Ngjarje e vërtetë: Adhuruesi i fshehtë që më dërgonte porosi (1)

  • A.P /
  • 26 shtator 2021 - 11:52
Ngjarje e vërtetë:  Adhuruesi i fshehtë që më dërgonte porosi (1)

E pamundur! Ishte kjo porosia e pestë brenda një jave, por, kush më shkruante nuk e dija. Dërguesi ishte anonim. Numri nga i cili po më vinin porositë mund të shihej, por, kur kam provuar në postë ta gjej se për kë bëhej fjalë, doli se numri nuk ishte fare i regjistruar. Kur unë e thërrisja ai nuk lajmërohej. Kush mund të m'i dërgonte ato porosi, dhe atë porosi dashurie! Isha e hutuar. Në tridhjetë e katër vitet e mia kam përjetuar gjithçka. Kisha lidhje të ndryshme me meshkuj, por një adhurues të fshehtë, këtë nuk e kisha. Së paku një adhurues kaq romantik, që njihte bukurinë time dhe mirësinë, nuk e kisha pasur kurrë. Përsëri e shikova porosinë e tij të fundit që ma kishte dërguar dhe e lexova përsëri. "Je tepër e bukur - si nga jashtë, po ashtu edhe nga brenda", shkruante. "Kur të shikoj, më djeg dielli. Mendja ime qëndron vetëm te ti…

" Nuk isha më adoleshente, jam një grua e pjekur, por diçka kaq të bukur askush nuk më ka shkruar deri më tani. Madje as Fitimi, dashuria ime në vitin e parë të fakultetit, me të cilin kishim një lidhje romantike, plot me ndjenja. Edhe njëherë e shikova porosinë dhe në ato momente po e ndjeja se si po më rrihte zemra ime fort. Kush mund të kishte ndjenja aq të thella për mua, e që unë këtë nuk e kisha vërejtur? Jo se nuk kishte meshkuj përreth meje, madje kishte shumë. Por, te asnjëri prej tyre nuk kam vërejtur një dëshirë apo një dashuri te dikush që do të mund të shkruante diçka të tillë për dikë, për mua. Në bazë të asaj që shkruante, ai po çmendej për mua. Porosinë e parë e kam pranuar saktë para një jave, pak para orarit të punës. Jam mjeke dhe punoj në spital. Atë ditë isha kujdestare gjatë natës. "Valentina, të dua", shkruante. Vetëm kaq. Asgjë më shumë e asgjë më pak.

Kolegia ime, Ariana, e cila po punonte në ndërrim me mua, vrapoi në drejtim të telefonit tim duke e parë çehren e fytyrës sime, por unë shpejtova dhe e futa telefonin në xhep. "Jo, nuk është gjë. Motra ime po më nguc dhe po më shkruan marrëzira", i thashë dhe shtrëngova telefonin në dorë. Ma Arianen isha shumë mirë, pos se ishte kolege, ajo edhe ishte shoqja ime më e mirë. I besonim njëratjetrës, por disi hezitova t'ia them të vërtetën. E dija se nëse ia them asaj, ajo ia thotë dikujt, atëherë i gjithë spitali do ta kuptonte se unë kisha një adhurues të fshehtë , i cili më dashuronte çmendurisht. I gjithë fati ishte që Ariana nuk po mundej që në ato qaste të ma matë pulsin, sepse do ta vërente fare mirë se unë isha shumë e shqetësuar. Ajo fjali aq e vogël më kishte shqetësuar pa masë dhe atë dit gjithë ditën nuk po mund të përqendrohesha në asgjë.

Po mendoja për atë që ma kishte dërguar. Dikush më dashuronte, e unë nuk e dija se kush. Ishte e qartë se po vdisja nga kureshtja që ta di se për kë po bëhej fjalë. Por, dorën në zemër, kur e dija se ekzistonte dikush si ai, m'u shfaq një buzëqeshje në buzë. Lidhja ime që kisha kishte pëlcitur para tri viteve dhe që nga ajo kohë unë isha e vetme dhe po jetoja me shpresën se në fund do ta gjeja dashurinë e vërtetë. Për fat të keq, shpresat e mia nuk po përmbusheshin, e fajtori më i madh ishte puna ime. Kur unë duhej ta njihja apo takoja dikë, unë ditën e kaloja në spital. Por, tani filluan të vijnë ato porosi të fshehta dhe përnjëherë m'u duk se dashuria më gjeti mua. (vijon)

(Kosova Sot Online)