Ngjarje e vërtetë: I tregova se isha duke e mashtruar (4)

  • E.K /
  • 07 December 2021 - 15:50
Ngjarje e vërtetë: I tregova se isha duke e mashtruar (4)

Dolëm për kafe dhe i tregova në detaje çka kisha bërë. Por, asaj dhe vetes ia pranova se Samiri ishte mashkulli i vetëm që e dua dhe të cilin do ta dua me tërë zemër tërë jetën. - Pse nuk e thërret? Ti i ke fajet, prandaj është rendi që edhe tani ta ndërmarrësh hapin e parë, ta kërkosh. - Nuk mund ta bëj këtë. Kam frikë se do të më thotë se si nuk dëshiron të më shohë kurrë më - thashë kokulur. - Ti e di se sa shumë të do ai dhe jam e sigurt se do të kuptojë dhe do të ta falë gabimin. Pak nga pak çdo gjë do të kalojë në harresë dhe gjërat do të kthehen sikur që ishin dikur - më ngushëllonte Vlora. - Si të kthehet besimi i ndërsjellë? Si kam mundur t'ia bëja një gjë të tillë! Sikur të mund ta ktheja kohën prapa... - thashë, me të vërtetë e penduar.

Sikur të ishte e mundur që të kthehej koha prapa, atëherë të gjithë ne do të korrigjonim shumëçka. Por, një gjë e tillë është e pamundur, por ajo që është e mundur, është që ta kërkosh Samirin. Duhet të provosh edhe një herë - vazhdonte ajo me të sajën. Në fund të bisedës sonë, ndihesha më mirë. Vlora ia doli që të më bindte se ende nuk kishte marrë fund çdo gjë, si dhe që gjërat nuk ishin aq të zeza, sikur që më dukeshin mua. Propozoi që nesër mbrëma të shkoja te ajo për darkë dhe që atje, në qetësi, ta vazhdonim bisedën.

Me gjithë qejf, por nëse vjen Samiri, e nuk më gjen në shtëpi, atëherë do të mendojë se jam me Drenin - nuk guxoja që ta pranoja ftesën e saj. - Nëse deri më tani nuk ka ardhur, nuk do të vijë as nesër. Shihemi nesër për darkë - tha ajo, e unë pohova me kokë. Fatkeqësisht, as darka te Vlora nuk arriti që të ma hiqte depresionin. Me qëllim që të ma hiqte mërzinë, ajo kishte ftuar disa miq, e unë që prisja një bisedë vetëm me të, në katër sy, u ndjeva paksa në siklet. Menjëherë pasi hëngrëm u ngrita dhe thash se si nuk ndihesha aq mirë dhe se dua të kthehem në shtëpi. Duke dalë, asaj i thashë se, megjithatë, doja të isha në shtëpi, nëse do të vinte Samiri. Lëre më që ai nuk erdhi, por ai as që më thirri.

Telefoni vazhdonte që të ishte i heshtur, e mu ajo heshtje për mua ishte e padurueshme. Ajo nxirrte në pah ndjenjat në lidhje me fillimin e raportit tonë, më të fuqishme dhe më të dhembshme se ndonjëherë më parë. Sidomos këtyre ditëve me mall i kujtoja momentet e para të lidhjes sonë, kur çdo gjë ishte idilike. Qëndroja shtrirë në shtrat, me shikimin e fiksuar në tavan, duke menduar rreth takimit të parë, rreth kohës kur kishte filluar gjithçka. Derisa studioja, banoja me Kaltrinën, një vajzë me vetëbesim të lartë. Edhe pse nuk isha si ajo, ne ishim të afërta me njëra-tjetrën dhe nuk mbanim asnjë sekret nga njëratjetra. I tregova sesi Samiri më pëlqente, por se nuk dija si t'i afrohesha. Nuk dija si ta bëja atë që të interesohej për mua, e Kaltrina më premtoi se do të më ndihmonte. Rrinim midis dy ligjëratave në kafenenë tonë të preferuar, kur ai hyri. - Ja ku e ke rastin - më tha shoqja, e pasi që pa se dridhesha e tëra, më pyeti: - Nga çka ke frikë? - Ti e ke lehtë, por nuk janë të gjithë sikur ti. Mua më shkakton problem të madh fakti që jam e turpshme - thash. (vijon)

(Kosova Sot Online)