Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (9)

  • E.K /
  • 28 October 2021 - 15:50
Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (9)

E vendosa çantën përsëri në shpinë dhe ofshava. I urreja çantat, por Gabby i adhuronte ato. Asaj i pëlqente gjithçka në lidhje me veshjen e bukur. Ajo kishte një stil të bukur, gjë që nuk mund të thuhet edhe për mua. Por, ajo më thoshte se isha e bukur. A e dini se cila ishte gjëja më e mirë rreth çantave? Në to mund të vendosja libra. Isha duke e lexuar Hamletin për herë të pestë gjatë tri javëve të fundit. Mbrëmë u ndala te pjesa ku Hamleti i shkruan Ophelias, duke i thënë që të vinte në dyshim çdo gjë që kishte parë, me përjashtim të dashurisë së tij. Por, vajza budallaqe, më pas, e vret veten. Ky është mallkimi i të qenit në një tragjedi Shakespeareane.

Derisa isha duke lexuar, me bisht të syrit pashë një njeri duke tërhequr valixhen e tij dhe duke dalë nga stacioni i trenit. Ai vazhdoi dhe e mbështeti valixhen për muri të ndërtesës. Nuk e di pse e quajta 'njeri', meqë më shumë mund ta quaja djalë, për shkak se nuk ishte tepër i moshuar. Apo, ishte tepër i rritur që të quhej djalë. Duhet të ketë një emër për këtë gjendje midis djalit dhe njeriut, a burrit. Djarr? Buli? Djaloburri? Quaje si të duash, por kjo krijesë më ra në sy menjëherë. E, si të mos më binte, kur ishte aq i bukur?

Flokët e kafenjta i kishte të gjata, bile tepër të gjata, ashtu mu duk në fillim, por kur i krehu ato me gishta, i qëndruan për mrekulli. Unë u skuqa nga emocionet. Për herë të parë e kisha parë derisa priste trenin për Uiskonsin, mu sikurse edhe unë. Kur hipëm në tren, ai ishte ulur dy rreshta prapa meje. kur kalova për të shkuar në banjë, pash sesi i mëshonte këmbës lehtazi me dorë, si dhe e lëvizte kokën në mënyrë ritmike. Mos ishte muzikant? Gabby gjithmonë preferonte djemtë e tillë. Ai me të vërtetë duhet të jetë muzikant. Ai më vërejti që e kisha vërejtur dhe, kur na u ndeshën shikimet, ma dhuroi një buzëqeshje të gjerë, gjë që më bëri të ndihesha tepër e vogël. Për këtë shkak, e largova shikimin dhe u largova edhe vet me të shpejtë.

Sytë e tij ishin tepër të kaltër dhe të mbushur me interesim. Për një çast m'u duk sikur sytë e tij të ishin portë për të kaluar në një botë tjetër. I bukur, marramendës, i shkëlqyeshëm, me sy të kaltër... Ofshava. Ndoshta sytë e tij me të vërtetë ishin vendkalim për një botë më të mirë. Të mos harroj t'ju them që, pa e pasur më të madhin zor, mos i shfrytëzoni banjat e trenave. Ato janë rëndom të ndyta dhe, kësaj here më rastisi që të shkelja edhe mbi çamçakëzin e dikujt. Kur u ktheva në ulësen time, zemra filloi të më rrihte si e marrë, meqë e dija se do të më duhej të kaloja përsëri kah zotëria me sy të bukur. Sytë i mbajta mbyllur derisa arrita në ulësen time. Mora frymë dhe, më pas, shikimi im automatikisht u kthye kah ai.

Çka? Ai as që mi kishte ndarë sytë. Më buzëqeshi përsëri, derisa unë nuk munda, meqë isha nervoze. Kjo ishte hera e fundit që e pashë atë. Deri më tani, natyrisht. Tani ai qëndronte jashtë stacionit të trenit, sikurse edhe unë. Dhe, për një moment, ia drejtova sytë. Kjo e bëri zemrën time që të rrihte si e marrë. Duke u munduar që të tregohesha cool, e ktheva kokën pas për ta parë atë. Fryma mu ndal. Ai më pa. Duke kaluar andej, fillova që të fishkëlleja, sikur të mos më interesonte kush. (vijon)

(Kosova Sot Online)