Kujtimet/Perpjekja e parë për të vrarë Azem Hajdarin në Tropojë, në qershor 1998

  • 28 October 2017 - 11:27
Kujtimet/Perpjekja e parë për të vrarë Azem Hajdarin në Tropojë, në qershor 1998

Nga Mero Baze*

Përpjekja e parë për ekzekutimin e tij nisi më 4 qershor 1998. Ishte koha, kur refugjatët e parë shqiptarë nga Kosova kishin kaluar kufirin dhe Tropoja ishte bërë streha e tyre kryesore.

Një grup deputetësh të opozitës ishte nisur drejt Tropojës për t’iu dhënë mbështetje të sapoardhurve. Azem Hajdari ishte deputet i Tropojës dhe duhet të ishte doemos aty. Bashkë me të ishte Pjetër Arbnori, Jozefina Topalli, Vili Minarolli, Shaban Memia, Pal Dajçi dhe Xhevdet Mehmeti, të gjithë deputetë të Veriut të Shqipërisë.

Ministri i Rendit Publik, PerikliTeta, gjeti një mundësi të komunikonte me ta dhe t’iu thoshte se Azem Hajdari rrezikohej të vritej në Tropojë. Drejtori i policisë së prefekturës së Shkodrës, kolonel Pjerin Ndreu, pranoi po ashtu se ishte informuar nga eprorët e tij për mundësinë e një atentati. Deputetët arritën në Tropojë e atje u ndanë sipas zonave ku ndodheshin të ardhurit nga Kosova.

Një grup deputetësh me Azem Hajdarin, Vili Minarollin dhe Pal Dajçin qëndruan në Bajram Curri. Në orën 16.00, të datës 4 qershor 1998, ata u takuan me prefektin, kryetarin e bashkisë dhe kryetarin e Partisë Socialiste. Dëshmitarët tregonin tensionin që rritej, ndërsa afrohej ora e atentatit. Ata përshkruanin sesi u larguan fillimisht prefekti dhe kryetari i Partisë Socialiste dhe se më pas, kryetari i bashkisë kishte marrë njoftim zyrtar nga komisari i policisë së Kukësit se mund të vritej Azem Hajdari, ndaj duhej ikur nga bashkia.

Dhe kështu, orë pas ore, grupi i tij izolohej nga popullsia, nga njerëz civilë që nuk linin askënd të afrohej tek ata, ndërsa të tjerë zinin tarracat e pallateve që shikonin nga bashkia. Azem Hajdari, që parandjeu rrezikun, tentoi të lidhej në telefon me zyrën operative të Ministrisë së Rendit Publik dhe me komisariatin e Tropojës, por asgjë.

Makina të dyshimta po i afroheshin vendit ku ai po rrinte bashkë me deputetët që e shoqëronin. Rreth orës 21.30, nga bashkia u larguan dhe rojet.

Në orën 22.30, deputetët e PD u nisën për në shtëpinë e Azem Hajdarit.

Pak minuta më pas, ata ranë në pritë, pikërisht te një merkato në qendër të Tropojës. Breshëri nga shumë lloje armësh u zbrazën mbi ta.

Gazetari Bardhyl Pollo, ish-drejtor i përgjithshëm i Radiotelevizionit, u plagos. Shoqëruesit e Azem Hajdarit arritën të tërhiqnin gazetarin e plagosur Pollo dhe ta dërgonin në shtëpinë më të afërt. Policia u zhduk nga rrugët dhe askush nuk iu vinte në ndihmë deputetëve të rënënë pritë.

Arbnori dhe Topalli në atë moment ndodheshin në Tropojën e vjetër dhe kishin kuptuar se diçka po ndodhte nga lëvizjet e dyshimta të policisë. Kryetari i rendit, që kishte marrë përsipër t’i shoqëronte për në Tropojën e vjetër, i kishte kaluar ata në një rrugë që përdorej shumë rrallë dhe që ishte rreth 15 kilometra më e gjatë se rruga e zakonshme. Gjatë rrugës, disa makina pa targa lëviznin para dhe mbrapa, duke ngritur pluhur dhe duke iu rënë fort borive.

