Ngjarje e vërtetë: Doja të ndahesha nga i fejuari, për shkak të sëmundjes (3)

  • E.K /
  • 11 December 2021 - 16:58
Ngjarje e vërtetë: Doja të ndahesha nga i fejuari, për shkak të sëmundjes (3)

Pasi që e mora veten paksa nga stresi, pas lutjes sime, mjeku me durim, por edhe me sinqeritet, më tregoi se për çka bëhej fjalë. Nuk kishte arsye për optimizëm, këtë e kuptova menjëherë. Pjesët e sëmura, ku shkatërroheshin mbështjellësit nervorë, ishin formuar në vende të ndryshme në tru, në palcën kurrizore, në sistemin nervor autonom, etj. Sëmundja zhvillohet me hove. Ajo mund të qetësohet dhe fshihet për vite të tëra, e më pas të vijë deri te goditjet e reja dhe përkeqësimet. Kush mund të më siguronte se do të kisha periudha të gjata të qetësimit të sëmundjes? Dhe, çfarë ishte ai fat, kur në çdo rast mund të vinte deri te ndonjë përkeqësim i ri? Më pas erdhi edhe një goditje tjetër. - Më duhet t'ua them një gjë.

Pa marrë parasysh rrjedhën e sëmundjes, bile edhe nëse ajo tërhiqet, duhet ta dini një gjë: shtatzënësia nuk preferohet. Ajo mund ta përkeqësojë sëmundjen - më tha ai. Kur e dëgjova diagnozën, tanimë e shihja veten në karrocë invalidore, kështu që nuk mendoja për asgjë tjetër. Vetëm pasi që dola nga ordinanca fjalët e mjekut më tronditën edhe më shumë. Edhe nëse do të arrija ta fusja sëmundjen nën kontroll, kurrë nuk do të jem nënë. Si mund të të ndryshohet jeta për një sekondë.

Gjithmonë kisha menduar sesi kisha ende shumë kohë përpara vetes, shumë gjëra që i kisha planifikuar, i kisha lënë për të ardhmen: gjetjen e burrit adekuat, posedimin e banesës, formimin e familjes, lindjen e fëmijëve. E tani, ardhmëria më nuk ekzistonte. Mbetej vetëm e tashmja nga e cila, po të kem fat, do t'ia dal që ta nxjerr maksimumin, meqë kushedi se çka do të më sjellë e nesërmja. Çka mund të prisja nga një jetë e këtillë? Në fillim askujt në familje nuk i tregova se ma kishin zbuluar sëmundjen e sklerozës multiple. As Dritoni. Nuk doja t'i ngarkoja derisa vetë, sado-kudo, të stabilizohesha.

Gjatë netëve përpëlitesha në shtrat, nuk mund të flija, mendoja shumë për Dritonin dhe për veten time, për lidhjen tonë të mundshme. Tani ajo lidhje nuk kishte kurrfarë perspektive. Çka i duhej atij një grua në karrocë invalidore? Arrita deri te përfundimi se më së miri ishte që unë të largohesha nga ai, ta dobësoja lidhjen tonë dhe që, pa marrë parasysh sa e dhembshme që do të ishte një gjë e tillë, të mos takoheshim më. Ndihesha e mjerë, e vetmuar, më duhej një mbështetje dhe, përfundimisht iu tregova atyre të shtëpisë se çka kisha.

Edhe ashtu, të gjithë ata kishin vërejtur se me mua nuk ishte diçka në rregull. Dritonit ende nuk i kisha treguar asgjë, vetëm që, gjithnjë e më shpesh evitoja takimet tona, duke shpikur lloj-lloj arsyetimesh. Nuk e doja mëshirën e tij, nuk doja që ai të sakrifikohej për mua, doja që të ndaheshim paqësisht. Ai do ta gjente një tjetër, e unë edhe ashtu meshkujt dhe familjen më duhej t'i harroja. Atëherë ndihma më erdhi nga personi që e prisja më së paku. E prita Arianën në aeroport.

Ajo vinte nga Frankfurti me shumë valixhe, prandaj kisha dalë ta prisja. Ajo kishte ardhur me rastin e ditëlindjes së gjashtëdhjetë të të atit, e pas festës së ditëlindjes së babait, ajo kishte ndërmend që të shkonte në Dubrovnik, ku do t'i bashkëngjitej i dashuri i saj. Edhe pse nuk ishim kushedi çfarë shoqesh, shpesh i gjendeshim njëra-tjetrës, duke u ndihmuar. Fundja, sa më të moshuara që bëheshim, lidhja jonë bëhej më e fortë gjatë 2-3 viteve të fundit ishim parë shumë rrallë, meqë Ariana përfundimisht ishte në një lidhje serioze dhe, me të dashurin e saj kishte shkuar në Gjermani, ku ai punonte në përfaqësinë e një kompanie tonë. E pash sapo e kaloi kontrollin doganor. Ma bënte me dorë, ishte e gëzuar. (vijon)

(Kosova Sot Online)