm. Pasi i kaluam vetëm disa kilometra, pas kërkesës së udhëtarëve, shoferi lëshoi një CD me muzikë, prandaj në autobus më nuk mund të bisedohej, gjë që më përshtatej. Edhe pse kishte rënë terri dhe para nesh gjendej një udhëtim i natës, nxënësit bisedonin dhe këndonin. Petriti e ndezi dritën mbi ulësen e tij dhe filloi që të lexonte gazetën, e Ariana shikonte nëpër dritare. A i kujtoheshin edhe asaj ditët e njëjta, pyetesha, duke shikuar në mënyrë të fshehtë në drejtim të saj.

Me kalimin e kohës, edhe nxënësit filluan që të lodheshin nga të kënduarit. Aty pak para mesnatës muzika u ndal, e Petriti tanimë kishte dremitur. Derisa para syve të mi kalonte vija e bardhë e skajit të autostradës, unë përsëri pashë vajzën leshverdhë e cila qëndronte në ulësen e dytë të rendit të mesëm. Ky ishte viti im i parë i punës. Kisha mbaruar studimet e historisë dhe disa vjet kisha kërkuar pa sukses punë në profesionin tim. Më pas, kur kisha mbushur 26 vjet, më kishte buzëqeshur fati. Më pranuan për një vit në një shkollë të mesme, në kryeqytet. Nuk isha kujdestar i ndonjë klase, e klasa e katërt e Arianës ishte njëri ndër dy klasat më të mira të maturantëve në shkollë. Ajo ishte nxënëse shumë e mirë, por në lëndën time, në fillim kishte marrë njësh.

E kisha pyetur rastësisht, për t'i ndëshkuar nxënësit për pengim të procesit mësimor. Deri në fund të vitit shkollor kishte mjaft kohë, por nxënësit me të madhe kishin filluar të mendonin rreth studimeve, e sidomos rreth mbrëmjes së maturës. Edhe pse, përndryshe, ata ishin të sjellshëm, atë ditë me zhurmën e tyre më kishin inatosur tepër shumë, aq më tepër që, si mësimdhënës i ri, kisha frikë se ata do të fillonin të mos ma varnin më. Ariana nuk i kishte mësuar dy mësimet e fundit dhe nuk deshi që të pyetej. - Profesor, ma vëni njësh! Edhe pse… nuk isha unë duke bërë zhurmë - shtoi ajo, gjë që më zemëroi edhe më shumë. - Nuk mundem unë t'ju kontrolloj, kush flet, e kush jo. Të thirra të të pyes.

A dëshiron të përgjigjesh, apo jo? - e pyeta me gjakftohtësi. - Jo - tha ajo me zë të ulët dhe u ul. Megjithatë, pasi ia vura njësh, fillova që të ndjehesha keq. E dija se ajo ishte njëra ndër nxënësit më të qetë në klasë, e një shikim i shpejtë mbi notat e saj, kryesisht shumë të mira, më tregoi se ajo rregullisht mësonte. Që atë ditë, në sallën e arsimtarëve mora vesh arsyen pse ajo nuk i kishte mësuar dy mësimet e fundit. - Pashë se Arianës ia kishit vënë njësh - më tha kujdestarja e saj e klasës, e cila më pas vazhdoi: - E dini, ajo e ka vëllain në spital. Me gjasë keni dëgjuar për atë nxënësin të cilin në vendkalimin për këmbësorë e përfshiu një motoçikletë. Ai u lëndua fort, por për fat, shpëtoi. A nuk ju tregoi Ariana, a? - u habit kujdestarja e saj e klasës. 

Jo, vetëm tha se nuk dëshiron të bisedojë - iu përgjigja i hutuar derisa më vërshonte një brejtje e ndërgjegjes. Të nesërmen, pas orës së mësimit e thirra Arianën. Derisa i afrohej tavolinës sime, për herë të parë vërejta bukurinë e saj. Kishte dy sy të mëdhenj, të kaltër, të cilët i kishte theksuar me një grim të lehtë. Edhe pse shumica e shoqeve të saj grimoseshin, e disa prej tyre këtë e bënin edhe në orë të mësimit, bukuria e Arianës ishte natyrore. Me të vërtetë qenka e bukur, mendova, duke e matur instinktivisht nga koka deri te thembrat. - Pse nuk më tregove që e ke vëllain në spital. Po ta dija, nuk do të të pyesja. - Nuk doja të arsyetohesha me këtë. nuk kisha mësuar. Në fakt, mendoja se e dinit atë për vëllain tim - tha ajo me modesti. - Nuk e dija. Natyrisht, kisha dëgjuar për atë aksident, por nuk e dija se ai djalë ishte vëllai yt. Si është ia tani? (vijon)

(Kosova Sot Online)