Ngjarje e vërtetë: Shtrenjtë e pagova dashurinë time rinore (4)

  • E.K /
  • 18 June 2022 - 15:50
Ngjarje e vërtetë: Shtrenjtë e pagova dashurinë time rinore (4)

Ishte ora dhjetë e mbrëmjes dhe po afrohej fundi i orarit të punës, kur lehtas u fut në lokal. Ishte mashkulli më i bukur që kisha parë ndonjëherë. I lartë dhe zeshkan, në veshje të shtrenjtë. Ngjasonte me një yll filmi dhe natyrisht se për këtë ishte i vetëdijshëm. Gojën e kishte ende gjysmë të hapur kur iu ofrua banakut, me këtë rast qëllimisht duke lëshuar çelësat, ashtu mendova, një veturë e shtrenjtë duhej të ishte. Aroma e losionit të tij të shtrenjtë m'i ka mbushur hundët. - Uiski me akull, të tjerëve sipas dëshirës. Natyrisht, edhe ti pi diçka - më tha duke më shikuar me kujdes. - Hej, ti qenke e re këtu! A nuk është ashtu?

E ku është ajo tjetra? Mos vallë nuk punon ajo më këtu - më mbushi me pyetje. Në vend të përgjigjes, vetëm bëra me kokë. Edhe ashtu nuk e kisha idenë se kush mund të ishte ajo tjetra. Pos kësaj, afërsia dhe shikimi i këtij njeriut më kanë hutuar shumë. Thuajse kam humbur shkathtësinë e të folurit. I kisha përzier të gjitha. Duke ia shërbyer pijen, menjëherë u nisa t'u shërbej edhe mysafirëve tjerë. Duke u kthyer më pas në banak, e takova mysafirin e bukur derisa fliste me shefin. - Diana, eja, njihu me mysafirin tonë - më thirri shefi. - Diana - u prezantova me turp, duke ia ofruar dorën. - Toni, më vjen mirë. Diana, emër i bukur për një vajzë të bukur. Por, nuk e pashë se çfarë po pije, më tha duke buzëqeshur. Po e ndieja si fillova të skuqem.

Për hir të Zotit, çfarë po ndodh me mua? Përse në afërsinë e këtij mashkullit ndihem e shqetësuar? Mirë, është shumë i bukur, por a mundet së paku të ndalojë e të mos më vështrojë ashtu - po mendoja. - Më falni, ishte kënaqësi, por më duhet të kthehem në punë - po provoja të tërhiqem. - A, jo, jo! Vetëm ulu ti pusho pak me Tonin. Nëse nevojitet, unë do të shërbej - tha shefi duke i buzëqeshur Tonit. - Dhe si është të punosh këtu - më pyeti kur mbetëm vetë.

 Nuk është keq, nuk kam pse të ankohem - ia dola t'ia them. - Shefi është njeri i mirë, por nëse do të kesh ndonjëherë probleme, më trego mua - bëri shaka. - Një kohë nuk isha këtu, përndryshe jam mysafir i rregullt. Por, më thuaj si po shkon në shtëpi? Me aq sa di unë, jeton në anën tjetër të qytetit - shpjegoi, e unë po e ndjeja si po më kaplon zemërimi. Më me dëshirë do ta ngufatja shefin, sepse Toni ndryshe nuk do ta dinte. - Me biçikletë, nëse ju intereson shumë - i thashë si nga topi, me ç'rast ai ia plasi të qeshurave. Pasi që më kishte njehur rreziqet e vozitjes me biçikletë natës, më ofroi që të më dërgonte në shtëpi. E kam kuptuar se ai ishte njeri i butë dhe ngadalë kam filluar të relaksohem me të. aq thellë jemi futur në bisedë sa që nuk e kam vërejtur as kur kemi mbetur vetëm në lokal.

 Eh, po, sikur të mos harroja të paguaj - tha Toni duke nxjerrë kuletën dhe hodhi 200 euro. Kam paguar borxhin e tij duke ia kthyer tjerat. - Në rregull është, mbaje kusurin - tha duke ma kthyer dorën mbrapsht. E shikova me habi. Pjesa tjetër ishte rreth 100 euro, dhe ishte e tepërt për një bakshish. Nuk jam ndier mirë dhe nuk e dija çfarë të bëj. - Nuk mund të marr një bakshish si ky. Është shumë - ia thashë. - Të lutem, mos e tepro! Futi në xhepin tënd. Vetëm të bëj një punë, nëse je gati, mund të nisemi - më tha duke më prekur krahun. (vijon)

(Kosova Sot Online)