Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (73)

  • E.K /
  • 17 January 2022 - 15:51
Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (73)

Hymë në zyrën e tij dhe ai e mbylli derën prapa meje. Para se të mund të ulesha, ndjeva një goditje të fortë me grusht në sy. "Dreq, Henry! Çka po bën kështu?!" "Ti bastard i dreqit! E ke shfrytëzuar vajzën time!" Ai më goditi sërish, kësaj here në bark. Unë ulërita nga dhembja dhe u palosa në dysh. "Ajo është vajza ime!" Pasoi edhe një grusht në bark. "Më thirri ish- gruaja ime, për t'u përkujdesur që çdo gjë ishte në rregull. Që Ashlyn ishte mirë, por ajo ishte tepër e shqetësuar". Deshi që të më godiste përsëri, por kësaj here ia bllokova goditjen. "Ajo ishte tepër e shqetësuar rreth asaj se Ashlynit i duhej të ndahej nga i dashuri. Dhe, unë e pyeta veten, çfarë i dashuri. Ashlyn nuk ka kurrfarë të dashuri të dreqit". "Henry, më lër që të ta shpjegoj"! Ai nuk më la.

"E, më pas Kim përmend emrin e tij. Ajo ma thotë emrin e bendit të tij. Qëlloja cili është ai emër"! U hap dera e zyrës derisa unë isha i rrëzuar dhe pash fytyrën e Ashlynit. Goja e saj mbeti e hapur, duke e mbyllur derën prapa vetes. Sytë ia nguli të atit dhe, më pas, pasi u ngrita, më shikonte edhe mua. "Henry, më shiko", tha ajo, duke i ngritur duart në ajër. "Ashlyn, ai të përdori ty!" bërtiti Henry, duke qitur me duar në ajër. Fshiva pak gjak, që më kishte dalë nga goja. "Jo, ai nuk më ka shfrytëzuar". "Ti je konfuze. Ke përjetuar kaq shumë gjëra", tha Henry, duke bërë përsëri me dorë. "Baba, më shiko", pëshpëriti ajo, duke ia marrë duart e tij në duart e veta.

"Ai më ka shpëtuar. Nëse më ke dashur ndonjëherë, atëherë më lër që të ta shpjegoj. Më dëgjo dhe mos e fut Danielin në telashe". Ai qëndronte pa lëvizur, duke menduar për atë që i tha e bija. Më pas u kthye kah unë. "Kurrë nuk dua të të shoh më". "Henry", ia nisa unë. Ashlyn më ndërpreu. "Po shkoj! Shkova! Mbaroi çdo gjë". Këto fjalë më bënë përshtypje dhe, duke fërkuar vetullën me dorë, u pajtova me Ashlynin. "Çdo gjë ka mbaruar". KAPITULLI 42 Nuk ka gjëra të tilla, si shanset e dyta, Vetëm shanset e para që nuk marrin fund kurrë. "Romeo's Quest" Ajo kishte shkuar. Nuk dija çka të mendoja, nuk dija çka të ndjeja. Randy ishte me mua në kuzhinë, duke pirë një birrë. Nuk dinte çka të thoshte, që të më bënte të ndihesha më mirë. "Më vjen keq, man". Ai e uli kokën dhe e luhati atë. "Po. Edhe mua"! U hap dera e prapme e shtëpisë dhe Jace hyri brenda. Sytë e tij ishin të kuq nga lotët dhe ai e futi dorën në xhepin e pantallonave të tij. Pashë se kishte të nxirë njërin sy, si dhe buzën të çarë. Dukej shumë ngjashëm me atë që pash ditën kur kishte vdekur nëna.

"Kërkova nga Red që të më linte të dilja". I dridhej trupi nga nervozizmi, derisa qeshte, duke rrudhur supet. "Ata kurrë nuk do të më tregonin se kush e vrau nënën, apo jo"? E ula shikimin dhe fillova t'i studioja duart e mia, të cilat i kisha vendosur mbi tavolinë. "Jo, nuk do të të tregonin", i thashë, gjë që u pasua nga ofshama e tij. Dola jashtë dhe e mora një leckë, të cilën e mbusha me akull dhe ia qita në sy. Ai u rrudh kur i preku akulli me fytyrën, por nuk tha asgjë. Nuk doja ta qortoja më. Nuk do t'i thosha asgjë të keqe. Thjesht, e doja vëllain tim që të më kthehej. Kisha parë shumë njerëz duke humbur vëllezërit dhe motrat e veta dhe isha lodhur së luftuari. (vijon)

(Kosova Sot Online)