Ngjarje e vërtetë: Adhuruesi i fshehtë që më dërgonte porosi dashurie (2)

  • E.K /
  • 27 September 2021 - 15:54
Ngjarje e vërtetë: Adhuruesi i fshehtë që më dërgonte porosi dashurie (2)

Më vonë, gjatë asaj dite, pasi që kujdestaria e mundimshme përfundoi dhe pasi që, e lodhur, u ktheva në shtëpi, sinjali nga celulari ma bëri me dije se më kishte ardhur edhe një porosi tjetër. Menjëherë u nguta ta lexoja. "Je tepër e bukur, Valentina", lexova, duke kaluar shpejt me shikim mbi fjalët e shkruara. "Dua absolutisht gjithçka te ti, si mirësinë, po ashtu edhe bukurinë!" Kësaj here i kishte shkruar tri fjali. Tri fjali, por mua edhe më tej nuk më ishte e qartë se kush mund t'i kishte shkruar ato. Zemra më rrihte fort. Dikujt i pëlqeja shumë. I pëlqente si trupi im, ashtu edhe shpirti im. Sa romantike! E më pas, mu kur po përgatitesha që të shtrihem në shtrat, erdhi edhe një porosi. Isha e përgjumur por zhurma e njohur më kthjelli. Shpejtë e mora telefonin.

"Fli mirë, e dashura ime. Për ty do të mendoj edhe në ëndrra", shkruante. E tërë lodhja ime që ndjeja deri pak kohë më parë, përnjëherë u zhduk. U shtriva në shtrat, por nuk mund të flija. Duke mbajtur fort celularin në dorë, si e hipnotizuar, shikoja mesazhin dhe e lexoja kushedi për të satën herë. Kush, kush, kush, vetëm kjo pyetje më sillej në kokë. Kush mund të ishte kaq i dashuruar në mua? Në një moment më ra ndërmend që, në lidhje me atë pyetje, do të duhej të sillesha si detektiv. T'i analizoja të gjitha të dhënat dhe, pak-ngapak ta zgjidhja enigmën. E dija se bëhej fjalë për një mashkull, i cili më njihte. Si do ta dinte ndryshe ai sesi jam "brenda dhe jashtë", apo se u ktheva në shtëpi nga ndërrimi i natës dhe se, në orët e mëngjesit, përgatitem për të rënë në gjumë?

Kjo ishte logjike, sikur që ishte logjike edhe fakti se ai, me gjasë më kishte njoftuar në punë. Vështirë të bëhej fjalë për ndonjërin nga rrethi i miqve të mi, meqë të gjithë ata ishin në lidhje të forta. Në fakt, të gjithë përpos Malës së bukur, por ai ishte një homoseksual i deklaruar. Si do të mund të ishte mashkulli i cili më shkruante porosi të këtilla, analizoja vet me vete. Me gjasë beqar dhe shumë i turpshëm. Në të kundërtën do të më afrohej haptazi dhe do të më tregonte se çka ndjente, e nuk do të fshihej prapa mesazheve anonime. Tani ishte me rëndësi të mendoja edhe më shumë. Cilin vetmitar të turpshëm e kisha në vendin e punës? Artani kishte të dashur, Albani ishte i martuar, Alberti ishte i dashuruar në një infermiere të pashme... Por, më pas, përnjëherë më ra ndërmend. Si nuk mu kishte kujtuar më parë?

Ky mund të ishte vetëm një njeri - Samiri, infermieri në repartin tim. Ai disi më buzëqeshte çuditshëm sa herë që takoheshim në ambulantë, apo në korridor. Ishte me moshë përafërsisht sa unë dhe dukej tepër i tërhequr. Por, a nuk thuhet se uji i qetë e gërryen kodrën? Menjëherë të nesërmen, pa e marrë ende mesazhin tjetër, vendosa që ta studioja tërë këtë rast. Edhe pse tërë këtë mesele me mesazhe e kisha mbajtur sekrete nga Ariana, tani vendosa t'i tregoja fije për pe. Fundja, ajo mund të më ndihmonte në zbulimin e "fajtorit". - Hajde, mori! - Ariana vetëm ngriti vetullat kur i thash se, tash e një javë, një person anonim më dërgonte mesazhe të dashurisë. Athua nuk më besonte? E shikova paksa e prekur.

Si mund të trilloja një gjë të tillë? Apo, mos mendonte se ndokush është tallur me mua? - Jo, jo! - më tha pasi që e pyeta. - Porositë duket se janë serioze dhe si të tilla duhet t'i kuptosh. Më vinte mirë që ajo mendonte sikurse unë, meqë unë tërë këtë situatë e kisha marrë tepër seriozisht. - Mori - filloi ajo - vazhdimisht më ankohesh sesi të mungon dashuria. A të vjen mirë tani që të do dikush? A duhej t'ia thosha të vërtetën? Sinqerisht, pak më vinte marre, bile edhe prej saj. Në fillim u hamenda, por më pas ia thash të gjitha. - E di se duket qesharake, por jam e ngazëllyer si një nxënëse sa herë që dëgjoj zërin e telefonit. Në fakt, vazhdimisht mendoj rreth asaj se kush mund të jetë! Pasi bëra një pauzë, u përkula, duke iu afruar më shumë, dhe i thash: - A dëshiron të të them diçka në besë? - Çka? - edhe Ardita pëshpëriti sikurse unë. - Më duket se e di kush është dërguesi sekret i mesazheve - i thash. - Kush? - sytë e Arditës shkëlqenin. (vijon)

(Kosova Sot Online)