Roman dashurie: A mund të të vardisem? (5)

  • E.K /
  • 07 July 2022 - 15:51
Roman dashurie: A mund të të vardisem? (5)

Claire vërente aranzhimet e hijshme klasike nga porcelani bardhezi dhe enët e shtrenjta japoneze për pemë. Drita ishte e dobësuar. Kjo është një atmosferë romantike, mendonte Claire. Dëmi i vetëm është që Marc mua në rend të parë më sheh si motër... Marc u ngrit dhe iu afrua. "Nuk do të jem për një muaj dhe do të doja të bisedoja ende me ty. Pra, hajde, zanë". Edhe më parë ai ishte larguar për kohë të gjata, prandaj edhe nuk e dinte pse mu tani e kishte kapluar ndjenja e mërzisë? Kishte një parandjenjë të keqe... sikur jeta do t'i ndryshonte me themel. Por, e tëra kjo ishte qesharake. Me gjasë vetëm imagjinonte që Marc sillej çuditshëm.

Pak më vonë rrinin në dhomë të ditës dhe Marc qiste kafenë në filxhanë të porcelanit, duke ia ofruar një filxhan Claires. "Do të të duhet, zanë, pasi që hëngre të gjitha ato gjëra". E shikoi duke aktruar zemërimin, derisa ai buzëqeshi. Claire pinte kafen e saj dhe, përnjëherë pyeti: "A ka qenë nëna ime dhe ai zotëria... si quhet... në muaj të mjaltit?" "Ende jo. Do të donin ta kalonin verën në Evropë, por nëna jote do të të lajmërohet më parë". Kur e pa Marcu shprehjen e dhembjes në fytyrën e saj, iu afrua dhe e përqafoi.

Përnjëherë ishte si e magjepsur me aromën e parfumit të saj. Ishte ajo një aromë romantike sa edhe disponimi i tij. Edhe Claire qartë ndjeu tendosjen midis tyre. Përsëri i dridheshin gjunjët sa herë që Marcu i afrohej, por këtë mbrëmje dukej se edhe ai ndjente atë që ndjente ai. Ndoshta Darlene thjesht e kishte hutuar? Mos po shihte ëndërr gjithçka? Më pas e dëgjoi zërin e tij se si, nga larg, murmuriste emrin e saj. Më pas iu rrëqeth i tërë trupi. Afërsia e tij, aroma e parfumit të tij të shtrenjtë, si dhe shikimi në sytë e tij bëri që të harronte gjithçka rreth vetes. Me duar e kapi fytyrën e saj dhe e mbuloi me puthje të imëta, lozonjare, e më pas gjeti buzët e saj dhe i puthi me afsh, sikur ta kishte ëndërruar këtë moment për një kohë të gjatë. Claire merrte frymë me vështirësi, kur buzët e tij arritën deri te qafa e saj dhe kur duart e tij gjetën gjinjtë e saj, duke i lëmuar. Duke përmbajtur frymëmarrjen, Claire i nguli thonjtë e saj në supet e tij. "Je e mrekullueshme... "pëshpëriti kur përsëri e ngriti kokën. Kur e shikoi, u dridh paksa. Për një moment dukej sikur ai ishte duke luftuar me vetveten, e më pas e lëshoi me shpejtësi. Claire e shikoi e habitur. Ende digjej nga dëshira për të, ndjente pasionin të cilin e kishin zgjuar prekjet e tij. O, Zot, më kurrë nuk do të ishte e njëjtë. Claire kërkonte e hutuar diçka që do ta pengonte këtë heshtje.

"Kam harruar krejt të ta them lajmin e Darlenës. Ajo dhe Paul do ta kenë një fëmijë". Marcut përsëri iu derdh kafja të cilën ishte duke e qitur. Claire shikonte me habi duart e tij që dridheshin, derisa e vendoste filxhanin në tavolinë. "Duhet ta kërkosh një asistente të re", tha ai. "Darlene do të punojë edhe ca kohë", shpjegoi Claire. Sytë e saj shkëlqenin. "Jam e lumtur për të, por edhe pak xheloze". MClaire vërejti shprehjen e dhembjes në fytyrën e Marcut, kur fliste për Paolin dhe Darlenen, rreth martesës së tyre të lumtur dhe rreth bebes, e cila do t'iu sillte më shumë lumturi. "Habitem që je xheloze ndaj Darlenës", tha Marc përfundimisht. "Shumica e femrave natyrshëm duan të kenë fëmijë, por kurrë ti nuk ke thënë asnjë fjalë për këtë". "Deri më tani as që kam menduar për këtë, Marc. Nuk ia kam zili Darlenës vetëm për fëmijën, por edhe për faktin që ajo dhe Paul kanë martesë të rehatshme, gjë që sot është një gjë tepër e rrallë". "Claire, nuk është ndoshta që Lynn ta shkatërroi besimin te martesa? Nëna jote është demode. Nëse dëshiron të fle me ndonjë mashkull, atëherë duhet të martohet me të". (vijon)

(Kosova Sot Online)