Ngjarje e vërtetë: Si më futi miku në botën e prostitucionit (9)

  • E.K /
  • 28 August 2021 - 17:45
Ngjarje e vërtetë: Si më futi miku në botën e prostitucionit (9)

- Këtë nuk mundem. Do t'i tregoj të gjitha në polici. Por, duhet të ruhem, që të mos bie edhe vet në burg, meqë atëherë nuk do të mund të të ndihmoj - pak më erdhi turp nga qyqarllëku im, por me të vërtetë isha i shqetësuar për sigurinë time. Kushedi për çka ishin të gatshëm këta njerëz? Katarina qante, por më tregoi se më kuptonte. - A ke ardhur vetëm? - Jo, janë edhe tri vajza, në dhomat e tjera - m'u përgjigj. Përfundimisht mblodha guximin dhe zbrita poshtë. E dija se më duhej një mjeshtëri e madhe që të mos kuptonte Martini se çka do të bëja.

Kaq shpejt? - më pyeti ai, sapo më pa. Unë u mundova ta ruaja qetësinë. - Ishte e pafjalë, por është kaq e bukur - i thashë fjalët nga të cilat edhe vetë u neverita. Qëndrova në ndejë edhe rreth një orë. Marceli më analizonte me shikim. Tani kuptova pse ai ishte zemëruar me Martinin. Kishte menduar se nuk duhej të më çonte ku më çoi. Por, duket se Martini ishte i sigurt në veten e tij. Ia bëra Marcelit me dorë dhe, duke buzëqeshur, përqafova njërën prej vajzave gjysmë të zhveshura, meqë tani e dija se ato ishin prostituta. Arrita të largohesha vetëm një orë pas mesnate. Shkova me taksi deri te hoteli, derisa Martini mbeti, ashtu i dehur, duke mos hetuar asgjë. Në hotel pyeta se ku mund të kontaktoja me policinë në ato orë të vona, e më pas dola përsëri përjashta. Kur shkova në polici, ua tregova të gjitha që i pash atje.

Ata mi kërkuan dokumentet dhe më thanë që të mos largohesha nga Italia. Valentinës i thashë se më kishte dalë diçka e paplanifikuar dhe se duhej të rrija edhe një ditë. Kur më thirri polici, duke më thënë se mund të largohesha nga vendi, mora frymë lirshëm. Ai më tregoi se edhe më parë kishin disa njohuri, por tani, falë informatave të mia, dinin shumë më shumë. Doja ta pyesja për atë vajzën, por nuk guxoja. Si duket, këtë e hetoi polici dhe më tregoi se ato, pasi që të merren në pyetje, do të ktheheshin në vendet e tyre të origjinës. Ndjeva një lehtësim. Në asnjë moment nuk i kisha rënë pishman që e paraqita mikun tim të vjetër në polici. Nuk e dija a do ta kuptonte ai se kush e kishte njoftuar policinë, por mua nuk më interesonte më asgjë rreth tij. me sjelljen e vet, ai e kishte merituar burgun.

Ajo që më tmerronte, ishte fakti se sa pak kishte munguar, që edhe unë të futesha në botën e prostitucionit dhe tregtisë me njerëz. Kjo sikur m'i hapi sytë për të kuptuar të gjitha të mirat që i kisha në jetë. Kur u ktheva në shtëpi, aq mirë u solla me gruan dhe fëmijët, saqë gruaja bile u habit. Duke mos ditur çka të thoshte, më tha: "Më duket se të paska munguar kuzhina ime, a"? Unë pohova me kokë, i gëzuar. Fund

NGA NESËR MUND TA LEXONI NJË TREGIM TJETËR, TË BAZUAR NË NGJARJE TË VËRTETË:

“NË PËRQAFIM TË INSTRUKTORIT TË SKIJIMIT”

(Kosova Sot Online)