Ngjarje e vërtetë: Më pëlqen vjehrri im (1)

  • E.K /
  • 28 February 2022 - 15:50
Ngjarje e vërtetë: Më pëlqen vjehrri im (1)

Ende nuk mund të besoj se çka është duke më ndodhur. Ah, sa të mirë dhe të bukur e kisha jetën! Sa e lumtur isha, e nuk ia dita kimetin! Sikur të më thoshte dikush... Më parë do të vdisja, sesa të besoja se mua do të më ndodhte një gjë e tillë. Nuk e di nga t'ia filloj. Me gjasë, nga fillimi. Kam lindur në kryeqytet 28 vjet më parë. Prindërit e mi kishin një kompani të vogël, e cila merrej me kontabilitet, prandaj mund të them se, vëllait dhe mua, nuk na mungonte gjë. Në fakt, ishim shtresa e mesme e shoqërisë, as të pasur, e as të varfër. Si e vogël shkoja në balet dhe i bija pianos, por nuk e kisha ndier nevojën që të merresha me këto aktivitete, edhe pas shkollës së mesme.

Më interesonte biznesi, prandaj kisha vendosur që ta regjistroja Fakultetin Ekonomik, drejtimin e menaxhimit dhe, nuk kisha gabuar. Si njëra prej studenteve më të mira, të gjitha provimet i dhashë në afat dhe mora ca kohë për ta përgatitur punimin e diplomës. Një vit më vonë diplomova, duke siguruar kështu ekzistencën për të ardhmen. Gjatë tërë kohës së studimeve argëtohesha me meshkuj të cilët më pëlqenin. Kurrë nuk kisha qenë vajzë e turpshme, kështu që marrëdhëniet intime për mua ishin gjë normale midis njerëzve që pëlqeheshin. Por, kjo nuk dmth se kam pasur shumë jaranë.

Vetëm dy. I pari, Meta, ishte dashuria ime që nga shkolla e mesme. Ishim ndarë që në fillim të studimeve. Nuk ishim grindur, thjesht secili kishte shkuar rrugës së vet. Ai më kishte ngelur në mendje si një kujtim i mirë, meqë, përkundër të gjithave, ai ishte i dashuri im i parë. I dyti, Tomori, ishte për mua dashuri në shikim të parë. Kurrë nuk do ta harroj mbrëmjen kur u pamë. Kisha dalë me shoqet në mbrëmje dhe menjëherë më ra në sy. Me disa shokë të tij, ai vallëzonte me ritmin e muzikës kubane, sikur tërë bota të ishte e tija. Thjesht, nuk mund t'ia ndaja sytë. E, ai, sikur ta kishte hetuar këtë, u kthye dhe ma dha një buzëqeshje, buzëqeshjen më të bukur që kisha parë ndonjëherë. Sytë e tij të zi e të mëdhenj rrezatonin me njëfarë shqetësimi, i cili ma trazoi shpirtin aty për aty. Më kaploi një ndjenjë e çuditshme, e këndshme.

Qysh atë mbrëmje u puthëm me pasion derisa ai më përcillte për në shtëpi. Lidhja jonë zgjati dy vjet, ku gjatë asaj kohe përjetova pasionin më të fuqishëm në jetën time. Duheshim me pasion, por edhe grindeshim me pasion. Pas disa ndarjeve dhe pajtimeve, pamë se nuk ishim për njëri-tjetrin. U ndamë pasi na u qetësuan epshet. Pa grindje dhe miqësisht. Vitin e fundit të studimeve e kalova në vetmi, duke dalë vetëm me shoqet, duke mësuar dhe duke u përgatitur për ndonjë punë. Kisha disa flirte, por asgjë serioze. Askush nuk ma kishte tërhequr vëmendjen aq shumë, prandaj nuk doja që të lëshohesha në lidhje sipërfaqësore. Mendoja se ende isha e re dhe se, me kalimin e kohës, çdo gjë do të vinte në vendin e vet.

Pas diplomimit me sukses të shkëlqyeshëm, m'u ofrua mundësia që t'i vazhdoja studimet postdiplomike në Londër, për një vit. As që dija që im at kishte shfrytëzuar disa lidhje të tij të vjetra, për të ma siguruar një bursë, prandaj për anën financiare nuk kisha pse të brengosesha. - Ti je nxënëse e shkëlqyeshme dhe e meriton këtë, Sanije - më thoshte ai, derisa unë sikur bëja naze. Në fakt, vetëm kisha frikë nga e panjohura. E dija se studimet jashtë vendit do të ishin një plus i madh në karrierën time. (vijon)

(Kosova Sot Online)