Roman dashurie: A mund të të vardisem? (16)

  • E.K /
  • 23 July 2022 - 16:55
Roman dashurie: A mund të të vardisem? (16)

Claire ndjeu dhembje. Marc si duket e kishte përgatitur për atë, nga e cila edhe kishte frikë. "Ishte mirë, zanë, por që të dy duhet ta pranojmë se e tërë kjo ishte vetëm një aventurë". Claire kishte frikë që çdo moment do t'ia kriste vajit, por se nga erdhi e te ajo u paraqit njëfarë krenarie. Gjashtë vjet e kishte ndrydhur dashurinë ndaj tij. Nëse ai nuk e do dhe nuk mund t'ia ofrojë atë që ajo kërkon, atëherë do të pajtohet me këtë.

Claire bëri një buzëqeshje me zor. "Hajde, do të të ndihmoj t'i marrësh gjërat. Do të përgatis diçka për udhë, derisa ti të përkujdesesh për gjërat në zyrë". Gjatë darkës Marc bisedonte gjallërisht. Claire e dinte se ai mundohej që të ishte sikur gjithnjë. Por, asaj i vinin mendime të llojllojshme. Mundohej që të merrte pjesë në bisedë, por ndjeu një lehtësim kur ai u ngrit dhe u afrua te dritarja."Dëgjo, a nuk është kjo barka e Silasit?" Claire u ngrit dhe iu afrua."Shkurt zgjati gjuajtja e tij. Do ta përgatis kuzhinën, e ti mund t'i ndihmosh që t'i zbrazë gjërat". "Edhe sot në mëngjes t'i lash enët". "Për këtë shkak sonte do të më përgatitësh diçka dhe do t'i lashë enët".

Marc e puthi në hundë. "Dakord. Sonte do të jesh e lirë". Pasi që Claire mbaroi punën në kuzhinë, u ul pranë tavolinës dhe shikoi kopshtin. Përnjëherë e kaploi njëfarë ndjenje e mërzisë, nga fakti që i duhej të kthehej në Fort Myers, pa marrë parasysh rrjedhën e bisedës që e priste. I duhej që të përkujdesej për pronën e nënës dhe për punën e vet. Claire u frikësua kur zëri i Marcut e kthjelli nga mendimet. Në dorë mbante një zarf ngjyrë kafeje, kurse fytyrën e kishte të shqetësuar. "Çka po ndodh?", e pyeti ajo e shqetësuar. "Veprat artistike për galeri duhej të vinin muajin e ardhshëm, por më lajmëruan se arrijnë kah fundi i javës.

Edhe Iris më thirri. I paska dërguar ca gjëra që i paska gjetur". "Por, nuk ke kënd që do të mund t'i merrte këto gjëra"? "Kështu është. Dreq. Urrej që më duhet të kthehem mu tani, por, zana ime, nuk kam zgjidhje tjetër". "Të kuptoj. Edhe mua më duhet që të përkujdesem për punën time dhe të bisedoj me avokatin e nënës" dhe, më pas, shtoi me zë të ulët, "do të më mungojë ishulli". Marc iu afrua dhe ia largoi flokët që i kishin rënë në fytyrë. "Mendon se mua nuk do të më mungojë?" Claires i ishin mbushur sytë me lot."Fakti që munda të rrija këtu, më ndihmoi më shumë sesa që mund të ta them me fjalë".

"Në të ardhmen përsëri do të mundesh t'i bësh të gjitha vetëm", tha ai. "Por, nëse do të kesh nevojë për mua, do të jem aty". Për disa minuta që të dy u kridhën në mendimet e veta. Claire e pyeste veten si do të mund të flinte në të ardhmen pa qenë në përqafimin e tij. Nuk guxonte që të mendonte për këtë. U ngrit. "Më mirë është që t'i përgatis valixhet. Me gjasë që këtë pasdite dëshiron të kthehesh". "Po", tha Marc me zë të ulët."Më vjen keq që tani nuk mund të bisedojmë, por edhe në të ardhmen, sa të mundemi, do të rrimë bashkë".

Claires i mbeti vetëm të pohonte me kokë. E ledhatoi fytyrën e tij lehtazi me gisht dhe më pas u nis për të shkuar në dhomë. Marc vazhdoi që ta shikonte. Pse, për dreq, kishte pritur kaq shumë që t'i tregonte? Këtu në ishull do të ishte shumë më lehtë, sesa në qytet, ku që të dy do të ishin të ngarkuar me punë. Sapo t'i kryente ca obligime, do ta ftonte për një natë të mrekullueshme në banesën e vet. E donte më shumë sesa që kishte mundur të merrte me mend se do ta donte dikë. Ndjente nevojën që ta përqafonte dhe t'i zgjidhte problemet që e mundonin. Një trokitje e fortë në derë ia ndërpreu mendimet. "Hyr, Silas", bërtiti duke u kthyer. Silasi hyri duke e shikuar Marcun me shqetësim. "Nëse dëshiron që sot të dalësh nga ishulli, atëherë duhet të ngutesh. Thosha se tanimë i kishte përgatitur gjërat..." "Jam habitur duke menduar". (vijon)

(Kosova Sot Online)