Ngjarje e vërtetë: Shtrenjtë e pagova dashurinë time rinore (5)

  • E.K /
  • 20 June 2022 - 15:48
Ngjarje e vërtetë: Shtrenjtë e pagova dashurinë time rinore (5)

Pasi që përfundimisht erdha në vete, fillova që ta kuptoja seriozitetin e situatës. Isha e rrëmbyer, e ata dy njerëz donin që nga Toni të kërkonin para për lirimin tim. O, Zot! E, si do ta gjejnë ata atë, kur as unë nuk kam lidhje se ku gjendet ai e as kur do të kthehet - mendoja. - Hajde, budallaqe, ngrihu, po ikim! - ndjeva se si një dorë më kapte për flokësh. Pasi që me dhunë më nxori nga vetura, pash se gjendeshim në një vresht. Para nesh gjendej një kasolle, të cilën e kishte ngrënë bukur shumë dhëmbi i kohës. Derisa njëri më mbante fort, tjetri ishte duke e hapur drynin. Kushedi çka do të më bëjnë, mendova. Ai e hapi derën e cila lëshoi një zë rrëqethës nga ndryshkja. - Mos u përqurr dhe ec përpara! - më tha ai më i gjati nga ta, duke më goditur boks. Nga fuqia e goditjes ndjeva se si filloi të më dilte gjak nga hunda.

Toni, oh, Toni, ku je? Më ndihmo, të lutem - thosha në vete. Megjithatë, sado e frikësuar që isha, kuptova se duke qarë nuk do të ndreqja asgjë. - Çka doni nga unë? Mos mbani shpresë që ndokush do të japë para për mua, meqë jam e varfër dhe e mjerë - thashë me një guxim, me të cilin e befasova edhe veten time. - Dëgjo, budallaqe! Ende nuk e dimë a je me të vërtetë kaq budallaqe, apo e bën veten të tillë, por mos u mërzit! Edhe këtë shumë shpejt do ta marrim vesh. Do të ishte më mirë që të na tregosh menjëherë ku gjendet Toni, përndryshe... - tha ai më i imti, me shikim kërcënues në sy. - Mjaft më! Unë me të vërtetë nuk di ku gjendet Toni!. Herën e fundit kur fola, ai gjendej në Frankfurt. Çfarë lidhje ka ai me këtë? - pyeta duke mos kuptuar asgjë.

Në vend të përgjigjes, më shikuan njëherë, për t'ia krisur gazit më pas. - Mirë, mirë! A na konsideron budallenj, duke na gënjyer sesi nuk e ke shitur mallin tonë bashkë me të? Sikur të isha në vendin tënd, nuk do të tallesha kështu - mu kërcënua ai më i madhi. - Por, nuk kuptoj për çfarë malli bëhet fjalë? Me gjasë bëhet fjalë për ndonjë gabim. Unë nuk kam kurrfarë malli tuaj - belbëzova e hutuar. - Mirë, si të duash! Toni ka ikur me mallin tonë, i cili ka vlerë milionëshe dhe, për këtë shkak, duhet të paguajë. Jemi të sigurt që ai nuk ishte i vetëm në këtë lojë. Dikush i ka ndihmuar dhe, përkundër asaj që ti e luan rolin e naives, jam i sigurt që ti je ajo që i ke ndihmuar! Por, mirë, nëse dëshiron të luajmë, mundemi edhe ashtu. Ma jep celularin!

Është koha që edhe "zogut" tjetër t'i hyjmë në gjurmë. Jemi të sigurt që Toni, pasi që ta zëmë, do të këndojë shumë më mirë sesa ti - tha ai, duke ma rrëmbyer çantën nga krahu, e cila, për çudi, vazhdonte të ishte aty. Pasi që mora vesh që Toni im paska përzier me këta njerëz, u trondita shumë. Duke kontrolluar çantën time, ai gjeti celularin dhe e thirri Tonin. Edhe pse me gjithë shpirt doja që të lajmërohej Toni dhe të vinte të më shpëtonte, në anën tjetër kisha frikë për jetën e tij. këta nuk ishin duke bërë shaka. Nëse për mua nuk kishte shpëtim, atëherë të paktën ai të nxirret. Për fat, apo fatkeqësi, kësaj here Toni nuk u lajmërua. - Nuk ka lidhje, neve nuk na ngutet. A nuk është kështu, Malësor? - pyeti ai i madhi, duke pirë nga një shishe, të cilën kushedi nga ku e mori. - Budalla, a nuk thamë që të mos përmendim emra?! - Bërtiti me të madhe ai i holli. - Nëse e bën këtë edhe një herë, do të t'i nxjerr trutë në erë, qartë? - Mos u shkumo! Kjo cofëtina nuk mund të na bëjë asgjë. Edhe ashtu, pas pak do ta heqim qafe. Apo, të argëtohemi paksa me të më parë! - tha me dilemë, gjë që mi ngjethi mishrat. - Ju lus, mos më lëndoni - iu thashë më kot, meqë më dhunuan derisa më ra të fikët. (vijon)

(Kosova Sot Online)