Ngjarje e vërtetë: Si më tradhtoi burri ditën e martesës (5)

  • G.G /
  • 15 shtator 2021 - 08:31
Ngjarje e vërtetë: Si më tradhtoi burri ditën e martesës (5)

Vetëm kalova pranë tij, shkova në dhomë dhe e mbylla derën. E dëgjova rreth orës tre të natës duke tentuar të hynte, e më pas duke u kthyer ngadalë korridorit. Në mëngjes prisja që të shkonte në punë, por ai kishte marrë ditë të lirë. - Hana - më foli nga ana tjetër e derës - nuk do të shkoj në punë sot. - Më mirë është të shkosh. E tëra që më duhet është pak kohë.

- Duhet të flasim, të lutem! - E unë të lus ty që të më japësh pak kohë - thashë me nervozizëm, duke hapur derën dhe duke kaluar afër tij, e gatshme për takimin fatal. - Ku po shkon? - më tha duke më shikuar me habi. - Për të bërë shoping. Thonë se ndihmon - i thashë me ironi. Para se ai të mund të thoshte ndonjë gjë, unë dola jashtë. Nata ime e tmerrshme më ndihmoi që ta merrja veten. Kisha vendosur që përgjigjet rreth dyshimeve të mia t'i gjeja aty ku edhe fshiheshin.

Te Valentina. Do të bëhesha sikur kisha shkuar për t'i vizituar kolegët e mi të punës. Rrugës më duhet që t'i blej ca çokollata, thashë me vete. Bile, më ra ndërmend që të merrja edhe suvenirët të cilët unë dhe Meti i kishim sjellë nga udhëtimi i martesës. E, pika mbi "i" ishin tri fotografi të ndara. Në zyrë hyra pa paralajmërim pak para orës 12, kur te ne fillon pushimi i drekës. Befasia bëri punë. Derisa të tjerët komentonin se sa ngjyrë të mirë kishte marrë lëkura ime, më bënin pyetje të llojllojshme rreth udhëtimit, Valentina nuk bënte zë. Nuk reagoi as ndaj qesëndisjeve sesi isha nxirë për merak, të filluara nga një koleg: - Supozoj se je nxirë nga noti - më tha ai, e pas një pauze, shtoi - nga notimi në shtrat. - Po, po. Për këtë është dashur shumë notim - u përgjigja unë, duke e pranuar shakanë.

Pas këtij komenti mora përgjigjen që e kërkoja. Ajo gjendej në sytë e Valentinës. Ishte evidente se nuk i pëlqente komenti im. Edhe pse me të planifikoja që të bisedoja veçmas, kuptova se një gjë e tillë nuk ishte e nevojshme dhe në "iPhone"-in tim preka opsionin "dërgo". Më pas thashë: - I kam edhe fotot. Valentina, shiko, tanimë t'i kam dërguar. - E neve!? - më sulmuan të tjerët. - Edhe juve do t'ua dërgoj, natyrisht - e shikova Valentinën e cila hapi foton e parë, atë me buzëkuq dhe me tmerrim e shikonte ekranin. - Apo, më mirë, le t'ua dërgoj Valentina juve të tjerëve.

Fjalët e fundit mezi i shqiptova, e më pas u ktheva dhe dola pa përshëndetje. Mezi arrita deri te lifti dhe u lëshova poshtë, në garazh. Sërish u ula në automobil, duke i përjetuar disa nga momentet më të vështira të jetës sime. Dhembja më kishte paralizuar të tërën. Qysh mbrëmë kisha përcaktuar dy opsione: opsionin e parë, që t'iu kërkoja falje Amirit dhe Metit, nëse do të zbuloja se çdo gjë kisha kuptuar gabimisht dhe, opsionin e dytë, nëse do të zbuloja se mashtrimi me të vërtetë kishte ndodhur. Por, tani nuk kisha fuqi që të ballafaqohesha me opsionin e dytë, e lëre më që ta realizoja në praktikë.

Duhej ta gjeja dikë që të më ngushëllonte, ta merrte një pjesë të përgjegjësisë sime dhe të dështimit tim, prandaj kisha nevojë që ta thërrisja dikë. Ndoshta shoqen time më të mirë, Kaltrinën, nënën, motrën. Bile e mora edhe celularin në dorë, por më pas kuptova se kjo dhembje ishte vetëm imja dhe se ky ishte dështimi im i parë i vërtetë në jetë. Ato kontratat afariste, të vlefshme me miliona dollarë, për të cilat shpesh nuk më merrte gjumi, tani më dukeshin qesharake krahasuar me këtë problem.

Përpos që vuaja nga pagjumësia dhe isha e lodhur nga të menduarit, ndjeja edhe një dhembje të hatashme. Pasi që kaloi tronditja e parë pas daljes nga zyra dhe pasi që, përfundimisht, mu kthye fuqia në këmbë, në fuqi hyri opsioni i dytë. E ndeza veturën dhe u nisa për në banesë. (vijon)

(Kosova Sot Online)