Ngjarje e vërtetë: Adhuruesi i fshehtë që më dërgonte porosi dashurie (4)

  • E.K /
  • 29 September 2021 - 15:55
Ngjarje e vërtetë: Adhuruesi i fshehtë që më dërgonte porosi dashurie (4)

Samiri nuk vonoi e filloi me komplimente: - Dukesh për mrekulli, Valentina. Thuajse nuk të njoha pa uniformë. Shkuam ngadalë te një restorant i vogël, por praktik dhe porositëm ushqimin. Aty mora vesh se motra e Samirit në kohë të lirë merrej me bjeshkatari, që jetonte në një banesë me qira dhe se kishin kaluar vite qyshkur ajo ishte dashuruar për herë të fundit. - E, sa e vetmuar je ti? - i interesoi përnjëherë. Dukej se më nuk kishte as gjurmë nga turpi i tij, nëse një gjë e tillë kishte ekzistuar ndonjëherë. Tani, në fakt, më dukej se e kisha vlerësuar gabimisht. Samiri ishte shumë i këndshëm, një djalë shumë i sinqertë, por i turpshëm? Aspak! Ende nuk e kisha të qartë pse më kishte dërguar mesazhe fshehurazi, në vend që të ma thoshte në fytyrë atë që ndjente për mua?

Por, vendosa të prisja me këtë pyetje. Në vend të kësaj, i tregova shpejt e shpejt rreth asaj që mund të thuhej rreth lidhjes sime të fundit dhe në lidhje me tërë jetën time. Më shikonte seriozisht derisa flisja, e pasi që përfundova, lehtazi ma preku dorën. - Do të mund të të shikoja me orë të tëra - më tha me qetësi dhe më ledhatoi me shikimin e tij, i cili më bëri të rrëqethesha e tëra. Nuk mund të besoja se më kishte ndodhur një gjë e tillë. Samirin e njihja me vite dhe kurrë nuk e kisha shikuar me këta sy. Prej nga lindën përnjëherë të gjitha këto ndjenja? Ato flutura në barkun tim, ai shqetësim në kraharor? Nuk kishte kurrfarë dyshimi: përsëri kisha rënë në dashuri! Pasi që na u afruan kokat dhe na u bashkuan buzët, më dukej se isha duke fluturuar. Gjithçka rreth nesh u zhduk, ekzistonim vetëm unë dhe ai. - Gjithmonë më ke pëlqyer, por mendoja se nuk isha i denjë për ty - më pëshpëriti me zërin e tij të vrazhdët në vesh. Dmth, kjo qenka arsyeja pse nuk më ishte drejtuar drejtpërsëdrejti!

Pak më vonë, pasi që paguam dhe dolëm, në parking edhe një herë më puthi butësisht dhe u përshëndet me mua, me fjalët "shihemi nesër". Derisa shkoja në shtëpi, buzëqeshja nuk më largohej nga buzët. Sa e bukur është jeta, mendova me ngazëllim. Isha si e çmendur nga gëzimi. Me gjithë dëshirë do ta hapja xhamin e veturës dhe do të bërtisja që të më dëgjonin të gjithë: Jam e dashuruaaar! Të nesërmen në punë mezi prisja t'i tregoja Arianës se çka kishte ndodhur. Më duhet të pranoj që reagimi i saj më habiti, bile paksa edhe më dëshpëroi. Unë prisja që ajo të gëzohej dhe të dilnim për ta festuar. Por, në vend të kësaj, Ariana vetëm rrudhi hundën dhe supet. Sidomos kur i thash se për kë bëhej fjalë, u duk sikur nuk më besoi. - A je e sigurt që mu ai t'i ka dërguar ato mesazhe? A të tha vetë ai, apo ishe ti që erdhe deri te një përfundim i tillë? - më tha ajo, duke më shikuar me dyshim. - Jo, jo! Nuk më tha. Por, gjërat janë të qarta.

Ai është i vetmi në rrethin tim i cili do të mund të dashurohej në mua. E, tani nga veprimet e tij e kam të qartë pse nuk më ishte drejtuar vet, pa mesazhe. Ariana vazhdonte që të më shikonte e mërrolur. Pse ishte e tillë? A nuk më tha para disa ditësh që, nga thellësia e zemrës, më uronte që të dashurohesha sërish? E, tani sillet kështu, e rezervuar. Kisha menduar se ishim shoqe të mira. Pa marrë parasysh sa dëshpërues ishte reagimi i saj për mua, isha tepër e ngazëllyer që të mendoja më thellësisht rreth saj. E vetmja gjë për të cilën tani mund të mendoja, ishte Samiri. Nuk kisha kohë të merresha as me pyetjen tepër të çuditshme të Arianës, se a nuk ishte e papërshtatshme që një mjeke të kalonte me një infermier. Në fakt, unë e shikova me habi kur ma bëri këtë pyetje, por nuk iu përgjigja. Të gjithë mund të kishin ditë kur ndiheshin keq. Edhe Ariana, po ashtu. Në punë mbretëronte një tollovi e madhe, kështu që Samirin e takova vetëm shkurtimisht, në kalim e sipër. Por edhe ai moment mjaftoi që të më rrihte zemra si e marrë. 

Do të të thërras pasdite - më tha duke më buzëqeshur dhe u largua me një pacient në karrocë. Mezi prisja të vinte ajo pasdite që të kthehesha në shtëpi, e Samiri ta realizonte premtimin e tij. Saktësisht në shtatë të mbrëmjes, më cingëroi celulari. Nuk mu desh shumë kohë për të kuptuar se Samiri ishte dashuria e jetës sime. Pa kaluar mirë dy javë nga fillimi i lidhjes, tanimë ishim thuajse të pandashëm. Shyqyr që mi kishte dërguar ato mesazhe dhe shyqyr që unë kisha kuptuar se kush mi dërgonte, mendoja derisa kënaqeshim në momentet e përbashkëta. Por, thënë sinqerisht, ende nuk e kisha plotësisht të qartë pse kishte vepruar ashtu, por tanimë ishim mjaft të afërt, që të mund ta pyesja direkt. Pasi që ia bëra pyetjen, më shikoi me habi. - Nuk e di për çka e ke fjalën - ma bëri, duke tundur kokën. Tani isha unë ajo që e shikoja me habi. Si mendonte? A i kishte harruar tanimë tërë ato deklarata të ëmbla të dashurisë që mi kishte dërguar? - Ja, për këtë e kam fjalën - i thash duke ia treguar celularin me mesazhet që i kisha ruajtur. (vijon)

(Kosova Sot Online)