Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (36)

  • E.K /
  • 27 November 2021 - 16:55
Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (36)

Isha duke u përpjekur që të pajtohesha me faktin e papritur se Ryanit i pëlqenin djemtë. Përpos nëse Tony, në fakt të ishte Toni - gjë që do të mund të ishte shkurtesë për emrat e femrave, si: Antonia, Catriona, Antonina, Antonietta... "Oh, po. Ai më pëlqente shumë. Por, më pas, ai hajvan u desh që ta prishte këtë, duke thënë se më donte. Dua të them, a mund ta besosh këtë? Më donte. Sa dramatik mund të jetë një njeri dhe sa mund ta teprojë ai? Në moshën 17-vjeçare epshi, në të tetëmbëdhjetat miq të seksit, por dashuria? Dashuria nuk paraqitet në jetën e ndokujt para se t'i mbushë të 42- at, kur fillon të shtosh në peshë dhe të ankohesh rreth gjeneratave të reja. Nëse atëherë gjeni dikë që mund t'ju durojë me tërë mërzinë që e shkaktoni dhe me pordhët që nuk i ndalni, atëherë po, mund të thoni se ajo është dashuri e vërtetë".

Ai pauzoi. Më pas thirri me zë të lartë: "Rwanda"! Rwanda u duk e tmerrshme pse e kishte zhgënjyer. Supet e Ryanit u ulën dhe ai hodhi një shami letre, të bërë duq, në drejtim të punëtorit të mjerë prapa numëruesit. "Oh, përpos kësaj, kam fjetur edhe me Tony-n dhe, kushedi pse, Tony reagoi shumë çuditshëm në lidhje me këtë". Prit - pra ekzistuakan dy Tony? Ishte vështirë ta përcillje mendimin e Ryanit. Hailey bëri me kokë në drejtim të të vëllait, por nuk mendoj se ajo të ishte sadopak e tronditur. "Më mirë mbaje atë të shkretin në pantallona, Ryan". Ai e vuri dorën në gjoks dhe, duke i rrudhur sytë, tha: "Pse për dreq do ta bëja një gjë të tillë, kur të tjerët janë aq të sjellshëm dhe më bëjnë oferta? Përpos kësaj, ideja e koleksionimit të rrjeteve të merimangës nuk është edhe aq e kënaqshme". Kjo deklaratë më bëri të qeshja. Më pëlqente mënyra sesi Ryan ishte aq i ndytë, në mënyrën më të qëlluar të mundshme. Fytyra e Hailey-t mori ngjyrë të kuqe dhe ajo më qortoi. "Çka ke që po qeshesh? Nuk ma merr mendja që ajo e jotja është më aktive sesa kjo e imja".

E hapa gojën që të kundërshtoja, por e mbylla të shkretën menjëherë, meqë ajo, dorën në zemër, nuk e kishte gabim. Ryan foli me zë të lartë. "Hails, nuk thuhet 'ajo e jotja'. Quhet vagjinë. Ky është vendi ku ca djemve u pëlqen që ta vejnë penisin e tyre, gjë që unë nuk mund ta kuptoj, por nejse. Ne nuk jemi dymbëdhjetë më". Ajo u skuq edhe më shumë. "E di këtë …" "Dëshmoje. Loja penis-vagjinë, që ndodh mu tani", tha ai, duke e sfiduar atë, duke i mëshuar tabelës me grusht, derisa ajo i rrotulloi sytë. Nuk e dija pse, por ma mori mendja që ky ishte një ndërveprim norman midis binjakësh, prandaj fillova të bëja sehir. Hailey u shty nga vëllai i saj dhe ajo pranoi edhe pse, me gjasë, do të humbte.

Ryan më shpjegoi se loja penis-vagjina ishte luajtur shpeshherë nga çifti, në rrethana të ndryshme. Loja filloi me pëshpërima, Ryan duke thënë penis, derisa Hailey duke pëshpëritur vagjina - dhe vazhdoi, derisa ndonjëri prej tyre ta thoshte atë fjalë me zë të lartë, me bërtitje, apo të tregohej qyqe dhe të tërhiqej. "Penis", pëshpëriti Ryan, me sytë e kaftë të fiksuar te motra. "Vagjina", u përgjigj Hailey me zë të ëmbël, duke dëshmuar se edhe ajo mund ta thoshte këtë fjalë. "Penis", tha ai, me një zë më të lartë. E shikova trupin e Hailey-t duke u rrudhur, derisa ajo shikonte gjithandej në dhomë, duke dashur të dinte se sa njerëz ishin aty. "Vagjina", tha ajo, me një zë paksa më të lartë sesa herën e parë. Kjo vazhdoi derisa i erdhi radha bërtitjes. "Penis, penis, penis!", tha Ryan, duke u ngritur në këmbë dhe duke bërtitur, me një qëndrim prej fituesi, meqë hija që i ra fytyrës së Haileyt tregonte se ajo nuk do të ishte në gjendje që ta sfidonte atë. "Ryan!" thirri Daniel me një shikim të ashpër. Ryan ia shkeli syrin. Ai u ul në karrigen e vet, i kënaqur me vëmendjen që kishte marrë. Edhe unë u ula, nervoze që Daniel ishte duke na shikuar. "Je një zuzar i vërtetë, Ryan", tha Hailey, duke i bërë duart kryq. (vijion)

(Kosova Sot Online)