Roman dashurie: Në shikim të dytë (24)

  • E.K /
  • 10 June 2022 - 15:49
Roman dashurie: Në shikim të dytë (24)

Mendoj se do të mund ta punësoja gruan e Samit - tha papritmas. - Me të vërtetë? - Jayda u habit me këtë. - Sikur që mund të shohësh, unë di si të mos jam egoist dhe t'iu ndihmoj të tjerëve. - Do të duhej ta dije se gruaja e Samit është nënë e katër fëmijëve dhe se, herë pas here, do të ishte e detyruar që të mungonte në punë. - Mirë prej teje që ma tërhoqe vërejtjen për këtë detaj. - Shpresoj që ai nuk do të ndikojë që ta ndryshosh mendimin? - Jo, jo - ia ktheu dhe përsëri iu përkushtua leximit të dokumentit. - Këtë gjest po e bëj më shumë për ty, sesa për Samin, gruan, apo fëmijët e tij - shtoi derisa përqendrohej në atë që ishte duke lexuar.

Jayda nuk dinte si ta interpretonte atë që kishte dëgjuar, por nëpër kokë i kaloi mendimi mos edhe ajo kishte ndonjë fuqi ndaj Marcusit. Se nuk ishte thjesht vetëm ajo që i kryente urdhrat, por edhe ajo që ishte në gjendje të ndikonte te ngjarjet. I mësuar me të gjitha llojet e luksit dhe me të gjitha format e rehative jetësore, Marcus fjeti gati gjatë tërë fluturimit deri në Dubai. Atij nuk i bënte aspak përshtypje brendësia e avionit ultramodern, në pronësi të aviokompanisë së emirateve, ulëset me ekrane, personeli tepër i sjellshëm, të cilët çdo udhëtar e bënin që të ndihej sikur të ishte person me rëndësi të veçantë, e as specialitetet e veçanta, që shërbeheshin.

Për dallim prej tij, Jayda ishte mahnitur nga tërë kjo, shijonte çdo moment, duke menduar se tërë këto nuk do t'i shijonte sikur të kishte mbetur në Viçita, apo sikur të mos kishte pranuar të bëhej dashnorja e Marcusit. Me të tanimë kishte udhëtuar jashtë shtetit dhe kishte vizituar disa destinacione turistike, por asnjëherë nuk kishte qenë në ndonjë vend të ngjashëm me Dubain. Këtë e kuptoi ende pa aterruar, nga filmi promovues turistik, të cilin e shikoi bashkë me udhëtarët e tjerë. Nga momenti kur dolën nga avioni, e derisa hynë në apartamentin hotelier, Jayda nuk pushoi së habituri nga atraksionet e Dubait, qytetit i cili konsiderohet qendër afariste dhe tregtare, si dhe port kalimtar midis Lindjes së afërt dhe të largët. Edhe vetë pozita e qytetit ishte interesante, meqë ishte formuar midis shkretëtirës, e më pas ishte zhvilluar dhe lulisur me lloj-lloj bimësh. Jayda kënaqej gjatë vozitjeve në bulevardet e gjera, të cilat gjendeshin rrokaqiejt tepër modernë, në njërën anë dhe stili arab në anën tjetër. Çdo gjë reflektonte bollëk dhe pasuri. Njerëzit vozisnin vetura të shtrenjta dhe ishin të veshur me rroba luksoze.

Qendrat e pasura tregtare i bënë përshtypje të veçantë. Pastaj, restorantet, artaritë, si dhe plazhi me rërë, i gjatë me kilometra të tërë, përgjatë të cilit ishin ndërtuar shumë hotele luksoze. Mbeti e mahnitur pasi që Marcus kërkoi nga shoferi që t'i çonte deri te vendi ku shihej më së miri Burj Al Arab, hoteli më prestigjioz në botë, i ndërtuar në formë të velave, i cili, në bazë të luksit, ishte mbi të gjitha standardet. Hiç më pak nuk i pëlqeu as hoteli Jumeira Beach, në të cilin ajo dhe Marcus dhe ajo kishin apartament të rezervuar. Pasi hyri në hotel, e veçanërisht në apartament, nuk mund t'i besohej se gjendej në një vend aq magjik. (vijon)

(Kosova Sot Online)