Personazhet e panjohura të Teatrit, nga sufleri i aktorëve të mëdhenj të rrobaqepesi

  • 20 shkurt 2019 - 08:56
Personazhet e panjohura të Teatrit, nga sufleri i aktorëve të mëdhenj të rrobaqepesi

Shkruan: Raimonda Shundi

 

Beqari sharmant, që kurrë nuk mundi të martohej me vajzën e ëndrrave, na shpërfaqet në këtë shkrim nostalgjik si kurrë ndonjëherë. Është emri të cilin aktorët e kishin si hijen e tyre, që u falte aq siguri. Ishte zëri pëshpëritës më i bukur në cepin e skenës, që e dëgjonin vetëm ata.

Ata, heronjtë e betejave letrare, ku ndryshonin ngjyrat pas çdo kostumi, pas çdo premiere, pas çdo lindjeje, pas çdo shuplake, pas çdo duartrokitjeje, pas çdo gjuhe, simboli, konvencioni. Ishte hokatari të cilin fatkeqësisht, vesi i letrave e çonte shpesh herë në kufijtë e dënimit. Ai ende pëshpërit në ato mure të errët në cepin e njohur vetëm për disa të privilegjuar, ATYRE. Ndoci i merrte si një nga lodrat e tij të aktrimit takimet në hetuesi, duke u kthyer në rastet e rralla të zbavitjes kolektive. Shumë histori rrëfehen edhe sot nga aktorët për batutat elegante të Ndocës në lidhje me këto takime. E janë kaq të gjetura saqë mendon se nuk janë të vërteta. Por kur ti këto copëza i dëgjon nga disa aktorë, të cilët betohen për vërtetësinë e tyre, atëherë nis të bëhesh pjesë e haresë-stafetë, duke i çuar më tej këto historiza e duke zbavitur edhe kureshtarët e ditëve tona. Është e njohur batuta e tij në lidhje më ulërimën që i bëri drejtorit në zyrë. “I shkova drejtorit te zyra, ia shkëlyva derën dhe i thashë… ti je i atilli, ti je i këtilli, zhduku nga ky institucion se nuk di ta kryesh punën etj., etj..” Aktorët përgjigjen, “Po ai çfarë tha?” “Joooo, po ai nuk ishte në zyrë!”.

Të dashur lexues, ju prezantoj Ndoc Gorën. Ndoc Gora, djaloshi me shijen e klasin e shkodranit intelektual, vuajti shumë për të qenë aty ku edhe punoi fort, por shumë pak iu kthye mbrapsht. Që në rininë e hershme nis aktivizimet me grupet e pakta kulturore në qytet, duke mundësuar edhe evidentimin si njohës i mirë i letërsisë dhe aktrimit njëherazi. Realizon disa role, madje edhe si protagonist në krah të emrave në rritje të atyre viteve: Gjon Karma, Pjetër Gjoka, Loro Kovaci… Nisur nga pamja e bukur, mundi të jetë edhe si personazh në role femërorë, duke pasur larmi në CVnë e punëve të tij. Largimi i miqve në Tiranën e mundësive, bëri që edhe ai ta shihte si një alternativë zhvilluese. Me këtë objektiv niset të ndjekë shokët e natyrisht teatrin. Në Tiranë gjen një teatër të ri në formim e sipër, por të konsoliduar tashmë.

