Ngjarje e vërtetë: Si u takova me dashnoren e burrit (2)

  • E.K /
  • 26 October 2021 - 15:55
Ngjarje e vërtetë: Si u takova me dashnoren e burrit (2)

E kisha kërkuar gjatë, e kur përfundimisht e gjeta, dukej se do të ishte më lehtë se më parë, meqë sipërmarrja e re gjendej mu në qendër të qytetit. Duke qenë se më nuk më duhej të bëja udhë të gjatë, e edhe trafiku urban ishte një variant shumë më i volitshëm sesa udhëtimi me veturë në tollovinë e mëngjesit, e vendosa "Toyota"-n time të vjetër në garazh dhe u lëshova në aventurën e quajtur - autobusi urban! Në fillim kjo mënyrë e udhëtimit m'u duk interesante. Shikoja tërë ato fytyra rreth meje, aq të ndryshme, e përsëri tepër të ngjashme me lodhjen e mëngjesit dhe mungesën e vullnetit.

Dëgjoja njerëzit e panjohur duke biseduar dhe habitesha se si ata bisedonin edhe rreth temave më intime, sikur të mos ishte askush duke i dëgjuar. E, rrëfimet ishin nga më të ndryshmet. Për dikë, tërë bota sillet rreth fëmijëve të vet, prandaj edhe bisedat e tyre silleshin rreth asaj teme. Kishte aty gjithçka, duke filluar nga lëvdatat, e deri te kritikat e rënda. Të tjerët ishin të preokupuar me punë dhe ata pandërprerë tregonin përjetimet e tyre në zyrë. Aty mund të dëgjoje gjithçka: nga problemet e kontabilistëve, e deri te shqetësimet e mësueseve të çerdheve. Por, më së shumti më fascinonin ata që jetonin vetëm për thashetheme.

Meqë për këtë grup njerëzish asgjë nuk është e shenjtë, ata hynin thellë në intimitetin e të tjerëve, duke mos i kursyer me këtë rast as më të afërmit e tyre. Ata bënin biseda të cilat assesi nuk do të duhej të bëheshin në autobus. Kështu, edhe pa dashje, isha dëshmitare e bisedës së dy grave, ku njëra s'linte gjë të keqe pa thënë për burrin e vet dhe për vjehrrën, ku këtë të fundit e quante "shtriga plakë", kurse burrin "qyqan", meqë nuk kishte guxim ta kundërshtonte të ëmën. Sikur kjo të mos mjaftonte, para autobusit plot njerëz, ajo shprehu me zë dyshimin se burri i saj mund të ishte "homoseksual i fshehur", meqë më shumë kohë kalon me një shok të tijin, sesa me të! Sikur që thash, në fillim bisedat e tilla të mëngjesit më dukeshin interesante. Por, vetëm në fillim. Shumë shpejt, udhëtimi me autobus për mua u shndërrua në një ankth, i cili ma vriste lukthin.

Ndonjëherë, derisa dëgjoja rrëfime të ndryshme, kisha përshtypjen sikur mendimet e të tjerëve, sikur ajër i ndotur, futeshin në mendjen time dhe nuk linin aty vend për asgjë të mirë. Vetë fakti se në autobus do të jem e detyruar që të dëgjoj gjëra të cilat nuk më interesonin aspak, më bënte të ndihesha e mjerë. Por, më pas zbulova kufjet. Qyshkur fillova të dëgjoja muzikë me kufje gjatë udhëtimit me autobus, të tjerët më dukeshin sikur peshq, të qetë e të pagojë, e unë me ritme të këndshme mund të thellohesha në mendime. Çfarë rehatie! Gjithçka dukej e përkryer deri atë mëngjes, kur harrova ta merrja me vete mp3 player-in tim… Atë mëngjes autobusi ishte i mbushur spicë. Në fillim kjo nuk më pengoi, meqë nuk e dija se e kisha harruar aparatin e muzikës. Por, pasi që e futa dorën në xhep, mu kujtua se e kisha ndërruar pallton, ku 'muzika' më kishte mbetur në pallton tjetër. Shikova përreth disi e hutuar. Isha mësuar aq shumë të ikja në botën time të brendshme, sa që tani më dukej vetja se isha lakuriq, para tërë atyre njerëzve. Me skaj të syrit vërejta një vend të lirë, afër dy vajzave. I njihja tanimë, meqë çdo mëngjes thuajse udhëtonin me mua. Të ulem, të paktën edhe pse, me dashje, apo pa dashje, do të më duhet t'i dëgjoj pallavrat e tyre. Kështu thashë me vete dhe u ula. Një zonjë, e cila si duket edhe vetë ia kishte vënë syrin asaj ulëseje, tani më shikonte me zemërim. (vijon)

(Kosova Sot Online)