Roman dashurie: Batica e dashurisë (14)

  • E.K /
  • 20 April 2022 - 15:56
Roman dashurie: Batica e dashurisë (14)

Kaloi mesnata. Catherine Clinton gjithmonë në atë ditë të veçantë të jetës së saj ndiente një dhembje të padurueshme në zemër, e gjatë disa viteve të kaluara kishte mësuar se sa i tmerrshëm dhe i paparashikueshëm mund të ishte fati. Kishte mbetur pa prindër në një moshë shumë të vogël, por falë kujdesit nga ana e gjyshit, nga fëmijëria kishte shumë kujtime të mira. Gjyshi ishte i rreptë, por ai e donte shumë dhe e kishte mësuar atë që të ballafaqohet me të gjitha fatkeqësitë e jetës. Por, edhe një humbje tjetër e kishte vënë në sprovë besimin e Catherines në një të ardhme të bukur.

Nga gjyshi kishte trashëguar edhe një lokal bregdetar në Mejn, ku kishte shumë të njohur dhe disa miq të mirë. Por, nuk e kishte atë që kishte më së shumti rëndësi në jetën e saj - beben e saj. Fajtor për këtë ajo e konsideronte Roman Bates-in, i cili ishte edhe dashuria e saj e madhe. Deri para disa vitesh, Catherine kënaqej në jetë, e për dallim nga ajo, Roman ishte shumë parimor. Vendimet gjithmonë i merrte vetëm pasi që mendonte mirë e mirë. Ndoshta për këtë edhe i pëlqente shumë. I pëlqente që në përditshmërinë e tij të planifikuar, të fuste kaos. Përpos kësaj, e magjepste butësia e tij.

Njiheshin gjatë tërë jetës, kishin vijuar të njëjtin gjimnaz, ai ishte ylli i ekipit të futbollit, derisa ajo ylli i çdo ndeje. Para se të dashurohej në Romanin, kishte pasur disa afera të pasherr. Por, një puthje me të ia kishte përcaktuar fatin. Edhe pse Romani kishte vazhduar studimet, e Catherine jo, lidhja e tyre kishte mbijetuar. Çdo moment të lirë e kalonin së bashku. Ajo ishte e bindur se i dinte të gjitha sekretet e tij, por nuk e dinte atë më të madhin, të cilin ai e ruante me xhelozi.

Katër vjet më parë Catherine kishte ngelur shtatzënë dhe kjo gjë e kishte gëzuar pa masë. Aspak nuk dyshonte se edhe Romani do të gëzohej pasi që ajo t'ia jepte këtë lajm të mirë, meqë disa muaj më parë ai kishte mbaruar fakultetin dhe ishte punësuar. Ai i kishte thënë shumë herë se e donte më së shumti në botë dhe, përkundër asaj se kurrë nuk kishin biseduar rreth martesës, Catherine nuk kishte dyshim se, një ditë, ata do të lidhnin kurorë. Por, përkundër pritjeve të saj, Romani mbeti i tronditur nga lajmi për shtatzënësinë. Ai nuk donte me asnjë kusht që të bëhej baba. Me atë rast ai ia tregoi asaj një sekret familjar, i cili atij dhe vëllait të tij binjak ua kishte thyer zemrat. Patrick mbeti aq i tronditur nga lajmi, sa që me vite të tëra nuk kishte këmbyer me prindërit as edhe një fjalë të vetme.

Për kushedi çfarë arsyeje, prindërit e tyre kishin braktisur tre djem më të mëdhenj, duke marrë me vete vetëm binjakët, pasi që ishin shpërngulur nga Çikago në Mejn. Ata e mësuan këtë sekret të tmerrshëm vetëm pasi që arritën moshën e pjekurisë. Nëse i ati i tij kishte qenë në gjendje që t'i braktiste tre djem, atëherë si mundej Romani të bëhej baba i mirë? Ai thoshte se nuk kishte gjasa që i biri i familjes Bates të bëhej i lumtur. Catherine përpiqej që ta bindte se ai do të ishte një baba i mrekullueshëm, meqë me të vërtetë e besonte një gjë të tillë. fundja, ai ishte një avokat që mbronte të drejtat e fëmijëve. Por, Roman i tha se, përpos mbështetjes materiale, nuk donte ta kishte asnjë rol në jetën e fëmijës së tyre, duke i thënë se, një ditë, ajo do t'i ishte falënderuese për këtë. Catherine ishte tepër krenare që të insistonte më shumë, duke besuar se do të mundej vet ta rriste fëmijën, prandaj ndihmën materiale, që ia ofroi ai, e refuzoi ashpër. Fëmija i saj do ta mbante mbiemrin Clinton. Roman ia theu zemrën dhe ajo kuptoi se do t'i duhej të jetonte pa të. (vijon)

(Kosova Sot Online)