Ngjarje e vërtetë: Shumë rrezikova por edhe fitova (2)

  • E.K /
  • 08 April 2022 - 15:51
Ngjarje e vërtetë: Shumë rrezikova por edhe fitova (2)

Jo vetëm që ishim moshatare - asokohe kishim nga 18 vjet - por kishim edhe shumëçka të përbashkët. Bile edhe mbiemrin e kishim njëjtë, prandaj baba i saj, Veliu, kishte mundur të na merrte në pushim vjetor, të paguar nga sindikata, sikur të ishim familje e njëjtë. Përndryshe, Diellza, pas shkuarjes së Festimit në ushtri, më ishte ngjitur sikur fëmija për nënën e vet. ajo e donte atë marrëzisht, kështu që ideja e kalimit të pushimeve vjetore bashkë kishte lindur në kokën e saj.

Asokohe nuk dija a më donin me të vërtetë prindërit e saj, apo me atë gjest vetëm donin që t'iu vardiseshin prindërve të mi, meqë të bijën tanimë e paramendonin si nuse të Festimit. Sido që të ishte, pasi që nuk mora leje për t'i kaluar pushimet vetëm, në fund u bë sipas asaj "jep çka të japësh" dhe unë isha e gëzuar që, megjithatë, shkoja në det, qoftë edhe me ta. Mezi prisja që të arrinim dhe të shkoja në plazh… Diellza dhe unë u vendosëm në një dhomë me dy shtretër me ballkon të madh, i cili më pëlqente veçanërisht. Një lule mimozë e madhe na bënte hije, duke na ofruar freskinë aq të nevojshme. Në atë çast, në dhomën tonë hyri tezja Hana.

 Vajza, kam një propozim. Mendoj se do të ishte mirë sikur t'i ndërronim dhomat - tha papritmas. - Uf, nënë... E, çka i mungon dhomës tuaj? - e pyeti Diellza, duke e shikuar e trishtuar. - Dhoma jonë nuk ka ballkon. Ju të dyja edhe ashtu do të dilni në qytet, e neve do të na mjaftojë që, në mbrëmje, të rrimë në ballkon. Çka mendon ti, Diana? - mu drejtua mua. Nuk kisha si ta kundërshtoja, meqë më kishin marrë me zemërgjerësi me vete, e edhe isha shumë më e re se ajo. Fundja, mua më përshtatej që ata të rrinin në ballkon, e gjëja për të cilën më së paku kisha nevojë, ishte që ata të rrinin me ne në ballkon. Për këtë shkak, përkundër pakënaqësisë së Diellzës, m'u desh që të pranoja. Dy ditët e para kaluan si mos më mirë: rrezitje, larje në det dhe daljet në mbrëmje në një diskotekë të madhe, ku qëndronim deri në orët e para të mëngjesit.

Natyrisht, kjo vlente edhe për Diellzën, por ajo nuk bënte asnjë koment kur takonim ndonjë djalë të bukur. E dija se ajo frikësohej se unë do t'i flisja vëllait Festim. Por, kur ditën e tretë u zgjuam me zjarrmi dhe me dhembje të tmerrshme të fytit, gjëja e parë që mu kujtua, ishin fjalët e nënës dhe gjyshes, para se të nisesha në det. - Bijë, dëgjoje gjyshen, ti ke një fyt të ndjeshëm, e uji i detit është shërues. Kur të mundesh, herë pas here, pi ngapak ujë të detit, shpëlaje fytin dhe gojën me atë ujë. - Pashë Zotin, pse i thua kështu? - nëna gjithmonë kundërshtonte metodat e pakonfirmuara të mjekimit, të cilat gjyshja se ku i gjente, por i kishte të shumta, ama. - Qyteti unë gjendet mbi ujë - shtoi ajo - këtu klima është e lagësht, e atje e thatë dhe këto ndryshime të mëdha nuk janë të mira për bajamet e saj. Diana, të lutem që të mos eksperimentosh me ujë të njelmët - përfundoi nëna. Natyrisht, edhe sikur të mos më fliste nëna, nuk do ta bëja atë që më thoshte gjyshja. Do të vdisja nga turpi sikur ndonjë djalë i bukur të më shihte duke e shpëlarë gojën me ujë deti. Por, duket se isha relaksuar së tepërmi. Thuajse nuk dilja nga uji, haja akullore në sasi enorme derisa etjen e shuaja me pije të gazuara, plot akull. Ndoshta do të duhej ta kisha dëgjuar gjyshen, mendoja, derisa prekja fytin që më dhembte. Nuk kisha çare pa shkuar te mjeku. (vijon)

(Kosova Sot Online)