Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (7)

  • E.K /
  • 26 October 2021 - 15:52
Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (7)

Dy sekonda. Nuk kam qarë gjatë dy sekondave të kaluar. Prandaj, kjo ishte një fitore e vërtetë e vogël. Në kuti kishte një sasi absurde të zarfeve. Kishte edhe melodi të Gabby-t për kitarë. Ajo ishte një muzikante mahnitëse dhe gjithmonë ishte munduar që edhe mua të ma mësonte kitarën, por e tëra që kisha arritur ndonjëherë, ishte lëndimi i thonjve dhe humbja e kohës, derisa mund të punoja në romanin tim të papërfunduar. Menjëherë fillova që të ndihesha keq që nuk isha munduar më shumë që të mësoja t'i bija kitarës, meqë ajo, pa dyshim, do të gjente kohë dhe do të mundohej që ta përfundoja romanin, i cili tani, isha e sigurt, nuk do të mbaronte kurrë. Në një kënd të kutisë gjendej një unazë - unaza e premtimit të cilën ia kishte dhënë asaj Bentley.

E mbajta në dorë për disa momente, para se ta ktheja në kuti. Shpresoja që ai ishte mirë. Ai për mua ishte njeri i afërt, sikur vëlla, prandaj doja që ai të arrinte ta merrte veten dhe përsëri të ishte një djalë i dashur dhe gazmor. Pjesa tjetër në kuti ishin letra, shumë letra. Brenda gjendeshin të paktën 40 zarfe, ku secili ishte i vulosur me një zemër dhe me një mbishkrim. Zarfi në fillim mbante mbishkrimin "Më lexo mua të parin". Duke e vendosur kutinë në dyshek, e mora atë zarf dhe e hapa me kujdes.

"Motër e vogël", Automatikisht e mbylla gojën me dorë, meqë më vinte të qaja derisa shihja dorëshkrimin e saj, por në të njëjtën kohë më vinte edhe të qeshja për faktin se ajo më quante 'motër e vogël'. Ajo kishte ardhur në këtë botë vetëm 15 minuta para meje, por kurrë nuk kishte pushuar që të më quante 'motër e vogël', apo 'fëmijë'. Vazhdova me leximin, duke dashur që ta lexoja çdo letër që gjendej në atë kuti, duke dashur që ta ndieja përsëri lidhjen time me të. "Më lejo që në fillim të të them se të dua. Ti je dashuria ime e parë dhe dashuria ime më e mirë. Po, e di se këto letra mund të duken paksa morbide, por 'carpe diem', OK? Kërkova nga Bentley që t'i hapësh këto letra natën e funeralit, prandaj e di se me gjasë, ke pritur një a dy ditë". "Ose shtatë", pëshpërita dhe nuk munda që të mos buzëqeshja lehtazi, derisa lexoja rreshtin e radhës. "Ose shtatë.

Por, ndiej se kemi shumë gjëra të papërfunduara. Ka shumë gjëra që nuk kemi mundur t'i bëjmë. Më vjen keq që nuk do të jem aty kur do të diplomosh. Më vjen keq që nuk do të mund të dehemi bashkë, të bëhemi dru, kur t'i mbushësh të 21-tat. Më vjen keq që nuk do të jem aty kur do ta botosh librin e parë. Më vjen shumë, shumë keq, që nuk do të jem aty për të të përqafuar në rast se do të të thyhet zemra, apo për të qenë shoqëruesja jote ditën e dasmës. Por, unë kam nevojë që ti të bësh diçka për mua, Ash. Kam nevojë që ti të pushosh së fajësuari vetveten. Menjëherë! Dua që ti. në një moment të caktuar, të shkosh përpara. Jam unë ajo që ka vdekur, jo ti. A je e vetëdijshme për këtë? Prandaj, në faqen tjetër gjendet lista e gjërave që ti do t'i arrish gjatë jetës. E bëra unë këtë listë për ty, meqë e dija se ti nuk do ta bëje. Sa herë që do ta mbarosh një punë, kam një letër tjetër për ty, që ta hapësh - sikur të isha aty, afër teje. Pra, fillo dhe lexoje listën. Kurrë mos e hap një letër para se ta kesh mbaruar detyrën paraprake. Dhe, pash Zotin, laju, krihi flokët dhe vendos pak grim. Dukesh tmerrshëm. Sikur ndonjë fëmijë i dashurisë i Djallit dhe Zogut të Madh. Më vjen keq për lotët dhe më vjen keq që ndihesh kaq e humbur dhe e vetmuar. Por, më beso... Je duke shkuar mirë, fëmijë. -Gabrielle (vijon)

(Kosova Sot Online)