Ngjarje e vërtetë: Si e bëra për vete djalin e ish-dashnorit (3)

  • E.K /
  • 30 June 2022 - 15:52
Ngjarje e vërtetë: Si e bëra për vete djalin e ish-dashnorit (3)

Për fat, puberteti i saj dhe preokupimi me dëshirat personale më shkonin për shtati, meqë thuajse as që më vërente. E, kjo kishte rëndësi për mua. Përsëri, nuk më kujtohet a më thirrën kolegët nga puna, a më kërkuan të njohshmit dhe miqtë, por më duket se, gjatë asaj periudhe, nuk kisha komunikuar me askënd. Isha ndarë nga të gjithë. Më kujtohet se pushimi im vjetor zgjati vetëm dy javë dhe se, dy ditë para se të kthehesha në punë më kishte kapluar njëfarë frike dhe nervozizmi. Njerëzit thonë se duhet pasur njëfarë akti final, atë që në filmat amerikanë quhet "closure", e unë këtë nuk e kisha bërë me Avniun. Dhe, kjo filloi që të më përndiqte. Si do ta shikoj tani në punë? A duhej ta përshëndesja? As që do ta shikoj, e as ta përshëndes, thashë me vete, e zemëruar. Kali njëherë! Çka mendon ai?

Se ia vlen qoftë edhe t'ia hedh një shikim? Apo ta përshëndes? A e ka marrë mundin që të më thërret dhe të më japë ca shpjegime? Jo! Por, edhe po të më thërriste, nuk do t'ia hapja celularin. Isha tepër e zemëruar. E, atëherë mu kujtua sesi celularin e kisha lënë fikur gjatë tërë ditës, për dy javë të tëra. Desha ta ndizja, për të parë a kisha pasur ndonjë thirrje nga ai. Apo, ndoshta, ndonjë mesazh? Por, bëra diçka të paarsyeshme. Mora një numër tjetër, derisa numrin e vjetër kurrë nuk e aktivizova. Numri i ri, nafaka e re, thosha sa për ta ngushëlluar veten. Një person i ri. Kjo ishte motoja. Por, ai person i ri (unë), sa nuk e humbi vetëdijen kur, një ditë, një pasdite, para dere e pa Avniun. Nuk e lashë që të hynte brenda, meqë kisha frikë që përsëri do të hynte në jetën time. Meqë, ende nuk e kisha harruar. E, në gishtin e tij pash një unazë. A thua kaq shumë qenka ngutur? - Kur doje të më tregoje që je duke u martuar?! - e pyeta, duke bërtitur. E ai, sikur të mos kishte bërë asgjë të keqe, qëndronte i heshtur. - Më fal! Apo, nuk e di a ka kuptim të ma falësh. Kam qenë shumë i tmerrshëm, nuk kam asnjë arsyetim pse nuk të kam treguar. Disi, nuk doja që të merresha me këtë punë. Doja që edhe pak të kënaqesha në një lidhje pa obligime. Shpresoj se kupton. Dhe, e kuptoja.

Por, kjo nuk ma zvogëlonte dhembjen në zemër. Meqë një fqinje doli para dere, duke na i ngulur sytë, megjithatë e lash që të hynte brenda. Por, nuk e lash që të hynte më shumë sesa në korridor. Shikimi përsëri më shkoi te unaza e tij e madhe, shkëlqyese dhe e bukur. Mi digjte jo vetëm sytë, por edhe thellësinë e shpirtit. Ai shumë shpejt e futi dorën në xhepin e palltos. E shikoja në fytyrë, por jo edhe në sy. Ata i shikova vetëm një herë me shpejtësi. Me një zë të ftohtë akull, ia bëra pyetjen e cila më kishte munduar që nga dita e parë: - Mirë, mirë! Por, pse më veçove? Pse më zgjedhe? Pse nuk e gjete një adoleshente naive? - isha e ashpër dhe shprehesha me fjalor të thjeshtë, por kjo edhe më duhej. - Sytë e mëdhenj të kafenjtë, sikur të drenushës, plot mërzi dhe shtytje. Kjo më tërhiqte. Mendoj se ndjeja nevojën që të të ngushëlloja, të të gëzoja, nuk e di. Nuk kisha për qëllim të të shfrytëzoja, sikur që mund të mendosh. Por, sikur të të thosha se jam para martese? Mendoja se e kisha arritur kulmin e dhembjes, por në ato momente dhembja u intensifikua edhe më shumë dhe, thjesht, ndjeva një therje në zemër. Fjalët e tij ishin aq të buta, aq të mira, por ai, megjithatë, i takonte dikujt tjetër! (vijon)

(Kosova Sot Online)