Zeqa: Shkuarja e vendit në zgjedhje ndodhi për shkak të opozitës, e cila nuk u tregua bashkëpunuese

Zeqa: Shkuarja e vendit në zgjedhje ndodhi për shkak të opozitës, e cila nuk u tregua bashkëpunuese
Zeqa: Shkuarja e vendit në zgjedhje ndodhi për shkak të opozitës, e cila nuk u tregua bashkëpunuese

Florim Zeqa

  • 29 April 2026 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Florim Zeqa

Shkuarja e vendit në zgjedhje ndodhi për shkak të opozitës, e cila nuk u tregua bashkëpunuese në formimin e institucioneve shtetërore! Pavarësisht qëllimeve të mira që mund të ketë pasur Albin Kurti në kërkesën drejtuar opozitës për të propozuar tre emra për President, kjo mund të ketë pasoja afatgjata për stabilitetin politik të Kosovës.

 

-Opozita me asgjë nuk mund të arsyetohet për bojkotin e zgjedhjes së Presidentit, as me ‘alibinë’ e shmangies së rrezikut të kapjes së shtetit, pasi për më tepër se dy dekada ishte në pushtet, duke i vënë nën kontroll të plotë të gjitha institucionet e shtetit nën sloganin e institucionalizmit dhe moton e shtetndërtimit!

Nëse Albin Kurti mund të jetë sjellë me arrogancë gjatë negociatave për zgjedhjen e Presidentit, me propozimin e fundit ndaj PDK-së dhe LDK-së: “më sillni tre emra për kryetar shteti, që të shmangim krizën dhe zgjedhjet”, ia ka lënë topin e përgjegjësisë tërësisht kundërshtarëve politikë, përkatësisht kampit opozitar, i cili nuk la gur pa lëvizur derisa e solli vendin në situatën e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Andaj, PDK dhe LDK nuk kanë arsye ta akuzojnë kryeministrin Albin Kurti për mungesë bashkëpunimi dhe as për përgjegjësinë e krizës politike, duke marrë parasysh faktin se zgjedhjet e jashtëzakonshme më së paku i konvenojnë Lëvizjes Vetëvendosje dhe Albin Kurtit.

Kësaj radhe opozita e kishte rastin që të bashkohej për të mos e marrë përgjegjësinë e shkaktimit të zgjedhjeve të panevojshme.

Edhe pse beson në rikthimin e saj, me dërgimin e vendit në zgjedhje, opozita rrezikon të penalizohet keq nga elektorati kosovar!

Për çka, zgjedhjet e jashtëzakonshme do t’i kthehen bumerang opozitës së ndarë dhe të fragmentuar!

Pa dashur të hyj më thellë në analizën time politike, gabimin fatal e bëri kryetari aktual i LDK-së, z. Lumir Abdixhiku, i cili u ngatërrua keq pas emrit të Vjosa Osmanit, rrënueses fatale të LDK-së, e cila për kënaqjen e egos personale i dha goditjen më fatale subjektit që e rriti dhe e ngriti në karrierë politike!

Kjo e keqe mund të ndodhë vetëm në LDK dhe në asnjë subjekt tjetër politik!

Personi që ia mundësoi zgjedhjen presidente nga radhët e LVV-së, u mundua ta rikthejë sërish në të njëjtën pozitë tradhtaren e partisë, duke qenë kryetar i LDK-së!

Me këto veprime, Lumir Abdixhiku e ka vënë në lajthitje elektoratin e LDK-së, saqë më askush nuk po e di a është në shërbim të LDK-së apo kundërshtarëve të saj politikë?!

Zgjedhja e Presidentit është obligim kushtetues i të gjitha partive parlamentare, jo vetëm i partisë fituese.

Opozita bllokuese nuk e do Presidentin, por grazhdin e pushtetit!

Mosrespektimi i verdiktit të popullit është dhunim i demokracisë dhe mosrespektim i institucioneve shtetërore!

Ky dështim fatkeq për Kosovën dhe qytetarët e saj do të jetë me pasoja zinxhirore për shtetin!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".