Ngjarje e vërtetë: Si e bëra për vete djalin e ish-dashnorit (5)

  • E.K /
  • 02 July 2022 - 15:22
Ngjarje e vërtetë: Si e bëra për vete djalin e ish-dashnorit (5)

- Nuk isha e sigurt a të thërrasin ende Bedri - thash duke buzëqeshur. I lëshova qeset në ulësen e afërt dhe i shtrënguam duart. - Ai është emri i vetëm me të cilin më thërrasin. Bile edhe fëmijët më thërrasin. E, kushedi, ndoshta ashtu do të më thërrasin edhe nipat dhe mbesat. Qeshi me të madhe. Ende vazhdonte të ishte mashkull i bukur, por tani me flokët tërësisht të bardha nga thinjat. - A ke dëgjuar që im vëlla është bërë gjysh? Te ai jam nisur që të shkoj - më tha me pasion. - Jo, nuk paskam dëgjuar. Uroja në emrin tim. - Në rregull, faleminderit! Më vjen shumë mirë që u takuam.

Qe sa kohë kaloi pa u parë? - Mendoj se kanë kaluar nja 15 vjet. Më kujtohet se ishte verë dhe se ishim me fëmijët në bregdet, por kishte tollovi të madhe. - Po, ne ishim në një shoqëri të madhe, por edhe ju. - Po, po! Ashtu ishte. Ishte një festival i madh, dhe bënte vapë e madhe! I cingëroi telefoni, prandaj u përshëndetëm. Por, ai takim me të vërtetë më mbeti në mendje dhe, pasi që u ktheva në shtëpi, pashë se mendoja vetëm rreth Bedriut. E, si të mos mendoja, kur ai ishte dashuria ime më e madhe kur mezi kisha mbushur të 15-at. E etur për dashuri, vetëm prisja.

kur do të vinte ai i duhuri, në të cilin do të dashurohesha dhe me të cilin do ta përjetoja shijimin e parë të dashurisë. Oh, çfarë vitesh ishin ato! Kur të bartin stuhitë e dëshirave dhe pritjeve rinore. E, Bedriu u paraqit si reja në të kthjellët. Kurrë nuk e kisha parë më parë, nuk e dija kush ishte dhe nga ishte. E, ai sikur të më donte vetëm mua. Më bëri për vete derisa isha me shoqet në park, bile edhe në diskotekë na erdhi prapa edhe pse ai më shumë ishte një klub pionierësh dhe aty nuk kishte vend për të, meqë ishte shumë më i rritur sesa ne.

E kisha mbajtur mend sikur një atlet me gjatësi të madhe, me flokë të mrekulluar ngjyrë mjalti, me sy të kafenjtë depërtues, me zë të thellë, paksa të ngjirur. Por, ndaj meje sillej me aq butësi, përkundër asaj se nuk linte vend pa mu vardisur, natyrisht, pa e tepruar. Ndonjëherë mendoj se, në ditët tona, ndoshta do ta kishin shpallur për pedofil, gjë që nuk ishte, por për mua ai ishte mashkulli më ideal në botë. Sa herë që vinte në parkun tonë, ndaheshim nga të tjerët, uleshim në bankën tonë të preferuar dhe pëshpëritnim. Shpesh ma kapte dorën dhe ma ledhatonte fytyrën. Shihte që unë kisha frikë, por edhe se e doja, prandaj nuk ngutej.

Por, unë duroja pasionin dhe padurimin e tij. Disa herë më puthi në faqe, sikur të më përgatiste për diçka më shumë, kur do të më puthte në buzë. Dhe, kur përfundimisht një gjë e tillë edhe ndodhi, ky ishte momenti më i bukur, më intensiv, të cilin mund ta përjetojë një vajzë e re. Me vite të tëra më pas, vazhdoja të mendoja rreth kësaj puthjeje, duke e idealizuar, duke e ngjyrosur me të gjitha ngjyrat e mundshme, duke e ripërjetuar. Ishte një këngë të cilën me dëshirë e dëgjoja, dhe e cila thoshte "do të jepja miliardat për një sekondë të puthjes së parë". Me vite të tëra e këndoja atë këngë, për nder të puthjes së parë të Bedriut. Më pas pati edhe puthje të tjera, të bukura, të nxehta, të buta... Por, kur Bedriu donte diçka më shumë, që të bënim dashuri, unë u tërhoqa. (vijon)

(Kosova Sot Online)