Ja si e kujton Pjetër Arbnori në kujtimet e veta këtë ngjarje: “Mua e Jozefinës na ndanë nga Azemi. Na shoqëronin kamionët e rëndë drejt Tropojës së vjetër, ku vëllezërit kosovarë, gra, pleq, fëmijë, të mbledhur në dyshemenë e xhamisë, do të provonin dashurinë dhe mikpritjen e popullit bujar dhe të varfër të vendit. Diku ndahej rruga. Shefi çante përpara.

-Përse nuk kthyem?

Këndej shkohet në Tropojën e vjetër.

-Ka edhe rrugë të tjera.

-Është rrugë më e shkurtër?

-Jo!

-Është rrugë më e shtruar?

-Jo!

-Përse e zgjasim rrugën?

-E di shefi.

Ndalemi përsëri.

-Përse humbasim kohë?

-Do të marrë shefi një radio tjetër.

Pritëm, pritëm, pritëm. Kalon kohë sa për të marrë dy radio, dhjetë radio, njëqind radio. Më vonë krahasojmë kohën dhe kuptojmë se ajo ka qenë koha më e nxirë, kur përgatitej ose sapo ishte kryer atentati kobzi kundër Azem Hajdarit. Tamam koha kur shefi i shkëputur prej nesh ka marrë apo ka dhënë udhëzimet e njoftimet mynxyrëmëdha.”

Pas mesnate ecnim me shpejtësi në kthim drejt Bajram Currit. Shefi na shpie në spital, ku gjejmë Vili Minarollin e tronditur, Bardhyl Pollon e plagosur në të dyja këmbët, Azem Hajdarin e shoqëruesit e tij të zhdukur. Vili kishte biseduar me ministrin e Brendshëm dhe i kishte treguar për atentatin. Thotë që të nesërmen do të sjellin një helikopter. Na porosit që të mos lëvizim nga spitali.

Shefi kërkon të na marrë në shtëpi për të fjetur, sipas tij, për siguri. Ne refuzojmë. Nuk ndahemi nga shokët.Ai na thotë se duhet ta ndihmojmë për të gjetur Azem Hajdarin, ku strehohet ose cili është numri i telefonit, pasi “rrezik se mos i bëjnë atentat përsëri”….Në mëngjes, zbriti nga helikopteri dikush me emrin Bizhga, i ngarkuar me hetimin e çështjes. Na tha se do të bëhej një pyetje e hollësishme e të gjithë të pranishmëve për rrethanat e atentatit. Ndërkaq, një hetues vendas nisi të bënte një procesverbal pyetjesh për Vili Minarollin.

Nga leximi i procesverbalit erdhëm në përfundimin se hetuesi as dinte të shkruante, as kishte vullnetin e mirë të hetonte si duhej.Erdhi që të dëgjonte hetimin shefi i policisë. Ne shfaqëm pakënaqësi për praninë e tij dhe ia thamë Bizhgës, i cili e nxori jashtë. “Kur të shkojmë në Tiranë, do të bëjmë hetime të plota”, – na siguroi ai….

Ata që kishin ndihmuar në terr atentatin, tani me kallashë në duar na shoqëronin duke vëzhguar gjoja çdo kaçubë e shkëmb për të na “ruajtur”.Një shoqërues i Azemit na tha: “A dëshironi ta shikoni nga makina përballë?” Ne pamë, por nuk dalluam njeri, sepse ishim një grumbull njerëzish. Atëherë, shoqëruesi bëri përparadhe takoi njërin prej tyre. Sikur e kam parasysh edhe tani: i gjatë, me trup elegant, syzi, vetullzi, i veshur me rroba të zeza, me një radio policie në dorë.

Biseduam një copë herë me zjarr. Kur u kthye, na tregoi pak a shumë këtë bisedë:

“Ç’rrini akoma me atë?

Sa ju paguan?

Asgjë!!!

Ç’është ajo besë!

Si rrika njeriu pa pagesë?

Ejani me ne. Na hoqët mbrëmë nga duart një shumë të madhe, miliona. Po ne prapë do ta vrasim.”

Shoqëruesi i Azemit i kishte treguar gishtin e përgjakur të plagosur atë natë nga plumbat dhe i kishte thënë se edhe atij i kishin borxh….” Dhe historia vazhdoi.

*Marre nga libri “Perballja me antiopozitarizmin”.

(Kosova Sot)