Ngjarje e vërtetë: Abortova, sepse më helmoi burri (6)

  • E.K /
  • 13 October 2021 - 15:46
Ngjarje e vërtetë: Abortova, sepse më helmoi burri (6)

- Ma thuaj të vërtetën! Kush në banesën tënde e ka humbur këtë vath? Më ke tradhtuar, apo jo - po kërkoja përgjigje. Për befasinë time, Iliri nuk e kishte mohuar. - Më fal, kam gabuar. Nuk mundem të gënjej. Ka ndodhur njëherë. Kisha pirë së tepërmi dhe ajo për mua nuk kishte asnjë domethënie. - Nuk dua që të shoh më - lotët më kishin pushtuar fytyrën dhe kam marrë xhaketën dhe jam nisur në drejtim të daljes duke mbajtur ende në dorë vathin e tradhtisë. - Merita, më fal. Ajo vajzë më kishte rrethuar tash e disa ditë. E di se ky nuk është arsyetim, por të betohem se kjo kurrë nuk do të ndodhë më. Nuk dëshiroj të të humbas Merita. Vetëm tani se di se sa shumë ke vlerë për mua - u duk i sinqertë, por se unë nuk u përmbajta dhe i thashë: - Vetëm tani e ke kuptuar këtë? Kur më ke poshtëruar kështu.

Kurrë mos më thirr më - i thashë, e ashtu e zemëruar më pas e hodha vathin, i cili kishte përfunduar diku në shtratin e tij dhe dola përjashta nga banesa e tij. Më ka thirr me ditë të tëra, por se nuk jam lajmëruar në telefon. Nëna i thoshte se nuk jam dhe të mos më thërriste më. Pas dhjetë ditëve Iliri kishte hequr dorë. Isha e lënduar, por e bindur se kisha vepruar ashtu si duhet. Një njeri i tillë nuk është për mua. Do të më tradhtonte edhe më tutje, po mendoja me veten time dhe ashtu ngadalë ia dola ta harroj. Kam dëgjuar se pas disa viteve ishte martuar, por se kurrë më nuk u takuam. Pas një lidhje të shkurtër me Dean-in, i cili shkaku i punës u bart në Kanada, kisha njoftuar Bedriun.

Për dallim nga Iliri, Bedriu nuk ishte aq i shoqëruar e as nuk i pëlqente ndejat. Nuk dilte as me femrat tjera. Ishte me një dukje mesatare dhe shoqet e mia ishin habitur se çfarë të mire kisha vërejtur te ai, duke konsideruar se unë isha shumë më e bukur se ai. Por, fakti se nuk vraponte pas femrave të tjera ishte i mjaftueshëm të mendoj se ai ishte i duhuri për mua. Edhe për një kohë të gjatë po më digjte tradhtia e Ilirit. Edhe pse ishte i ri dhe se ishte shumë i sinqertë kur vajtonte se sa pishman ishte për tradhtinë, nuk po mund ta falja Bedriu ishte njeri serioz, i përkushtuar ndaj punës në të cilën e kishte angazhuar daja i tij. Pasi që kishte vajzën që e kishte të martuar në Slloveni, Bedriun më shumë e kishte konsideruar si djalë të vetin se sa nip. Daja autoritar kishte ndikuar shumë në Bedriun, i cili kurrë nuk e kishte njohur të atin.

Unë tashmë isha 28-vjeçe, pikërisht ia dola të fitoj një vend të mirë pune në hotel si recepsioniste, e prindërit e mi ishin të lumtur që siç thoshin ata, do të zbukurohem për një njeri serioz, i cili më dashuron. Dhe, kështu pas gjashtë muajsh në lidhje me të, ne u martuam. Por, kur ne filluam jetën e përbashkët e kam kuptuar se në fakt nuk e njihja fare. Ai merrej me tregti dhe fitonte shumë të holla, por kurrë nuk më kishte folur rreth punës së tij. Shenja e parë që më kishte treguar se diçka nuk ishte në rregull ishte vendimi për të mos pasur fëmijë. Për këtë para martesës as që kam menduar, sepse mendoja se do të kemi fëmijë. Bedriu ishte njeri i shëndetshëm, ishte dy vjet më i vjetër se unë, e pasi që ai ishte rritur pa baba, po mendoja se ai dëshironte të bëhet baba.

Por, kisha gabuar e tëra. - Në asnjë rast. Ti tashmë je pranë të tridhjetave, e unë gjatë gjithë ditës jam në zyrë. Vetëm do të më mungonte vaji i një foshnje në shtëpi, atëherë kur unë të vij i lodhur si qen. - Por, Bedri, unë dëshiroj fëmijë, nuk po mundem të besoj … - Të lutem ndalo, mos më nga. Unë i thashë fjalët e mia. Ke mjaft për t'u brengosur rreth bashkëshortit tënd. Kështu do të mund të largohesh prej meje dhe nuk do të kesh më kohë rreth gjërave që kam nevojë unë. Eja, më pëlqen mbulesa jote e re - më nxori nga banjo dhe më dërgoi në drejtim të shtratit dhe filloi të ma hiqte mbulesën. (vijon)

(Kosova Sot Online)