PAskali1

Aktorët (ku një pjesë e mirë ua kishin dëgjuar punët) si urgjencë kishin të ndihmoheshim me tekstet, pasi spektatori tashmë i edukuar me shfaqjet e përditshme ishte ambientuar të shijonte produktet e reja krijuese, ndaj tekstet ishin gjithmonë edhe më problem të menaxhoheshin. Qenë vetë aktorët e paangazhuar momentalisht, ata që kryenin funksionin e suflimit të tekstit për kolegët në skenë, duke ua bërë edhe më të lehtë punën me rolin. Vetë Kadri Roshi e ka bërë shpesh këtë opsion në ato fillime, por jo vetëm Kadriu; pa përjashtim të gjithë aktorët kanë qenë shpesh në këtë pozicion. Ndaj ardhja e një njohësi të mirë të letërsisë dhe aktrimit në veçanti, ishte ndihmë për grupin e aktorëve. Ndoci nisi të bëhej krahu mbështetës i trupës, sidomos e pjesës ku teksti ishte edhe më impenjativ. “Për çdo aktor një ngjyrë”, kjo ishte metodologjia e tij. Që në procesin e tavolinës, kur aktorët uleshin në javën e parë, Ndoci rinte në cepin e zgjedhur, duke ndjekur hap pas hapi procesin e punës. Aty ai nënvizonte, korrigjonte, shtonte apo edhe përkthente diçka nëse ishte nevoja për të qenë sa më pranë punës me personazhin dhe aktorin që do e përfaqësonte figurën e caktuar. Pasi ndiqte proceset zinxhir, realizonte tekstin final, e më pas e çonte të shtypej te një tjetër emër i dashur për vitet, Xhafoja sekretare.

Nga këtu prania e tij do të ishte edhe më e domosdoshme. Kalimi në skenë, ku personazhet e ngjyrosur të aktorëve nisnin atë që dinin të bënin më mirë, aktrimin. E dinte shumë mirë se ku qe momenti më i mundshëm për të qenë aty dhe asnjëherë nuk dështoi në këtë përpjekje. Nëse aktorët mësonin vetëm tekstet e rolit të tyre, Ndoci e kishte mësuar tërë veprën përmendësh. Suflerit si profesion, me gjithë punën sistematike dhe kaq shumë të rëndësishme për grupin, nuk i shkruhej asnjëherë emri në posterat apo reklamat e shfaqjes, ndaj kemi pak ose aspak gjurmë të punës dhe investimit kaq vjeçar të tij. Nga një djalosh aktor me intelekt, pasion e dashuri pa fund për të dhënë, Tirana e transformoi në një MIK anonim. Dhe ashtu siç janë të dashtunit anonimë, po ashtu edhe ai ishte më i dashtuni ndër krejtve.

SHKODRA E TEATRIT

Periudha e pasluftës sillte një frymë çliruese, ku më në fund erdhi koha t’i jepej krahë edhe të bukurës së privuar, artit, jetës. Vdekja me kufomat e shkatërrimit të shumëçkaje po zëvendësonte dalëngadalë jetën e re, duke i lënë hapësirë emocioneve të brishta, ndrydhur keqas. Emra të shumtë nisën të pikaseshin, e bashkë me ta edhe fytyrat e dashura që njerëzit po i prisnin ethshëm e me kaq ovacion. Shkodra ishte një nga qytetet e rëndësishëm, që ka sjellë personalitete të shumta artistësh mit.

Nuk dua të përmend askënd, pasi gabimi i veçimit të njërit emër dhe harrimi i tjetrit nuk është aspak i bukur për të gjithë ata që sfiduan kohën, duke sjellë frymën e epokës së re. Më duhet të precizoj e kënaqem njëherazi se ai qytet në vitet ’20-’30 ka pasur 7 vende, ku artisti mund të interpretonte në mënyrë komode artin e vet. Ndërkohë që qyteti i Tiranës në periudhën më të artë të saj kishte vetëm 7 kinema. Ekzistenca e këtyre shoqatave të bekuara që kujdeseshin skrupolozisht që të ardhurat financiare të spektatorëve të shkonin në burimin e duhur, si kostumet, skenografinë dhe zëra të tjera mbi mbarëvajtjen e spektaklit, por jo për shpërblimin e aktorit. Aktorët kryesisht ishin të punësuar në vende të ndryshme. Pjetër Gjoka ka punuar për pak kohë si sekretar i gjendjes civile, por edhe në urën e Mifolit, Vlorës, Shëngjinit. Madje, për vite ka punuar edhe në një librari, ku shiste gazeta e libra, gjithmonë si i punësuar, jo pronar. Loro Kovaçi ka qenë rrobaqepës, madje i shkolluar në Austri për këtë profesion. Edhe Ndoci thonë se punonte si rrobaqepës. Pra, ata si shpërblimin më sublim kishin duartrokitjen e fortë si dhe emrin që u rritej vazhdimisht në komunitet. Ky ishte një shpërblim i pranuar e kërkuar fort. Shoqnia “Bogdani” dhe “Antoniani” ishin dy nga shoqëritë që kuronin rigorozisht artin dhe në veçanti teatrin.

