Ngjarje e vërtetë: Jeta me një mashkull të pakorrigjueshëm (3)

  • E.K /
  • 14 August 2021 - 16:14
Ngjarje e vërtetë: Jeta me një mashkull të pakorrigjueshëm (3)

Menjëherë hyra nën dush. Disa minuta më vonë u vesha dhe vendosa vetëm pak bojëkuq që ta fshehja zbehjen e fytyrës sime. Kurrë nuk përdorja tepër grim, përpos në rrethana të veçanta. As që kisha nevojë për një gjë të tillë. Nuk kisha çka të fshihja. Fytyrën e kisha të bukur dhe pa rrudha, por përkundër kësaj, përkujdesesha çdo ditë për të. nëna ime thoshte se lëkura mban mend gjithçka, e unë e dija se ajo kishte të drejtë. Si edhe çdo grua tjetër, doja që ta shtyja paraqitjen e rrudhave sa më shumë që të ishte e mundur. Kur u takova me Arianën, ajo më përqafoi me ngrohtësi. - Çka ke? - më pyeti, derisa shikonte me kureshtje fytyrën time.

Aliu sapo shkoi te të vetët - thashë me zë të ulur. Sikur të isha vetëm, me gjasë do të filloja të qaja. Me të vërtetë më kishte kapluar njëfarë mallëngjimi, krejt si pasojë e largimit të tij. Gjithnjë e më vështirë e kisha ta duroja këtë largim. - A nuk duhej që edhe ti të shkoje me të? - më pyeti Ariana. - Nuk di çka të them - thash duke rrudhur supet. - E, çka nëse ai të rrenë? - më tha Ariana, duke m'u afruar më shumë. - E, pse do ta bënte një gjë të tillë? Kjo është e pamundur - thashë, thuajse me zemërim. Nuk e kisha të qartë mënyrën sesi mendonte ajo. Pse do të më rrente Aliu? Unë e doja, më donte edhe ai mua dhe kjo do të duhej të ishte në rend të parë.

Fjalët e saj dëshmuan se askush përpos meje nuk e njihte Aliun. Vetëm unë e kuptoja sikletin e tij për shkak të situatës në të cilën gjendej. Natyrisht, askush nuk krenohej me varfërinë, ku as ai nuk ishte përjashtim në këtë drejtim. I kisha dhënë mjaft para dhe kohë që të bënte diçka të denjë. E, pasi që të ndodhte një gjë e tillë, ai me siguri se do të më njoftonte me prindërit e tij. - Kur është ai në pyetje, unë do të kisha kujdes - tha Ariana duke vazhduar me të veten. E shikova e habitur. Nga ajo nuk prisja fjalë të tilla. Edhe ajo e njihte Aliun mirë, jo aq sa e njihja unë, por ata ishin parë shumë herë. Edhe pse nuk më kishte thënë gjë, disi e kisha përshtypjen që ajo kurrë nuk e kishte pranuar atë. 

Këto janë marrëzi - thashë duke bërë me dorë. - Kur dikujt ia beson zemrën, ia beson edhe jetën dhe nuk dyshon në të - thashë me krenari. - Njëra pa tjetrën nuk shkojnë - thashë me një ton sikur nëna kur i drejtohet vajzës. - Nuk e di pse, por kam përshtypjen që zemra nuk është duke të çuar në drejtimin e duhur. Nuk dija çka të thosha në këto fjalë, por e dija se duhej të thosha diçka. Nga shikimi i saj pashë se edhe ajo priste përgjigjen time. - Koha do të tregojë se kush ka të drejtë - thashë me vetëbesim. - E di çka? - tha Ariana. - Disa ditë më parë rastësisht dëgjova një pjesë të bisedës që ai e bënte me një grua. E di se ti nuk ishe ajo grua, meqë asaj i drejtohej me një emër të çuditshëm.

Kjo nuk d.m.th. asgjë. Sikur në jetën e tij të ekzistonte edhe një grua tjetër, unë do ta dija këtë. Ndoshta ishte duke biseduar me nënën? - thashë, duke përmendur një mundësi krejt logjike. - Ndoshta vetëm të është dukur - thash, duke gjetur arsyetime të shumta. - Shpresoj të kesh të drejtë - tha ajo me zë të ulët. - Megjithatë, sikur të isha në vendin tënd, do të isha më e kujdesshme. - Në rregull - thash vetëm sa për të thënë diçka.

Fjalët e saj nuk më shqetësuan shumë. E dija se ajo nuk i zmadhonte gjërat, por po ashtu e dija se ajo ka mundur ta keqkuptonte një bisedë krejt të pasherr. - Do të jem - i thashë. Pjesa tjetër e bisedës tonë preku tema të rëndomta të bisedave të grave, e unë në tërësi harrova vërejtjen e saj. Vetëm pasi që shkova në shtëpi, sikur fjalët e saj morën një domethënie më të madhe. Si duket, as unë nuk isha rezistente në dyshim, sikur edhe të gjitha femrat e tjera. (vijon)

(Kosova Sot Online)