Ngjarje e vërtetë: I tregova se isha duke e mashtruar (2)

  • A.P /
  • 05 December 2021 - 09:44
Ngjarje e vërtetë: I tregova se isha duke e mashtruar (2)

Shëtisnim buzë detit dhe u ndalëm që t'i shikonim pikturat, të cilat i kishte ekspozuar Dreni. Nuk e njihnim e as që e kishim parë ndonjëherë më parë. Fati e deshi që mu këtë verë ai të vinte që t'i shiste pikturat e tij në qytetin në të cilin ishim duke i kaluar pushimet verore. Derisa atë mbrëmje Samiri dhe unë ishim duke i shikuar pikturat e tij, në vete ndjeva shikimin e tij depërtues. Papritmas kërkoi nga unë që të ulesha, meqë donte të më vizatonte. - Nuk do t'ju kërkoj shumë para, uluni - më tha duke buzëqeshur dhe duke ma ofruar karrigen. Samir më thoshte që të pranoja, prandaj edhe pranova. Vërejta se ai ia nguli sytë fytyrës sime, por këtë e shpjegova si të domosdoshme, në mënyrë që portreti të ishte sa më i mirë. Mendoja se ishte duke më studiuar, se ishte duke analizuar mënyrën sesi të më vizatonte më së miri. Më shikonte në sy aq gjatë, sikur të donte të depërtonte në shpirtin tim. Vërejta edhe se, nga ai shikim, zemra ime kishte filluar që të rrihte më shpejt. Këtë gjë nuk e kisha përjetuar më parë dhe pyetesha pse më shikonte ashtu. Dhe, çka ishte duke ndodhur me mua. Samiri, i cili qëndronte afër meje, për fat nuk e vërejti eksitimin tim. E unë, në ndërkohë, kurrë nuk do ta harroj mënyrën me të cilën, pas pak, më përshëndeti Dreni.

- Shpresoj se do të shihemi sërish - tha, derisa e mbante dorën time disa sekonda, në dorën e vet. Një e rrëqethur ma përshkoi tërë trupin. Diçka ndodhi midis nesh, këtë e hetuam që të dy. Ishte kjo ajo joshja fatale, për të cilën thonë se ndodh vetëm një herë në jetë. Atëherë nuk e dija se, mu pasionet më të mëdha, shpesh kanë një përfundim të keq. Të njëjtën mbrëmje, derisa Samiri ishte në kompjuter, shëtisja me nervozizëm nëpër dhomë, meqë ndihesha sikur miu i zënë në kurth. Isha nervoze dhe doja të dilja jashtë. E bëra një gjë të tillë me arsyetimin se duhej ta ushqeja qenin. Edhe pse tanimë ishte bërë natë, dola në shëtitje. Sikur të më udhëzonte ndonjë fuqi e pashpjegueshme, e fortë, ecja në drejtim të vendit ku më kishte pikturuar Dreni. Ai ende ishte aty. Pasi që më pa, buzëqeshi dhe menjëherë u nis në drejtim tim. - Shpresoja se do të vije - më tha me një zë të ngrohtë, sikur të njiheshim me vite të tëra. - Doja të shëtisja pak - thashë nga hutia. Ai buzëqeshi dhe, sikur të ishte duke më pritur vetëm edhe mua, i mori të gjitha pikturat dhe i futi në veturë. - Tani mund të shkojmë kudo që të duash - më tha. Filluam që të bisedonim sikur dy miq të vjetër dhe vazhduam shëtitjen buzë detit. Më fliste për veten e tij dhe, pas dhjetë minutash, kisha përshtypjen sikur e njihja me vite të tëra. Edhe pse kishte një jetë të bujshme dhe kaotike, pashë se më joshte pa masë. E dija se me të më priste një aventurë e rrezikshme, por nuk doja që të mendoja për pasojat. Kurrë më parë nuk e kisha ndier një nevojë aq të fortë, irracionale, për ndonjë mashkull. Më ftoi që ta vazhdonim bisedën në një kafene, aty afër, e unë e pranova ftesën me dëshirë.

U ulëm në një tavolinë në një qosh. Ai filloi të m'i ledhatonte flokët, derisa këmbën e tij e mbështeti te këmba ime. I thashë sesi më duhej të kthehesha në shtëpi, meqë më priste Samiri, por nuk u ngrita, e as nuk dola nga ajo kafene. Dreni kuptoi se çka doja, prandaj i mbështeti buzët e tij mbi buzët e mia me një pasion aq të madh, sa që mu morën mendtë. Arsyeja më thoshte që të largohesha. E dija se duhej të ikja, përndryshe do të çmendesha pas tij. Këtë edhe e bëra. (vijon)

(Kosova Sot Online)