Këto shoqëri që operuan deri nga fundi i viteve ’39 kishin grupet e tyre skrupuloze të mirorganizimit për seleksionimin e elementit të ri, si dhe për organizimet zinxhir të një spektakli të mirëfilltë. Kjo kompani ishte pioniere e shumë emrave të aktorëve, të cilët bënë historinë tonë të teatrit. Vetëm në Shkodër këto ndërmarrje menaxhonin plot salla me mbi 1000 shikues spektatorë. Por nuk e patën të gjatë jetën. Paraprakisht, rreth viteve ’30 doli urdhri që të gjitha shkollat private të mbylleshin, rrjedhimisht edhe grupet artistike që operonin në këtë qytet. Në këtë shoqëri, anëtarët duhej të paguanin kuotën e detyruar të teatrit. Me atë çka mblidhej nga fitimi i biletave, bliheshin kostumet, dekori. Vetëm për ato pak vite shoqnia “Bogdani” kishte kostumet më të mira të atyre viteve. Po flasim për kostume të kushtueshme epokale, e kjo deri në vitet ’39, kur ato pushuan së ekzistuari. Por mbyllja e tyre vijon me vjedhjen dhe përçudnimin e këtij thesari që edhe këtë herë shkoi dëm.

Një personazh mit, të cilin edhe e kemi në këtë foto është Simon Llanxi. Këpucari sindikalist, i cili solli në Shqipëri parazi (1905-’10) organizimin e protestës – festë të 1 Majit. Në këtë foto personazhet janë një grup karnavalesh, ku Ndoci dhe aktori Pjetër Gjoka janë pjesë aktive e epokës referuese. Këtu miqtë janë ulur të festojnë pas karnavaleve ditën e ngarkuar, siç bëhet edhe sot pas përfundimit të një premiere. Tashmë erdhi koha e organizimit të shoqnive që parafola. Aktivitetet ishin kryesisht vullnetare, deri në vitet 1944, ku edhe u shkatërruan përfundimisht.

SUFLERI I TEATRIT

Ndoc Gora lindi në vitin 1920 dhe vdiq në qytetin e tij të lindjes, në Shkodër, në vitin 1992, ku jetonte me motrën e tij beqare. I biri i aktorit Pjetër Gjoka, Gjovalin Gjoka, diplomuar si aktor dhe pas një karriere të gjatë artistike në Teatrin Popullor, mori drejtimin e skenës si inspektor i saj. Ai na rrëfen historinë e suflerit të parë në këtë Teatër, deri në vitet 1990 nga ku edhe u spostua në Shkodër pas një sëmundjeje të vështirë.

PAskali

Sufleri e kishe vendin e tij në gojën e skenës, poshtë, ku spektatori shihte vetëm një kthinë si çadër. Në vitin 1960 kjo qoshe spostohet, pasi vendosën bilancin e dritave që të mos t’u krijohej hije në sytë e aktorëve, ndaj në atë xhep u vendosën dritat. Ndoci e dinte fare mirë se ku ngecte aktori x. Pas procesit të tavolinës, si metodë pune nuk vijoje me hedhjen e veprës në skenë, por në studio (vendi ku ndodhet sot Teatri Eksperimental), pasi skena ishte e artë për angazhimet ditore. Ishte nga studiot më të mira të të gjitha kohërave. 3 regjisorët e “Balshoi”-t thanë se si ajo studio nuk kishte më, pasi aty hidhej lehtësisht një shfaqje e tërë pa e bllokuar e cenuar repertorin e skenës. Sot, pas provës së tavolinës, procesi kalon direkt në skenë. Skena ishte e angazhuar me 6 shfaqje në javë, ndërsa biletat kushtonin 30 dhe 25 lekë të vjetra.

