Ngjarje e vërtetë: Situata e vështirë materiale na shtyri në amoralitet (2)

  • E.K /
  • 04 nëntor 2021 - 15:51
Ngjarje e vërtetë: Situata e vështirë materiale na shtyri në amoralitet (2)

- Ajo dëshiron ta blejë atë- vazhdoi Demiri. Unë bëra me dije se kjo më habiti. - Atëherë ajo paska para me thes. Ajo është një shtëpi tepër e madhe! E, çka i duhet tërë ajo shtëpi? Ndoshta ka ndërmend që ta bëjë ndonjë motel. Apo, të merret me turizëm të fshatit. Ose... - këtu iu ndala përnjëherë. - Por, nuk kuptoj pse ty të mundon kjo? - Nuk është se më mundon, por ajo ma bëri një ofertë tepër të qartë - tha Demiri, duke më shikuar. - Çfarë oferte? - e pyeta me kujdes. Edhe pse raporti im me Demirin gjithmonë ishte bazuar në besimin e ndërsjellë, tani papritmas mu ndez llamba e alarmit. Çka i paska ofruar ajo kudër e pasur burrit tim? Dhe, çfarë oferte mund të ishte ajo, me të cilën e paska shqetësuar kaq shumë burrin tim? - Seksuale - tha ai, duke u skuqur i tëri. - Çka?! - edhe vetë u habita sa shumë bërtita. Zëri im përnjëherë më dukej sikur i dikujt tjetër.

 Filloi të flirtonte me mua. U nervozova dhe nuk dija si të reagoja - tha ai. Përsëri në dorë kishte marrë kutinë tonë të drunjtë, të cilën tani e lëmonte fort, vetëm që të mos ishte i detyruar të më shikonte në sy. U ngrita dhe iu afrova atij. - Mirë, shpirti im - i thashë duke i vënë duart në bel. - E tani më trego saktësisht se çka ka ndodhur! - i thashë me zë urdhërues. Demiri ofshau. - Më tha se do të pranonte të flinte me mua, nëse unë ia rregulloj veturën. Nuk mund t'iu besoja veshëve. - Këtë e ke shpikur vetë - thashë e shqetësuar, duke e lakuar kokën anash. Me të vërtetë nuk mund të besoja se një gjë e tillë kishte ndodhur. Në fakt, Demiri kurrë nuk kishte pasur imagjinatë të zhvilluar, por tani isha plotësisht e sigurt se ai ishte duke fantazuar.

 Të betohem se jam duke e thënë të vërtetën - deklaroi me një zë solemn, sikur të përbetohej para gjykatësit. - Tha se ajo është artiste dhe se unë jam një frymëzim i mirë për punën e saj. E më pas filloi duke më thënë se kam trup të bukur plot muskuj, etj.! - vazhdoi ai, ku në një moment mu duk sikur ishte duke u mburrur, meqë filloi t'i shtrëngonte muskujt e tij. E dëgjoja, e shikoja, por nuk mund të besoja. Situata ishte aq bizare, sa që nuk dija a të qeshja, apo të qaja. Demiri ishte me të vërtetë i bukur, kjo nuk donte diskutim. I gjatë, vital, biond, me ije të ngushta dhe me supe të gjera. Nuk e kisha problem ta paramendoja sesi një pasanike e llastuar të ketë dashur ta kishte në shtratin e saj. Por, ai ishte burri im! Njiheshim që nga shkolla e mesme dhe unë isha e dashura e tij e parë dhe e vetme.

Duke pasur parasysh druajtjen e Demirit kur bëhet fjalë për femra, me të vërtetë dyshoja se ai do të ishte në gjendje që të bënte diçka me dikë tjetër, pos me mua. Të paktën, kështu shpresoja. - E, kush nuk do të dashurohej në këta muskujt e tu?! - i thashë duke u munduar që tërë këtë mesele ta ktheja në shaka, por në gojë kisha një shije të hidhur. Për herë të parë, prej se e njihja burrin tim, ndjeva një frikë se mund ta humbja. Çka nëse ajo pasanikja me të vërtetë ia ka vënë syrin dhe ka vendosur të ma marrë? - Me gjasë këtë ua thotë të gjithë automekanikëve, duke shpresuar se, për këtë shkak, nuk do t'i kërkojnë shumë para për punën e tyre - thashë me një ton artificialisht të qetë, por në realitet nuk isha aspak e qetë.

E dija se ajo që sapo kisha thënë nuk kishte aspak kuptim. Nëse ajo grua me të vërtetë ishte e pasur, atëherë nuk do ta kishte problem që ta paguante rregullimin e veturës. Por, Demiri menjëherë u pajtua me versionin tim. - Me siguri ke të drejtë. Të premten, kur të vijë përsëri, me gjasë do t'i gjuhet Kreshnikut. (vijon)

(Kosova Sot Online)