
Lexoni edhe:
E zbulon analisti: Kurti ka marrë pëlqim të heshtur për disa situata në veri
Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri
Në fakt, veprimet antinjerëzore që bëri Serbia hegjemoniste, me ç ‘regjistrimin e kundërligjshëm të adresave të shqiptarëve të pambrojtur në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, mjerisht kohëve të fundit, ka jo pak zëra me mendësi serbe edhe në Kosovë, që trumbetojnë publikisht ta bëjnë të njëjtën edhe ndaj mërgimtarëve shqiptarë nga Kosova, me punë e qëndrim të përkohshëm në vendet perëndimore. Ndaj unë uroj me gjithë zemër që këto zgjedhje të jenë të fundit për këtë legjislaturë dhe të sjellin edhe zgjidhjen e nevojshme. Përndryshe, përsëritja e tyre është vetëm zgjatim i problemit dhe konspiracion i dyshimtë agjenturor për kaos institucional e avari funksionale, që në rastin më të keq, mund të shndërrohen në shkak edhe për trazira sociale në shtetin e Kosovës.
E zbulon analisti: Kurti ka marrë pëlqim të heshtur për disa situata në veri
Lexoni edhe:
-Edhe lidhur me atë që thotë z. Kurti se Lëvizja Vetëvendosje ka arritur rezultat rekord prej 51.1 për qind dhe se partia e tij nuk ka pasur nevojë për një tjetër fitore, por “blloku opozitar ka nevojë edhe për një humbje”, më tepër është mesazh politik, drejtuar partive rivale, sesa që përkon faktikisht me realitetin e gjendjes aktuale në vend. Ndryshe, kryeministri në detyrë nuk do të kërkonte në fushatë një fitore me 60% të votave, me të cilën pretendon se mund ta zgjedhë edhe presidentin e shtetit, megjithëse kjo më tepër ngjason në dëshira utopike sesa që në terren, politikisht, është e realizueshme.
Në anën tjetër, kur kryeministri deklaron se Vetëvendosja "nuk ka pasur nevojë për një tjetër fitore”, sa u takon institucioneve qeverisëse në vend, ai e konsideron pushtetin tashmë të konsoliduar dhe jep një mesazh të qartë për partitë kundërshtare se opozita është e pafuqishme. Andaj ajo, me lojën misterioze të përsëritjes së zgjedhjeve, përveç pengimit të shtetit në ecjen përpara, dëshiron ta lodhë edhe popullin e Kosovës deri në ato përmasa zhgënjimi, sa që nëse opozita nuk fiton, askush nga qytetarët të mos dalë më në zgjedhje.
Edhe në komentin e bërë në Drenas nga kryeministri, teksa ishte ndalur për të pirë kafe gjatë rrugës për në Gjakovë, se regjistrimi i mërgatës për votim në zgjedhjet e 7 qershorit është rekord, si dhe pretendimi i opozitës se diaspora do të jetë përsëri faktori kyç për rezultatin zgjedhor të Vetëvendosjes, faktikisht nuk qëndron, sepse ndikimi real i mërgatës në zgjedhje nuk është edhe aq sa trumbetohet nga partitë opozitare, të cilat, duke dështuar të marrin vota të mjaftueshme nga qytetarët në vend, kërkojnë shkak për t’i arsyetuar humbjet në zgjedhje dhe më së lehti e kanë t’ia hedhin fajin mërgatës.
Sado i madh të jetë mobilizimi i mërgatës në zgjedhjet e 7 qershorit, Vetëvendosje mbështetjen më të madhe dhe shumicën dërrmuese të votave i merr përherë në Kosovë. Andaj, përkundër supozimit për regjistrim rekord të mërgatës për votim dhe sado shumë të jenë votat që vijnë nga jashtë Kosovës, në asnjë variant ato nuk do t’i mjaftonin asnjë partie në vend për fitore.
Madje, siç edhe dihet botërisht, numri i përgjithshëm i të regjistruarve për votim jashtë vendit, kësaj radhe ka arritur shifrën maksimale në vetëm pak më tepër se 100 mijë votues, votat e të cilëve, derisa të arrijnë procedurën përfundimtare të pranimit si votë valide, filtrohen, tjetërsohen, disave u jepet kahe tjetër, disa vidhen dhe një numër i konsiderueshëm shpallen edhe të pavlefshme për shkaqe nga më të ndryshmet, deri te teket personale të individëve e komisionarëve përgjegjës për votime.
Kështu që veprimi më i mirë në gjendjen aktuale për Kosovën do të ishte që partitë kryesore politike, në zgjedhjet e 7 qershorit, të dalin secila edhe me emrat e kandidatëve për president, në mënyrë që të shihet praktikisht se kush vërtet gëzon mbështetjen më të madhe të qytetarëve për këtë post të lartë shtetëror dhe pas zgjedhjeve, kandidati më i preferuar nga qytetarët, të votohej nga të gjitha partitë pjesëmarrëse në Kuvend për të parin e shtetit, me ç’rast do të binin edhe pretendimet e partive rivale për inskenime të reja politike.
Vetëm me këtë mënyrë veprimi, Kosova nuk do të kishte nevojë që vetëm pas 5-6 muajsh përsëri të shkonte në zgjedhje të parakohshme, pasi që tanimë u bë mjaft për të gjithë, e veçanërisht për qytetarët e Kosovës, për të cilët në asnjë mënyrë nuk janë më të pranueshme lojëra dhe inskenime të mëtejme partiake nga kasta e inkriminuar politike, që dëmtojnë pariparueshëm qëndrueshmërinë institucionale e stabilitetin politik në vend dhe rrezikojnë perspektivën e shtetit të Kosovës në integrimet euroatlantike dhe arenën ndërkombëtare, veprime konspirative që me vetëdije apo jo, plotësojnë vetëm dëshirat e Aleksandar Vučić dhe synimet e kamotshme të Serbisë fashiste.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".