Ngjarje e vërtetë: Abortova, sepse më helmoi burri (5)

  • E.K /
  • 12 October 2021 - 15:50
Ngjarje e vërtetë: Abortova, sepse më helmoi burri (5)

Pas përgjigjes sime mbretëroi një heshtje absolute. Më pas u dëgjua një trokitje, e më pas brenda hyri një infermiere. - Doktor, kanë ardhur dy paciente. Që të dyja kanë termin. Vetëm tani u bëmë të vetëdijshëm se kishte kaluar më shumë kohë sesa që ishte parashikuar. - Ka ardhur koha që të shkoj - thashë dhe u ngrita. - Kolege, i thoni zonjës që është e para se tani do ta pranoj - tha Iliri, e më pas më përcolli deri te dera, por kur arritëm aty, ai e mbylli derën dhe sërish mbetëm vetëm ne të dy. Më ishte afruar tepër shumë, aq sa e shihja veten në sytë e tij. - Merita, si ndodhi që e humbe beben? - më pyeti duke më habitur, meqë kisha menduar se biseda jonë kishte përfunduar. - Në javën e gjashtëmbëdhjetë. I mora disa injeksione, por kisha mundim dhe vjellje. Dhe, më pas, një mëngjes, mu morën mendtë.

Bedriu më dërgoi te mjeku dhe - abortova - këto kujtime ende ishin të dhembshme për mua, prandaj mezi i thashë këto fjalë. - Te cili mjek ishe? - Te një gjinekolog privat, te një i njohur i Bedriut - u përgjigja, duke mos kuptuar pse ai interesohej për detaje të tilla. Ma kërkoi emrin e mjekut, e unë ia thashë. - E, tani me të vërtetë më duhet të shkoj - thashë dhe e kapa bravën e derës. Përsëri më ndali, duke ma kërkuar numrin e celularit. U hamenda, duke pasur frikë se Bedriu mund ta merrte vesh për Ilirin, po të më thërriste ky i fundit. Nuk doja ta dinte se kisha qenë te psikiatri, e aq më pak te cili psikiatër. - Merita, duhet të takohemi sërish. Ti e di se nuk mund të të lejoj që të vazhdosh kështu? - Si po mendon? - nuk kuptova se çka donte të më thoshte, por papritmas te ai pashë një fije shprese për veten time.

Deri atëherë Ariana ishte personi i vetëm, së cilës mund t'i rrëfehesha, por nuk mund të llogarisja në ndihmën e saj. Duke e shikuar, mu kujtua se Iliri tani ishte burrë i lirë. Më nuk është i martuar dhe dëshiron të më ndihmojë. Ky mendim bëri që të më rrihte zemra më shumë. Nuk e dija se si mund të më ndihmonte ai, por pa menduar edhe një herë, ia dhashë numrin tim. - Do të të thërras - tha ai. - Mos më thirr. Më mirë të të thërras unë - ia ktheva me të shpejtë. - Do të thërrasësh me siguri? - më shikoi me dyshim. - Po - i premtova dhe u largova. Ariana më priste në kafenenë e afërt. Ajo nuk e dinte të kaluarën e Ilirit dhe timen, prandaj as që i tregova.

Shkurtimisht ia tregova rrjedhën e bisedës, duke lënë pa i thënë atë më të rëndësishmen. Bedriu erdhi nga fshati i zemëruar, pasi që ishte grindur me të ëmën, e problemet në punë vetëm sa e preokuponin më shumë, kështu që mua nuk më vërente thuajse fare. Me të shpejtë u largua nga shtëpia, e duke u larguar, më tha: - Mos e përgatit darkën deri në tetë! Më herët nuk mund të vij. Derisa isha duke e përgatitur darkën, kujtimet më kthyen në të kaluarën. Iliri dhe unë ishim njoftuar në një ndejë ditëlindjeje. Asokohe punoja në një agjenci turistike, e ai ishte shoku i vëllait të koleges e cila e festonte ditëlindjen. Ishte ajo një dashuri në shikim të parë. Iliri studionte mjekësinë, ishte student i shkëlqyeshëm, por gjente edhe kohë të lirë për ne të dy. Që nga fillimi e dija se ishte flirtues i madh, por më kishte bindur se unë tash e tutje, isha e vetmja për të.

Femrat i vardiseshin haptazi, bile edhe në praninë time. Kishte filluar që të më pengonte fakti se ai përgjigjej verbalisht në flirtet e tyre. Disa shoqe më kishin thënë që të mos e lëshoja sysh, por unë i besoja. Derisa një ditë, në banesën e tij të vogël me qira gjeta një vath të vogël, të argjendtë. - I kujt është ky vath? - e pyeta, duke mbajtur vathin në dorën e shtrirë. Me kokë më tha se nuk e dinte, por menjëherë e largoi shikimin. Zemra më theri. Isha e sigurt se më kishte mashtruar. Disa ditë më herët kisha shkuar me nënën në Durrës. A thua ai ta kishte shfrytëzuar mungesën time të parë që të më mashtronte? (vijon).

(Kosova Sot Online)