Buxheti i shitjes së biletave nuk hynte shumë në punë, pasi shteti ishte dorëlëshuar me formën tipike të larjes së trurit, duke përdorur artistin. Ndoc Gora kishte një humor burimor. Bixhozin e luante me persona të veshur me pushtet, ndaj edhe i pranohej pjesërisht pakti dhe vesi i lojës. Kur teatri shkoi në Prishtinë, aty Ndoci pati rastin të blinte letra që në Shqipëri nuk i gjeje, pasi ishin të ndaluara. Për t’i shpëtuar kontrollit të katër palë letrave që mori, ua shpërndau kolegëve. Shpeshherë thërritej në hetuesi për këtë pasion të dënueshëm dhe mençuria e shpëtoi t’ia hedhë paq pa u lagur. E shihje gjithmonë me cigare të dredhur hollazi për të kursyer e shtyrë kohën në shoqërinë e tij. Në Tiranë banonte vetëm në një dhomë, në zonën e fillimpazarit, kur del në rrugën e Dibrës. I heshtur, njerëzor e me batutën e radhës gati.

“Dashuria, misteri i pazbuluar Per mu paska kenun kismet me kenë ti e tjerakuj masi të du..të du..ban merhamet ti mu prap më duej. masi të du..të du..ban merhamet ti mu prap më duej”. Është kënga që realisht një muzikant i dashuruar ka improvizuar live, kur u përball me nusen, e cila kishte qenë e dashura e tij. Kjo është kënga që Gjoka ma propozoi si koincidencë edhe për Ndocin e pafat, edhe në dashuri. Vuante në heshtje për një vajzë nga Shkodra, e cila nuk pati shansin të kurorëzohej asnjëherë. Në vitet e fundit përpara se të largohej në pension, përgatiti vetë zëvendësimin e tij nga një e re, që më vonë do të bëhej edhe grimierja e dashur për shumë aktorë të atij brezi, Zana Pecani. Aktorët jetonin mirë, nëse i referohemi të ardhurave normale të Shqipërisë së epokës, sidomos për atë kategori të limituar të 25 aktorëve që paguheshin me 9 mijë lekë. Pjesa tjetër paguhej më pak. Por ky shpërblim rroge vinte pasi kishe mbi 15 vite pune, si dhe një sasi të konsideruar të roleve qendrore. Turnetë. Edhe Naim Frashëri me borxhe “Në kohën e turneve merreshin dieta modeste dhe aktorët kryesisht në Tiranë ktheheshin me borxhe”, thotë Gjoka si pjesëtari më i ri i këtij turneu.

“Pagesat ishin standarde. Në ditë na takonin vetëm 136 lekë për person, nga ku 60 ishte fjetja. Mëngjesi kryesisht ishte paçe. Kafja. Dreka kryesisht supë me mish, turli. Por një pjesë nga aktorët ndodhte që edhe nuk ulej fare në tavolina, duke mundësuar edhe kursimin e dietës. Ata merrnin me vete bukë me djathë, reçel, e kështu kalonin ditët e gjata të turneut në këmbim të parave të kursyera. Por kishte edhe nga ata aktorë, që nuk pyesnin për to. Madje qerasnin pa teklif. Njëra prej tyre ishte Drita Pelinku. Kur ulej në tavolinë, Drita paguante për të gjithë. Por edhe Kadriu, Naimi, Pjetri nuk kursenin”, tregon ai. “Në vitin 1966 realizuam një turne 45-ditor”, thotë Gjovalini, në periudhën gusht-shtator.

Turneu ishte i konceptuar të përfshinte një sërë qytetesh të Jugut të vendit. Në Lushnje 3 shfaqje, Fier, Vlorë, Sarandë Gjirokastër, Tepelenë, Zbornik (fshat i goditur nga tërmeti). Shfaqjet që do të jepeshin ishin “Karnavalet e Korçës” “Tre të shtime pushke”, “14 vjeç dhëndër”, “Pas vdekjes”. E gjithë teknika së bashku me trupën ishte me vete. Nga biletat që shiteshin, 30 për qind u shkonte grupit pritës, ndërsa 70 për qind i merrte teatri”. “Kur ishim në Sarandë, Naimi më kërkon të shëtisim pranë detit dhe më thotë: Tani, na vjen Nush Prendi këto ditë dhe do shpëtojmë. ‘Pse profesor edhe ju??’, i them unë. ‘Pse nuk jam njeri edhe unë?’. Nush Prendi ishte punëtor skene dhe do vinte me lekët nga Tirana, pasi fondi i marrë për dietat me vete u kishte mbaruar, ndaj vinin lekët borxh nga shteti, t’u shpërndahej aktorëve të mbetur keq. Unë isha më i privilegjuari, pasi si student kisha dieta speciale. 250 lekë për shfaqje në ditë”.

