Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (14)

  • E.K /
  • 02 November 2021 - 15:55
Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (14)

Kjo është e tëra që ka ajo". "Një çantë? Kaq? Zot, vetëm mund ta marr me mend jetën e saj në Çikago. Do të duhet t'ia marrim disa gjëra". Unë dëgjoja, por nuk reagoja ndaj fjalëve të tyre. Të huaj. Kjo është e tëra që njerëzit prapa kamionit ishin për mua. Prandaj, duke tentuar që të gjykojnë dhe të mundohen ta paramendojnë jetën që e kam bërë në të kaluarën me nënën dhe Gabby-n, ata vetëm sa bëheshin edhe më injorantë. Henry u kthye te unë, me çantën time në dorë dhe Rebecca ishte shumë afër tij. "Hajde, Ashlyn. Le të ta tregojë shtëpinë nga brenda". Duke hyrë në korridor, ngela e habitur nga portreti i madh, me kornizë, i familjes së tyre të bukur, që rrinte i varur në mur.

Aty ishte një vajzë zeshkane, e cila ishte sikur kopje e Rebecca-s, me sy të kaltër si të drenushës dhe me çdo gjë tjetër. Ajo dukej të ishte moshatare me mua, por shumë më e tendosur, duke u bazuar në veshjen e saj. Prapa Henry-t ishte djali, të cilin e pash duke shikuar nga dritarja. Ai kishte në fytyrë një buzëqeshje të bërë me zor dhe një shikim të çuditshëm konfuz, në sytë e tij. Henry vërejti se isha duke e analizuar fotografinë dhe pash sesi u përpi, u përgatit të thoshte diçka, por e la. "Ke një familje të dashur, Henry", thash sa për të thënë, duke hyrë në dhomë të ditës.

Vajza zeshkane nga fotografia qëndronte ulur në një karrige të madhe, duke e lexuar një libër. Ajo u ngrit nga karrigia, kur na dëgjoi duke hyrë dhe, sapo më pa, ma dërgoi një buzëqeshje të gjerë, të ngrohtë. "Tung. Ti duhet të jesh Ashlyn. Unë jam Hailey. Kemi dëgjuar aq shumë për ty". Ajo dukej e sinqertë në mikpritjen e saj, por unë e dija se nuk mund t'ia ktheja buzëqeshjen. "Njëmend? Do të doja ta thosha të njëjtën gjë". Ajo u bë sikur nuk e vërejti komentin tim të ashpër dhe vazhdoi me buzëqeshje. Rebecca më doli prapa dhe m'i vendosi duart në supe.

Me të vërtetë do të doja që të pushonte së më prekuri. "Hailey, a mund t'ia tregosh Ashlynit dhomën tënde të gjumit"? "Do të jemi bashkë në një dhomë?", pyeta, duke shpresuar që jo, meqë kisha nevojë të madhe për privatësi. "Po. Shpresoj që kjo të mos paraqes problem. Mos u shqetëso, nuk jam problematike", tha Hailey, duke e marrë valixhen time nga Henry. Unë i thashë se valixhen time mund ta çoja edhe vet, por ajo refuzoi. "Kjo është në rregull. Më beso. Me gjasë së shpejti do ta urrejmë njëra-tjetrën, prandaj nuk është e tepërt që të sillemi mirë tani për tani", tha ajo me shaka.

Dhoma e saj ishte ngjyrë rozë. Me të vërtetë rozë. Katër mure ngjyrë rozë, perdet rozë, mobiliet rozë. Ishte edhe një raft i librave me trofe dhe shirita të të gjitha llojeve. Ishte e qartë se Hailey dhe unë ishim rritur në stile krejt të ndryshme. A mund ta paramendoni? Një raft librash, pa as edhe një libër të vetëm. "T'i kam lëshuar dy raftet e sipërme të ormanit dhe anën e djathtë poshtë", tha Hailey, duke kërcyer në shtratin e saj, i cili ishte karshi atij timit. Edhe unë u ula, duke prekur me dorë atë që dukej një batanije e bërë në shtëpi. "Babai tha se ti je nga Çikago?", më pyeti. Më bëri përshtypje një gjë nga fjalët e saj. "Ti e quan Henryn baba?"

Ajo ma ktheu menjëherë. "Ti e quan babanë Henry?" Kjo ishte duke u bërë e tepërt. Doja ta pyesja rreth asaj se për sa kohë kishte jetuar me Henryn, sa kohë kishte që e quante baba, por megjithatë nuk doja t'i dija këto përgjigje. Pasi që e mora çantën time, e vendosa atë mbi shtrat dhe i kryqëzova këmbët. Pasi që e hapa çantën, ofshava me ta ndier aromën e parfumit të preferuar të Gabbyt. (vijon)

(Kosova Sot Online)