Ngjarje e vërtetë:Si më futi miku në botën e prostitucionit (6)

  • E.K /
  • 25 August 2021 - 15:54
Ngjarje e vërtetë:Si më futi miku në botën e prostitucionit (6)

- Valentina, mos më fol tani për parket. Jam me Martinin - fillova të zemërohesha. A nuk mund ta lësh këtë për nesër? Por, Valentina nuk jepej: - Duhet të shkosh tek ai mjeshtri që e vendosi. Menjëherë e dija se nuk ishte i zoti. E bëri punën vetëm shkel e shko, duke i marrë tërë ato para. E kam ditur... - Po, po! Ti i di të gjitha - e ndërpreva i zemëruar. Tani me të vërtetë më kishte nxjerrë nga binarët. E shikova pishinën, ku gjendej Martini, e më pas shikova Monikën me bikinet më të vogla, me gjasë, që mund të ekzistojnë. Martini me gjasë nuk lejon që gruaja t'ia nxijë jetën për çdo imtësi, mendova, duke u bërë përnjëherë ziliqar ndaj mikut, i cili ishte evidente se dinte ta shijonte jetën.

Përfundova bisedën duke i premtuar gruas se do ta zgjidhnim problemin me parketin, por mezi u përmbajta pa ia thënë ndonjë fjalë të rëndë. Më dukej sikur isha i zënë jesir. Nuk më lë të qetë edhe kur jam me kilometra larg saj. E vendosa celularin në xhep, kur papritmas dikush më shtyu. - Më falni, nuk ju pashë. Me të vërtetë jam i ngathët - më kërkoi falje njeriu i cili pa dashje më ra me bërryl, e për më tepër, ma derdhi edhe pijen në këmishë. Pashë sesi vera e kuqe më rridhte poshtë nëpër këmishë. - Nuk ka lidhje. Çdo gjë është në rregull - thashë i habitur. Martini, i cili sapo doli nga pishina, filloi të qeshte sapo më pa: - Uh, sa mirë të paska njomur. Duhet të ndërrosh rrobat. Eja, do të ta jap një këmishë të pastër. - Nuk ka lidhje - thashë përsëri dhe shtova: -

Edhe ashtu, shpejt do të largohem. Nuk doja që mikpritësve t'iu krijoja probleme. - Ku dëshiron të shkosh? Sapo erdhëm. Mund të ndërrosh rrobat, e mund të të jap edhe rroba për larje - insistonte Martini. - Nuk e di… - Hajde, Luan, mos më thuaj se këtu nuk të pëlqen. - Nuk e thashë këtë. Natyrisht se më pëlqen - ia pranova dhe u nisa pas tij. Duke u ngjitur në katin e dytë të asaj shtëpie, ngela i mahnitur nga luksi dhe enterieri i rregulluar me shije. Disa njerëz nuk ua dinë fundin parave, thashë me vete, derisa shkoja prapa Martinit nëpër korridorin e gjatë. Dhe, më pas, në fund të korridorit, përsëri e pashë atë vajzën nga ballkoni. Rrinte me një vajzë tjetër, me flokë të shkurtër, të veshur me një fustan të ngjashëm, thuajse krejt të tejdukshëm. Nuk më pa, por unë nuk ia ndaja sytë, gjë që nuk i iku Martinit pa e vërejtur. U ndal para një dere të mbyllur dhe më pëshpëriti, duke shikuar kah vajzat. - Të pëlqen ajo biondja? 

E bukur është, tepër e bukur - pranova i habitur. - Kush është ajo? - nuk u durova pa e pyetur. - Një shoqe e Monikës. Nuk është italiane - m'u përgjigj shkurt dhe më futi në një dhomë të madhe të gjumit. E hapi një pjesë të ormanit, i cili zinte një pjesë të tërë të murit. - Ja, këtu janë këmishët. Zgjidhe njërën prej tyre, cilën ta dojë qejfi - më tha dhe u zhduk sërish në korridor. Derisa unë në mesin e atyre këmishëve të bukura, të markave të njohur, kërkoja numrin tim, Martini u kthye me një shikim të çuditshëm në fytyrë. - Dëgjo! Ajo vajza, ajo biondina. Edhe ti i pëlqen asaj. Tani sapo fola me të. - Njëmend? - thashë në tërësi i habitur. - Dhoma e saj është në fund të korridorit.

Është duke të të pritur - më tha duke ma bërë me sy. - Por, Martin, unë nuk e njoh atë. Dhe, unë jam... e po ta marrë vesh Valentina? - belbëzova duke mos ditur çka të thosha. Martini filloi të nervozohej: - E si do ta marrë vesh ajo? Pashë Zotin, Martin, çka është bërë me ty. Dikur nuk ishe kaq teveqel. Nëse të pëlqen… - tha ai, pa e përfunduar fjalinë. U vesha pa bërë fjalë dhe dolëm nga dhoma. Shikova poshtë korridorit, por tani aty nuk gjendej kush. - Dhoma e fundit në të djathtë - më tha ai, duke zbritur shkallëve, e unë mbeta aty, si hu gardhi. (vijon)

(Kosova Sot Online)