Ngjarje e vërtetë: Si ta fal atë (1)

  • E.K /
  • 30 April 2022 - 15:45
Ngjarje e vërtetë: Si ta fal atë (1)

Pikërisht kam fotokopjuar disa dokumente, kur kam ndjerë dorën e dikujt në krah. Jam kthyer dhe kam parë shefen time. - Valdetja, a mund të vish për pak në zyrën time - më pyeti. Duke pyetur me veten, e kam shikuar orën. - Vetëm sa të përfundoj me fotokopjim, sepse Ilirit i duhen dokumentet për një takim në ora njëmbëdhjetë. Ajo bëri me kokë. - Jo, më duhesh menjëherë. Do të thërras dikë që ta bëjë pjesën tjetër të punës së kopjes. E kam vërejtur se bëhej fjalë për një takim të rëndësishëm, se unë jam sekretarja e tij dhe se kjo ishte puna ime, e jo e "dikujt tjetër", por diçka në fytyrën e saj më ka shtyrë t'i bashkohem. Ishte shumë serioze, pothuajse e pikëlluar.

Më kapi frika se, ndoshta kanë ndërmend të më pushojnë nga puna dhe kam kafshuar buzën dhe ula kokën. Kohëve të fundit me të vërtetë nuk kam bërë diçka për ta merituar humbjen e vendit të punës, por për kundër, po mbytesha nga puna. Pa bërë zë kam shkuar me shefen, duke menduar rreth kredisë që unë dhe bashkëshorti im e kemi marrë së bashku, për ta riparuar shtëpinë. Ajo u ndal para derës së zyrës së saj dhe me lëvizjen e dorës më ka ftuar që të futem brenda. Porsa jam futur brenda, isha hutuar duke shikuar të dy prindërit ulur aty, përballë tavolinës së punës. Nëna ime po qante, ndërsa babai po ia rrihte krahun në shenjë mbështetje. Menjëherë e kisha të qartë se diçka e tmerrshme kishte ndodhur dhe në mënyrë instinktive më shkoi mendja te burri im, i cili atë ditë kishte mbetur në shtëpi për t'i bërë disa punë në kulm së bashku me babin tim.

Mendimi im i parë ishte se kishte rënë nga kulmi. Në atë moment babai ngriti kokën dhe më shikoi. - Valdetja… - më tha me zërin e thyer. Nëna ime u ngrit në këmbë, duke vajtuar me zë. - Oh, bija ime - po murmuriste duke hapur duart në drejtim timin. - A mos i ka ndodhur diçka Albanit - e pyeta. Nënës time duart i rrëshqitën, të pafuqishme. M'u ofrua babai dhe më përqafoi. - Eja Valdetja. Ulu. Por, unë nuk lëviza. - Dua të di çfarë i ka ndodhur Albani. - Nuk bëhet fjalë për të - m'u përgjigj babai, por për Leu. Luani ishte djali im 18 muajsh, engjëlli im… - Nuk po kuptoj, çfarë po flet - pyeta me zë të lart, që ishte kaq i ashpër, saqë as veshtë e mi nuk e njohën. Sytë e babait tim u mbushën me lot. - Luani… nuk është më.

 Do të thuash se ka humbur - e pyeta duke e lutur që të më tregonte domethënien e fjalëve. Atë ditë, Albani kishte dashur që fëmija të rrinte me të, në vend se të shkonte në kopsht. Unë e kam paralajmëruar se nuk mund të punojë dhe të kujdesej për djalin, duke e ditur sesa i gjallë ishte ai, por më kishte thënë se babai im do t'i ndihmonte ta ruante. - Mendoje vetëm sa i lumtur do të jetë me babin dhe gjyshin. Ato fjalë ma kthyen buzëqeshjen dhe më bindën ta lë me ta. Dhe tani më djali nuk ishte. Babai im uli kokën. - Ka ndodhur një fatkeqësi dhe, nuk ka mbijetuar. Mbeta pa frymë. Ky ishte një ankth, po ëndërroja, kjo nuk mund të ishte e vërtetë.

Jo, nuk kam besuar në këtë kur babai më përqafoi duke qarë, përsëri fillova të merrja frymë. Na u ofrua nëna dhe na përqafoi që të dyve. - Ku është - pyeta. Babai hoqi syzet për t'i fshirë. - Në spital. Albani është atje me prindërit. Po shkojmë së bashku. Dhjetë minuta, aq kishim nevojë për të shkuar te spitali, më dukeshin sa një jetë. Babai im nuk ia doli ta parkonte veturën, e unë fluturova thuajse prej saj. Duke mos pritur as at as nënën, shpejtova drejt hyrjes. (vijon)

(Kosova Sot Online)