Ngjarje e vërtetë: Për të isha vetëm edhe një më shumë (9)

  • E.K /
  • 28 July 2021 - 15:49
Ngjarje e vërtetë: Për të isha vetëm edhe një më shumë (9)

- Shumë më mirë. Ia kanë operuar gjurin dhe thonë se përsëri do të ecë pa probleme - tani ajo më mati mua me një shikim kureshtar. U hutova dhe fillova ta shfletoja ditarin që e kisha mbi tavolinë. - Nuk do të ta marr parasysh këtë notë të dobët, por do të ishte mirë sikur të pyeteshe brenda këtyre ditëve. A do të arrish që të mësosh? - Mund të pyetem që të premten. I kam mësuar të gjitha mësimet, me përjashtim të atij të fundit - tha dhe doli nga klasa. Nga atëherë fillova që të mendoja gjithnjë e më shumë për Arianën. E dija se ende nuk kishte tetëmbëdhjetë vjet, gjë që qysh atë ditë e vërtetova duke shikuar ditarin. Isha më i madh se ajo plot tetë vjet. Edhe pse dallimi në moshë midis nesh nuk ishte aq i madh, në ato momente ato tetë vjet më dukeshin si pengesë e pakapërcyeshme. Isha arsimtari i saj, e ajo vetëm një vajzë e mitur.

Asnjë lidhje midis nesh nuk vinte në pyetje. Por, gjithnjë e më shpesh e zija veten duke menduar për të. Ariana të premten e përmirësoi notën. Ia dhashë një notë të shkëlqyeshme, edhe pse meritoi për shumë mirë. Me gjasë kështu doja t'i laja gjynahet pse e kisha dënuar për shkak të të tjerëve, që kishin shkaktuar rrëmujë. Nga ajo ditë edhe ajo mua më vërente. Nga disa kolegë dëgjova se nxënëset më konsiderojnë arsimtarin më të pashëm. Përpos kësaj, isha edhe arsimtari më i ri në shkollë. - Kini kujdes, që të mos fillojnë t'ju përndjekin. Nuk është lehtë me vajzat e asaj moshe - filloi të bënte shaka profesoresha, e cila ishte para pensionit. Kësaj nuk i kushtoja rëndësi të madhe, meqë nuk kisha vërejtur se vajzat e tjera më përjetonin në atë mënyrë. Përpos Arianës. Nuk më iknin të gjitha shikimet e saj të hapura. Kuptova lehtë se nuk ishte nga ato vajzat e lehta, edhe pse gjithnjë e më shpesh rrinte e fundit për të dalë nga klasa.

Më përshëndeste në mënyrë të veçantë, e unë mundohesha që ajo të mos vërente se edhe mua më pëlqente ajo. vërejta se kishte ndryshuar edhe mënyrën e veshjes. Derisa më parë kishte veshje sportive, më vonë ajo filloi që të vinte e veshur me funde të ngushta dhe me taka të larta. - Shpresoj se do të vini në vallëzim - më tha një ditë, duke kaluar afër tavolinës sime. 

Në vallëzim? - përsërita dhe ngrita kokën. Ajo u ndal dhe më shikoi në sy. - Në vallëzimin e maturës. Do të doja të vinit - tha dhe iu skuqën faqet. - Ariana, ti e di se unë nuk jam kujdestar klase - fillova, i zemëruar pse u hutova para saj. - Mund të vini edhe ashtu, apo jo? - më tha, duke më shikuar me lutje. Kisha vërejtur se gjithnjë e më shumë evitonte që të më thërriste arsimtar. - Nuk e di. Nuk besoj se do të vi - thashë duke u munduar që zëri im të tingëllonte sa më ftohtë dhe i painteresuar. Doja që ajo sa më parë të dilte nga klasa, por ajo vazhdonte që të qëndronte aty. Dukej për mrekulli me atë fustanin e gjelbër të ngushtë, me flokët e mbledhura mbi kokë. E dija se donte që të dukej më e moshuar, gjë që edhe ia kishte arritur. Sikur të mos e dija, do të thosha se kishte, të paktën, njëzet vjet. - Ju pashë disa ditë më parë - vazhdoi ajo. - Njëmend? - kuptova se një bisedë e tillë nuk ishte me vend dhe se nuk çonte askund, por nuk e ndërpreva. -

Derisa dilnit nga kinemaja. Edhe unë e shikova filmin. Por, me shoqe. Ajo ishte e dashura juaj? - më pyeti me një frymë, e unë vërejta se faqet iu bënë all. Në kinema isha me të dashurën e atëhershme, Doruntina. Lidhja jonë ishte e shkurtër dhe e ëmbël. Ndoshta lidhja jonë përfundoi meqë fillova të dashurohesha në Arianën dhe të imagjinoja rreth saj. - A e keni atë të dashur? - e përsëriti ajo pyetjen. Kisha vendosur që t'ia shpjegoja si qëndronin gjërat, por situata vetëm sa bëhej më e vështirë. - Ariana, nuk mund të më bësh pyetje të tilla. Unë jam arsimtari yt dhe raporti ynë duhet të mbetet i tillë. Pa marrë parasysh... po ti je nxënëse. Je e moshës minore dhe unë jam shumë më i madh se ti. Mos u zemëro, por mu desh të ta thosha këtë, meqë kisha vërejtur... - u ndala, duke mos gjetur fjalët adekuate. Isha i sigurt se ajo do të dilte nga klasa duke qarë. Mendoja se e kisha ofenduar, por ajo vetëm sa u afrua edhe më afër tavolinës sime. (vijon)

(Kosova Sot Online)