PASKALI, RROBAQEPËSI QË VDES NË VENDIN E PUNËS
Ashtu si Ndoci, ishte një armatë e tërë në prapaskenë që mundësonin gjithçka për aktorët dhe zgjidhnin kërkesat e regjisorëve e skenografëve. Ishin rrobaqepës, marangozë, grimierë, parukierë, këpucarë… Tre kostumet e shfaqjes “Mbreti Lir” (si shumë e shumë të tjera) janë qepur nga mjeshtërit rrobaqepës të Teatrit. Paskali ishte një prestar unik në teatër. Kostumet që dilnin nga duart e tij ishin pa asnjë defekt. Usta Paskali kishte tavolinën dhe makinën e tij të punës pranë skenës. Gjatë kohës që shfaqja “Xhaxha Vanja” po rendte me vrap drejt premierës, një ulërimë e fortë bllokon procesin e punës. Paskali kishte mbyllur sytë sipër tavolinës së punës, me kostumin e shfaqjes teksa po e qepte. Ndërron jetë sipër makinës, ashtu siç edhe aktorët e kanë për nder të vdesin, në skenë.
MJESHTRIT E PRAPAVIJËS, KRENARIA E SHTUAR E TEATRIT

Një histori mbresëlënëse ishte edhe ajo e mjeshtrit marangoz Ali Konçi. Historiku i teatrit mbart nën peshën e skenës edhe njërën nga gjetjet më të praktikueshme të tij, rroatativën. Rrotativa është një mekanizëm skenik shumë i domosdoshëm, që deri në atë moment kur mjeshtri e aplikoi, nuk ekzistonte si element, duke ia vështirësuar e limituar punën e regjisorëve, si vendas ashtu edhe të huaj. Sistemi i rrotullimit të skenës pas kësaj ndërmarrjeje ishte zgjidhja më e preferuar e regjisorëve që ndërtuan shfaqjet e shumta në atë arenë (“Lumi i vdekur”, “Arturo Ui”). Por një tjetër rrëfim del nga arkivi i zotit Gjoka, tashmë në pension prej vitesh.

Kur do të vihej në skenë shfaqja “Hamleti” me regjisor rus, po mbetej në kolaps puna, pasi nuk po mundeshin të realizonin derën e madhe qendrore, që regjisori e kishte bërë në “Balshoi” teatër me material hekur. Ali Konçi, duke e ditur kapacitetin e skenës, si dhe pamundësinë e mbajtjes së një peshe aq të madhe që hekuri posedon, e hedh poshtë, duke sjellë një version në dru. Pas realizimit spektakolar të Konçit, regjisori duartroket gjetjen dhe vijon spektaklin i qetë. KONSIDERATË Emra të tjerë të prapavijës së heshtur që meritojnë vëmendje dhe shumë dashuri janë edhe garderobjere Nania e Vanthia. Parukiere e grimiere Ermini Kotini. Rekuizitë Maria Kondakçi, zonjëza italiane Maria që i pastronte kristalinat si një nikoqire e devotshme unike, Vera Kazazi. Portieri e më pas punëtor skene, Nush Prendi. Inspektori i sallës Xhorxh Zagora, Zana Pecani, Agim Basha, Ramazan Shtufi, Myfit Alluni, Selman Xibri, Fuat Çutra, Aleksandër Panajoti, Isuf Derhemi, Vanthi Gjerazi, Ali Rysheku, Mustafa Rama(Tafa) etj.. Faleminderit që na latë këtë pasuri.

(Kosova Sot)