Ngjarje e vërtetë: I tregova se isha duke e mashtruar (3)

  • E.K /
  • 06 December 2021 - 15:45
Ngjarje e vërtetë: I tregova se isha duke e mashtruar (3)

Thjesht vrapova nga kafeneja, e kur hyra në shtëpi, u mbështeta me shpinë në derën kryesore dhe fillova të mendoja. Në njërën anë më vinte turp, meqë ajo që kisha bërë nuk ishte as mirë, e as e ndershme karshi Samirit. Ai ende ishte para kompjuterit. Por, në anën tjetër, kurrë më parë nuk kisha ndier një lumturi të tillë, epsh, magji. Mblodha fuqitë dhe hyra në dhomë te Samiri. - Ku ishe? - më pyeti, duke mos e ngritur kokën nga ekrani. - Shëtita pak, poshtë-lart. Është një natë aq e bukur - i thashë. Isha e lumtur që nuk më shikonte në sy, meqë nuk do të kisha fuqi që t'ia ktheja shikimin.

Tanimë më brente ndërgjegjja dhe, sikur të më kishte shikuar në sy, me gjasë do të kuptonte se nuk ishte në pyetje vetëm një shëtitje e thjeshtë. Por, dëshira për Drenin ishte më e fortë sesa ndjenja e fajit dhe, nga atëherë edhe disa herë tjera gjeta ndonjë arsyetim për të dalë vetëm nga shtëpia. E kisha humbur mendjen pas tij. Ai më bënte që të ndihesha sikur një femër e parezistueshme, më e bukura në botë, nga ato që janë fatale për meshkujt. Bënim dashuri gjatë dhe me pasion, e në këtë aspekt nuk zgjidhnim as vendin, e as kohën. Më së shpeshti e bënim në dhomën e tij, por dinim ta bënim atë edhe në plazh dhe në parkun e afërt. Për mua, gjatë asaj kohe sikur të mos kishte ekzistuar askush përpos tij.

Samiri as që më binte ndër mend, bile. Për të filloja të mendoja vetëm kur arrija në shtëpi, me ç'rast me të vërtetë ndihesha e turpëruar. Dreni më thoshte sesi jeta e tij, para se të më takonte mua, nuk kishte pasur kuptim dhe sesi kurrë nuk do të më lëshonte të ikja nga ai. Ai kërkonte nga unë që të shkurorëzohesha, që ta lija burrin dhe që përgjithmonë të rrija me të. Nuk mund ta pranoja një gjë të tillë. Diku në thellësi të shpirtit, isha e vetëdijshme se kjo nuk do të zgjaste shumë, e pasi që të mbaronte kjo magji, do të ishim të pikëlluar që të tre ne. Samiri menjëherë hetoi sesi isha larguar nga ai, se si gjatë tërë ditës rrija e kredhur në mendime dhe se si në mbrëmje shpesh dilja nga shtëpia. Më pyeti se çka kishte ndodhur. Në vend që të bëja sikur që bëjnë zakonisht mashtrueset, duke mos e pranuar kurrë mashtrimin, unë e bëra të kundërtën.

E bëra gjënë më të marrë në jetën time, i tregova se isha duke e mashtruar. Ai mbeti pa fjalë, meqë nga unë do të mund t'i kishte pritur të gjitha, por jo edhe tradhtinë. Ishte aq i tronditur, sa që nuk dinte çka të më thoshte, si të sillej. Fjalët e mia e prekën shumë, gjë që as që u mundua ta fshihte. E uli kokën dhe nuk tha gjë. Kisha përshtypjen se ai ishte duke pritur se si tërë ajo që kisha thënë, nuk ishte e vërtetë, se midis neve të dyve nuk mund të hynte kush. Më dhembte mënyra sesi më shikonte, me aq shumë vuajtje për të cilën fajin e kisha unë, por nuk mund ta rreja.

Isha naive dhe besoja se më keq do të ishte sikur të shtiresha sikur edhe më tej e doja atë dhe vetëm atë, kur një gjë e tillë nuk ishte e vërtetë. Nga ai moment, kur u ballafaqova me rrezikun që ta humbja burrin përgjithmonë, aventura me Drenin më dukej sikur diçka që nuk duhej ta bëja. Dreni ishte sikur një dritë e papritur, e cila më kishte verbëruar, por nuk doja që për shkak të tij ta vija në pikëpyetje martesën time. Pse e kisha bërë një gjë të tillë? A kishte rënë edhe martesa ime në monotoni, gjë që tanimë iu kishte ndodhur të gjitha shoqeve të mia? Kurrë më nuk do ta "freskoj" në atë mënyrë jetën time bashkëshortore, i thosha vetes duke e qortuar. Atëherë me lot në sy iu drejtova Samirit, duke i thënë se si Drenin nuk do ta takoja kurrë më, se as që do ta shikoja. Shpresoja që dashuria ime do të ishte më e fortë. Se do të mund të më falte. - Nuk doja të të lëndoja, por kjo ishte më e fortë sesa unë. Bëra një marrëzi, u solla si adoleshente, por ti je dashuria ime e vetme e vërtetë. A do të mund të më falësh? - e lusja. (vijon)

(Kosova Sot Online)