Ngjarje e vërtetë: Adhuruesi i fshehtë që më dërgonte porosi dashurie (3)

  • E.K /
  • 28 shtator 2021 - 15:54
Ngjarje e vërtetë: Adhuruesi i fshehtë që më dërgonte porosi dashurie (3)

Desha t'i tregoja se në kë më qante zemra, por mu në atë moment dikush trokiti në derë dhe një kokë femre u duk aty. - Më falni, ju lutem. Kam termin të caktuar për kontrollim javën tjetër, por meqë kam disa dhembje të çuditshme në bark, do t'ju lusja që të më pranoni sot - gruaja e re kishte një shprehje llahtari në fytyrë. Ishte evidente se frikësohej për beben e saj, prandaj biseda midis meje dhe Arianës ra në harresë. Ndoshta kështu ishte më së miri, mendova, derisa pacientja hynte brenda në zyrë. Fundja, ai mendimi im rreth Samirit ishte vetëm supozim. Por, dorën në zemër, do të më vinte shumë keq nëse, më vonë, do të shihej se kisha gabuar. E preokupuar me pacientë, harrova për një çast tërë çështjen dhe ajo m'u kujtua vetëm në fund të ditës. Derisa kthehesha në shtëpi, mendoja rreth porosive misterioze.

Çka nëse megjithatë, mesazhet m'i dërgonte Samiri? - Valentina! Prej kur i kafshon lapsat? Çka do të ndodhte sikur të të shihte ndokush nga pacientët, apo, mos e bëftë Zoti, primariusi? Ariana mori një pamje të frikësuar të fytyrës. Nga biseda jonë paraprake rreth mesazheve misterioze, kishin kaluar dy ditë, por edhe pse shumëçka ende ishte e paqartë, assesi nuk mund të ktheheshim te ajo temë. Me shpejtësi e hoqa lapsin e kafshuar nga goja dhe e lëshova në tavolinë. Çka më kishte gjetur? Lapsat kisha pushuar t'i kafshoja që nga shkolla e mesme. Ariana nuk mund të pushonte së buzëqeshuri derisa më shikonte. Nuk më thoshte asgjë, por në sytë e saj sikur lexohej pyetja: E, mos je gjë e dashuruar?!

U rrëqetha. Ishte e pabesueshme se çka mund të bënin disa sms të rëndomtë. Në tavolinën me instrumente gjendej tensimetri dhe përnjëherë më lindi dëshira që ta matja shtypjen e gjakut. Zemra më rrihte aq shpejt, sa që isha e sigurt se shtypja më kishte shkuar 300. Zemra filloi të më rrihte edhe më shpejt pasi që në derë u pa Samiri. Por, më vonë m'u bë sikur zemra mu ndal krejtësisht. Shikuar në përgjithësi, ai nuk dukej ndryshe sesa ditëve të tjera. Kishte veshur rrobat e punës dhe, si gjithmonë, mjekrën e mirëmbajtur, me të cilën bënin shaka të gjitha shoqet e mia.

Por, atë ditë e shikoja me sy të tjerë. Me gjasë edhe ai e vërejti këtë, sepse filloi që të më shikonte me sy të çuditshëm. Mbeta si e vdekur edhe pasi që mu afrua. Dëgjova sesi më tha diçka, por nuk e mora vesh asnjë fjalë, sikur të më kishte folur në një gjuhë të huaj. Nxehtësia në kokën time sa vinte e rritej. Në ato momente mendova se isha me fat që kisha flokë të gjata, meqë ndjeja sesi veshët më ishin bërë all. Duke më buzëqeshur sikur zakonisht, Samiri mi la letrat spitalore në tavolinë, duke më përshëndetur si zakonisht, me një të tundur të kokës. A e kishte kuptuar se e dija? Apo, mendonte se ende isha duke u hamendur. Çka ndiente derisa ishim kaq afër?

A kishte dëshirë të më merrte ngryk dhe të më puthte, sikur në ato dramat romantike? Apo dëshironte të përkulej para meje sikur fisnik dhe të ma hapte zemrën! Derisa unë lodhja kokën me mendimet e tij potenciale, ai tanimë kishte arritur te dera dhe ishte duke dalë. I tillë ishte Samiri, gjithmonë për ngutë. Por, kësaj here nuk duhej ta lija të largohej, vetëm ashtu. Ariana kishte dalë nga ordinanca dhe tani ishte momenti i duhur. - Samir - sikur u befasova nga zëri im, kur e dëgjova. - A ke ndonjë plan për sot pasdite? - e pyeta. Zëri im tingëlloi ashtu sikur edhe duhej në një rast të tillë: i relaksuar dhe nga pak joshës. Ai e lëshoi bravën nga dora dhe u kthye kah unë. - Jo, nuk kam. Në fakt, nuk kisha deri tani. Sytë i ishin zgjeruar, kurse këndet e gojës i ishin ngritur, duke krijuar një buzëqeshje të papritur. D.m.th. megjithatë paskam pasur të drejtë: ai ishte adhuruesi im misterioz!

Më doli përpara dhe filloi ta priste iniciativën time. - Më pas do të mund të shkonim në qytet, për të ngrënë diçka. Natyrisht, nëse do - i propozova me guxim. - Natyrisht. Në rregull. Bën! - tani ishte aq i hutuar, sa që dukej se nuk dinte aspak se çka ishte duke më thënë. Gjatë daljes nga ordinanca, mori në thua në një karrige dhe për pak u rrëzua. - Më fal! Shihemi, atëherë! Do të të pres para hyrjes - mezi më tha duke ecur te mbrapshtë. Pasi që ai doli, rraha duart me kënaqësi. Ja sa lehtë ishte: nuk kishte kaluar as një orë nga kur e kisha marrë vesh se kush ishte adhuruesi im misterioz, e tanimë kisha caktuar me të takimin e parë. Ndihesha krenare me veten time dhe me aftësitë e mia prej detektiveje. Ishte me të vërtetë interesante që Samiri dhe unë, pas tërë atyre viteve që punonim bashkë, për herë të parë shihnim njëri-tjetrin në rroba civile. Ai kishte veshur pantallona dhe një këmishë të lehtë. Dukej më i bukur se rëndom, meqë ishte edhe më i relaksuar. Bile, më pëlqente edhe mjekra e tij e vogël. Gjatë ditëve në vijim, atë e pashë me veshje mashkullore, duke buzëqeshur vazhdimisht. Në një moment ndjeva pakënaqësi për tërë këtë situatë, por si duket kjo nuk përputhej me pamjen time. (vijon).

(Kosova Sot Online)