Roman dashurie: Si u dashurova në ty (63)

  • G.G /
  • 20 September 2021 - 08:40
Roman dashurie: Si u dashurova në ty (63)

Një muaj më vonë Gjërat thuajse u bënë normale, me përjashtim të Coltonit, i cili vinte shpesh dhe rrinte aty. Gjërat kaluan në një nivel më pak fizik, edhe pse ndjeja një joshje po aq të fortë ndaj tij, sikur që hetoja shpesh sytë e tij në trupin tim. U puthëm disa herë, por dukej se kishim arritur një marrëveshje të pathënë për të mos shkuar më tej. As vet nuk e di pse. Nuk jam e sigurt se më pëlqen një gjë e tillë. Mua më duhet ai. Më duhen prekjet e tij. Kam filluar studimet në Universitetin e Nju-Jorkut, vrapoj, punoj me ndërrime si kameriere dhe bëj muzikë.

Dhe, e shoh Coltonin, por jo aq afër. Mbi të gjitha, nuk dua që të preokupohem në lidhje me pranimin, apo refuzimin tim nga kolegji i arteve të bukura. Pasi që e kisha takuar Coltonin në park dhe për shkak të ngjarjeve pasuese, kisha harruar plotësisht se isha në pritje të një letre të tillë. Përfundimisht, atë letër ma sjell Colton, me tërë postën time tjetër. Rri ulur në karrigen e kuzhinës, duke kënduar një këngë, kur Colton troket në derë dhe hyn ashtu, duke trokitur.

Ai ma jep postën, të cilën unë e kontrolloj. Letra nga Universiteti i Nju-Jorkut gjendet në fund, natyrisht. Kur e marr, zemra fillon që të më rrahë më shumë, prandaj më bien në tokë të gjitha letrat e tjera. "Çka ndodhi?", më pyet Colton, duke parë reagimin tim. "Kam aplikuar në kolegjin e arteve të bukura në universitet. Pranimi nuk është i sigurt, prandaj me këtë letër më tregojnë a më kanë pranuar, apo jo". E fus gishtin nën palën e zarfit dhe e hap atë. Shoh se gjendet vetëm një letër. Por, pasi që e marr në dorë, filloj që të dridhem e tëra. "Nuk mund ta shikoj! Ti lexoje atë", i them, duke ia dhënë. Colton e merr, e shikon dhe, më pas ma jep përsëri. "Jo, jo! Kjo është letra jote.

Ti lexoje atë", derisa ma thotë këtë, në fytyrën e tij ka një shprehje të çuditshme, të cilën nuk di si ta interpretoj. "Jam tepër nervoze", i them. "Të lutem, ma lexo ti"! "Ti duhet ta lexosh vetë, zemër. Nuk do të jetë njësoj sikur ta lexosh vetë letrën e pranimit tënd". "Ti nuk e di a më kanë pranuar, apo jo", i them, tani ngapak edhe e zemëruar. "A ma lexon? Të lutem"? E di se nuk do të duhej të insistoja kaq shumë. Shoh se edhe ai fillon që të nervozohet. Me gjasë këtu ka diçka që i pengon, por unë nuk dua të dorëzohem tani. "Jo, Nell. Nuk do të ta lexoj atë letër. Ajo është letra jote, jo imja", thotë ai dhe kthehet në anën tjetër, duke e ndezë një cigare. "Hajde, more, Colton.

Pse po e bën kaq të madhe? Thjesht, dua që ta ndaj këtë moment me ty". Ai kthehet kah unë me sytë e skuqur dhe me nofullën e tendosur. "A dëshiron ta dish pse po e bëj kaq të madhe? Sepse nuk di të lexoj! Ja pse, OK? A u kënaqe tani që e di se nuk di të lexoj", thotë ai, duke u kthyer sërish në anën tjetër. Unë mbes e hutuar."Çka, çka? Nuk di të lexosh? Aspak? Si është e mundur një gjë e tillë"?, i them, duke iu afruar nga prapa dhe duke ia qitur një dorë në sup.

Ndjej muskujt e tij, të fortë si guri. Ai nuk kthehet kah unë derisa flet. Zëri i tij është i dobët, prandaj më duhet që të përqendrohem mirë e mirë që ta marr vesh. "Vuaj nga disleksia. Nga një disleksi e rëndë. Mund të lexoj, por me të vërtetë shumë keq, më mirë lexon një nxënës në klasë të parë, sesa unë. Nëse gjendem në një dhomë tepër të qetë, pa gjëra që ma tërheqin vëmendjen, atëherë mund ta lexoj një artikull në gazetë, për një a dy orë. Por, kjo është e tëra. OK"? (vijon)

(Kosova Sot Online)