Roman dashurie:Si u dashurova në ty (17)

  • E.K /
  • 04 August 2021 - 15:46
Roman dashurie:Si u dashurova në ty (17)

Ndjeva një ngrohtësi në pjesën e pasme të fytit dhe e dita se nuk do të mund ta mbaja më. U mundova. U mundova që ta përpija si vjellje, por më kot. Ndjeva sesi mbeta pa frymë, e më pas më erdhi një ofshamë e madhe. Colton pushoi së bëri muzikë. "Nell? A je mirë?" Zëri i tij ishte ai që më bëri ta humbja toruan. U ngrita nga karrigia dhe, duke çaluar, vrapova e dëshpëruar. Nuk isha nisur as për në shtëpi, as për rrugë, thjesht, nuk e dija se ku isha duke shkuar. Ngeca në rërë, ku mu zhytën këmbët. Isha afër valëve të detit, kështu që me gishta mund ta prekja ujin e tij. Ndjeva lotët duke më zbritur faqeve, por ende nuk bëzaja. Dëgjova Coltonin duke ecur në rërë, duke u ndalur pak më larg meje, por më pas duke tentuar që të më afrohej. "Më lër të qetë", ia dola t'i thosha me fuqitë e fundit që më kishin mbetur.

Ai nuk tha asgjë, por u ndal. Unë vazhdoja që të merrja frymë disi me vështirësi, duke dënesur. "Lëre! Zbrazu, Nell! Thjesht, zbrazu!" "Nuk mundem." "Askush nuk do ta dijë. Ky do të jetë sekreti ynë". Munda vetëm ta lëvizja kokën në rërë. Frymëmarrja m'u vështirësua edhe më shumë. Ndjeva dorën e tij duke më prekur në sup. Unë lëviza, por dora e tij ngeli aty, sikur të ishte ngjitur me ngjitës. Kjo prekje e thjeshtë, e pafajshme në lëkurë, mjaftoi që të ndizesha e tëra. Por, në të njëjtën kohë, sikur ajo prekje ma dha lejen që të qaja, në fillim e përmbajtur, e më pas me dënesje të papërshkrueshme. Ai nuk më tha se kjo ishte në rregull, nuk tentoi që të më ngushëllonte duke më përqafuar.

Ai vetëm e mbante dorën e tij në supin tim dhe rrinte afër meje, pa bërë zë. E dija se nuk do të mund të ndalesha. Kisha filluar një herë me vajtim dhe Zoti e di se kur do të pushoja. Dhembja, sado e padurueshme që më ishte, disi më ishte bërë edhe si ilaç. Disi u ngrita por sesi më merreshin mendtë, kështu që për pak u rrëzova. Më kapi Coltoni. Sado që mundohesha të ndalesha, më kot. Atij i vinte një erë e alkoolit, e përzier me erën e duhanit dhe, po ashtu, të kolonjës. Duart e tij më përthekuan dhe më mbajtën fort. Fillova që të ndjehesha në faj, për ndjenjën e mirë, të një rehatie të këndshme, që ma ofroi kjo prekje me të. e mbështeta kokën në gjoksin e tij, vetëm sa të ngihesha frymë, asgjë më shumë. nuk kisha menduar asgjë të keqe.

(Kosova Sot Online)