Ngjarje e vërtetë: Jeta me një mashkull të pakorrigjueshëm (5)

  • E.K /
  • 16 August 2021 - 15:49
Ngjarje e vërtetë: Jeta me një mashkull të pakorrigjueshëm (5)

Kurrë nuk mund të jemi të sigurt për asgjë. Me të vërtetë, asnjëherë deri para disa ditësh, nuk kisha kontrolluar gjësendet e Aliut. Ai ishte aq pedant, saqë edhe unë ndihesha e turpëruar. Gjithmonë e tallja në lidhje me këtë. Kur përfundimisht më thirri, ndjeva sesi dridhesha sikur të gjendesha në frigorifer. - E dashur - ishin këto fjalët e para që mi drejtoi. Dikur këto fjalë nxisnin buzëqeshje në fytyrën time, por tani nuk ndodhi një gjë e tillë. Çka sikur këto fjalë të ishin vetëm rrenë? Çka nëse ai ishte me mua vetëm për interes? Në kokë më lindën shumë pyetje, ku të gjitha përgjigjet gjendeshin te ai. - Në shtëpi jam - tha disi si me krenari. - Oh - më iku kjo ofshamë pa dashje.

M'u kujtua që fotografia kishte mbetur në ormanin e tij të natës. Do të jetë mrekulli nëse ai nuk e sheh atë. Nuk doja që ai ta kishte të gatshme çdo përgjigje në çdo pyetje time, kur të kthehesha. Doja ta shihja reagimin e tij të sinqertë, doja ta dija të vërtetën, mbi të gjitha, pa marrë parasysh se çfarë ishte ajo. Menjëherë e lashë punën dhe u nisa për në banesë. Natyrisht, doja që ta sqaroja çdo gjë. Isha e gatshme për gjithçka, bile edhe për më të keqen, edhe pse në thellësi të zemrës shpresoja që ai do ta kishte një shpjegim. Kur hyra, pash Aliun ulur duke pirë kafe. Papritmas e ngriti shikimin. Ishte i lodhur, e ajo lodhje i shihej qartë në fytyrë. Por, të njëjtin moment, në fytyrë iu paraqit një buzëqeshje. Rrudhat sikur iu zvogëluan nga ngazëllimi.

A ishte e mundur që ndokush do të mund të aktronte aq mirë? Edhe pse nuk e besoja këtë, prapëseprapë te unë gjendej dyshimi. - E dashur - u ngrit duke më përqafuar me fuqi. - Më ke munguar shumë - një deklaratë e këtillë, e thënë nga ai, do të shkaktonte ngazëllim, sikur situata të mos ishte e ndryshme. - Njëmend? - thashë, duke tentuar që të largohesha nga ai. - Natyrisht - tha i befasuar Aliu. - Çka është kjo pyetje? Edhe ti e di se kjo është e vërtetë - kur ai tentoi që të më afrohej, unë u largova. - Pse nuk më ke thirrur? - e pyeta. Zërin e kisha të ftohtë. Natyrisht, prapa tij fshihej tërë ai dyshim, i cili më kishte munduar. - Unë të thirra ty - i thashë, duke ia bërë me dorë kah celulari, i cili gjendej në tavolinë. - Nuk kishe qasje, thënë më mirë, e kishe celularin të fikur - u solla rreth tij dhe u ula.

Edhe ai e bëri të njëjtën gjë. Për disa çaste vetëm më shikonte. - Çka po ndodhë? - më pyeti. - Ka shumë gjëra që duhet sqaruar, e unë nuk kam shpjegim. Shpresoj t'i kesh ti - thashë me inat. E vërejta fytyrën e tij. Kishte sy të bukur, të kaltër, një shikim të pasherr, të cilin e adhuroja dhe një fytyrë të sinqertë. A ishte kjo vetëm një maskë prapa së cilës fshihej ajo që më bënte të frikësohesha? - Çka dmth kjo? - më pyeti. - Shko në dhomën e gjumit dhe shikoje fotografinë që gjendet në ormanin e natës - ia thash troç. Aliu nuk u dorëzua. Në vend të befasisë, në fytyrën e tij u paraqit një buzëqeshje. - Shkova - tha ai. U kthye pas disa momentesh. Në fytyrë e kishte po atë buzëqeshje me të cilën ishte larguar pak më parë. - Çka të intereson? - më tha, duke u ulur përballë meje. - Kjo grua dhe fëmija - i thashë duke ia bërë me dorë kah fotografia. - Kjo femër është motra ime - më tha me një zë të njëtrajtshëm. - E, fëmija është djali i tij - vazhdoi me po atë ton. Mbeta si e shtangur. Nëse kjo ishte e vërtetë, atëherë tërë xhelozia ime dhe tërë ai ferr, nëpër të cilin kisha kaluar, ishin të kotë. (vijon)

(Kosova Sot Online)