Ngjarje e vërtetë: Shtrenjtë e pagova dashurinë time rinore (1)

  • E.K /
  • 15 June 2022 - 15:51
Ngjarje e vërtetë: Shtrenjtë e pagova dashurinë time rinore (1)

Kur një vit më parë përfundova shkollën e mesme, kisha plot plane për të ardhmen. Dëshira ime e madhe ishte që të regjistrohesha në Fakultetin Ekonomik. Edhe pse aspak nuk dyshoja në aftësitë e mia, e dija se kjo do të ishte një goditje shtesë për familjen time, meqë nuk qëndronim edhe aq mirë në aspektin financiar. Këtë vit edhe vëllai im duhej t'ia fillonte shkollës së mesme, gjë që nënkuptonte shpenzime shtesë, që më shqetësonte edhe më shumë. Burimi i vetëm i të ardhurave në familjen tonë modeste ishte rroga e punëtorit e babait tim, nga e cila, pasi që paguanim tërë faturat e mundshme dhe blinim ushqimin më elementar, nuk mbeste asgjë.

Por, nuk thonë kot se telashet kurrë nuk vijnë vetëm. Kur i mbusha 14 vjet, nëna papritmas u sëmur nga një diagnozë aspak e lehtë. Edhe sot e kësaj dite mendoj se vetëm dashuria dhe fuqia e vullnetit të saj bënë mrekullinë, kështu që, pas disa vjetësh të mjekimit intensiv, megjithatë ia doli që të shërohej. Edhe pse ende vazhdonte me kontrollet mjekësore dhe konsumonte sasi të madhe të barnave, ne ishim të lumtur që ajo ishte gjallë. Me gjithë zemër doja që ta vazhdonim shkollimin, por, në anën tjetër, nuk doja që prindërit t'i ngarkoja edhe më shumë. Pasi që, përfundimisht, iu thashë se do të doja të studioja, përkundër situatës së vështirë, që të dy më mbështetën me gjithë zemër.

Mos u shqetëso, vajzë. Do t'ia dalim disi. Je nxënëse e mrekullueshme dhe do të ishte dëm që të heqësh dorë nga ëndrrat tua. Edhe pse nuk do ta kemi të lehtë, do të gjendemi. Nëna dhe unë duam që vajza jonë një ditë të bëhet zonja e vetvetes - tha babai. - Pajtohem. Diana është një vajzë e mençur dhe do të ishte dëm i madh që të mos shkojë kah një jetë më e mirë - tha me zë të ulët. - Ju falënderoj me gjithë zemër, meqë e di se sa sakrifikoheni për mua. Ju premtoj se nuk do t'ju zhgënjej - iu thashë, duke i puthur. Megjithatë, dëshirat e mia ishin një gjë, kurse realiteti diçka krejt tjetër. Disa ditë pas bisedës tonë, babai vdiq në një aksident trafiku. Sipas raportit policor, atë e kishte zënë gjumi duke vozitur dhe kishte dalë nga rruga. Shoku, mërzia dhe mosbesimi më kishin munduar me ditë të tëra. Pjesërisht ndihesha fajtore, meqë babai punonte rëndë, me të vetmin qëllim që unë të mund të studioja. Ëndrrat e mia u shembën si kullë kartash. Humba mbështetjen kryesore në jetë dhe nuk dija si të veproja tutje. E dija vetëm që më duhej urgjentisht ta gjeja një vend pune. Studimet më nuk vinin në shprehje. E dija, nëse nuk do të punësohesha, familja ime së shpejti do të gjendej në borxhe deri në fyt.

Qysh të nesërmen dola që të kërkoja punë. Vizitova disa qendra tregtare, por aty më thanë se, për momentin, nuk kishin nevojë për punëtorë. Nuk e humba shpresën. Vendosa që të vizitoja disa kafene, ndoshta do të mund të punoja si kameriere. Edhe kjo do të mjaftonte sa për fillim. Në kafenenë e parë që hyra, për fat të keq, po ashtu më thanë se nuk kanë nevojë për punëtorë. Kamerierja më tregoi se ai ishte një lokal familjar, kështu që punonin vetëm anëtarët e familjes. - Me të vërtetë më vjen keq që nuk ju ndihmova. Por, këtu afër ka edhe disa kafene tjera. Ndoshta ta provoni fatin? - më tha duke më përcjellë. U ndjeva keq, meqë e dija se po të më jepej rasti që të punoja me këtë grua, do të kalonim shumë mirë. Kur edhe në kafenenë e dytë dhe të tretë mora thuajse të njëjtën përgjigje, atëherë më kaploi paniku. (vijon)

(Kosova Sot Online)