“Fol po ta mbajti b*tha”, rrëfimi i truprojës së Enver Hoxhës: Çfarë më thoshte e ëma gjatë gjyqit të Bahri Omarit

  • 22 May 2019 - 12:47
“Fol po ta mbajti b*tha”, rrëfimi i truprojës së Enver Hoxhës: Çfarë më thoshte e ëma gjatë gjyqit të Bahri Omarit

Hajredin Meçaj e quante veten me fat, që në kohën e Luftës dhe vitet e para pas saj shërbeu pranë Enver Hoxhës dhe krerëve të lartë të Shtabit të Përgjithshëm.

Përtej sakrificave të shumta e përgjegjësisë së lartë, ndër të tjera, detyra pranë liderëve kryesorë i fali “privilegjin” për të qenë i pranishëm në ngjarjet kulmore të asaj periudhe, si Kongresi i Përmetit, krijimi i Këshillit të Përgjithshëm të Frontit Demokratik, celebrimi i qeverisë së parë komuniste me Enverin Kryeministër, plenumi i famshëm i Beratit, kongresi i parë i gruas, parakalimi triumfues më 28 nëntor 1944 në Tiranën e çliruar, e deri te gjyqi i tmerrshëm i të ashtuquajturve kriminelë lufte.

Pa pretenduar se ka koleksionuar tërë historinë e këtyre ngjarjeve, siç pohon edhe vetë, Meçaj në kujtimet e tij sjell në mënyrë telegrafike përjetimet e tij nga këto kreshpa historike, që ende vazhdojnë të mbartin sensibilitete të ndryshme.

Me një gjuhë të thjeshtë e rrëfim modest, ish-truproja i Enverit tregon ato që ka parë e dëgjuar, duke qenë pranë shefit të tij në “ditë të mirë e të keqe”, gjithnjë larg statusit të protagonistit. Veçanërisht, interesante në kujtimet e tij janë mbresat nga ditët kur ndiqte me Enverin gjyqin e kunatit të këtij të fundit në Kinema “Kosova”, në Tiranë.

Këtë radhë, dëshmia e Meçajt hedh dritë në pështjellimin e panjohur që ka shkaktuar dënimi i Bahri Omarit te familjarët e Enverit. Pavarësisht se Meçaj nuk qëndron gjatë te rrethanat e kësaj drame të tmerrshme, me aq sa rikujton në rrëfimin e tij, zbulon mënyrën si është përjetuar nga të afërmit e Enverit, sidomos nga nëna, dënimi fatal i Bahri Omarit.

Në Beratin e çliruar

Ishte vjeshta e vitit ’44. Enveri dhe shokët e tjerë të Shtabit ishin vendosur në shtëpitë e Vrionasve në Berat. Dhoma ku punonte Enveri ishte mjaft e mirë. Kishte dhe dy dhoma të tjera. Aty ku qëndronim ne, shoqëruesit, ishte një dhomë e vogël si paradhomë. Natën rrinim dy veta. Si zakonisht, Enveri natën punonte.

Zakonisht punonte deri afër mëngjesit. Na duhej të siguronim një qetësi absolute. Mirëpo, në mëngjes shokët e udhëheqjes, të cilët flinin në dhomat e tjera, fillonin lëvizjen. Dikush lante sytë e të tjerët qarkullonin. Megjithëse bëhej kujdes, në shtëpitë e Vrionasve, të cilët ishin me dysheme dërrase, dëgjohej zhurma e këmbëve. Më kujtohet se ato ditë në Berat u krijua një situatë jashtëzakonisht entuziaste nga populli. Rrugët e Beratit përditë ishin plot me njerëz. Buçitnin këngët partizane. S’kishte ditë, që të mos vinin njerëz grupe-grupe, përfaqësi të organizatave të ndryshme, nëna dëshmorësh. Na porosiste Enver: “I lejoni të vijnë”.

Dilte e i priste vetë që në korridor. Natën e 18 tetorit, duke u gdhirë 19 tetori, Enveri nuk bëri pushim fare. Atë natë, nga zyra e tij dëgjuam që flitej me zë të lartë. U vumë në dyshim. Pyesnim njëri-tjetrin se mos kishte hyrë njeri brenda. Formuam bindjen se, medoemos ka hyrë njeri brenda. Por nga na u fut, s’i jepnim dot rrugë. Kishte shkuar ora tre pas mesnate. I thashë Karafilit që do të futem brenda të shikoj a ka njeri tjetër apo jo. “Jo,- tha Karafili,- se do të qortojë”.

Enveri kur punonte nuk lejonte njeri të futej brenda. I thashë se do të futem. Trokita në derë dhe e hapa. “Donit gjë, shoku Enver,- i thashë”. Qeshi dhe më tha: “Jo”. Ishte vetëm. Tavolina mbushur me letra, tavlla e cigares ishte mbushur plot. Mbusha një qese prej letre me bishtat e cigareve, ia pastrova tavllën dhe mbylla derën. “Të tha gjë”,- më pyeti Karafili. “Jo”,- i thashë. Karafili ishte shumë më i ri nga unë.

Mbledhja e parë e këshillit të përgjithshëm

Më datë 20, Enveri na tha se do të vemi në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, ndërsa ju do të rrini brenda e të dëgjoni. Sa na u bë qejfi! Rreth orës 9 të mëngjesit të datës 20 tetor, Enveri u nis nga shtëpia ku banonte, bashkë me doktor Nishanin dhe Spiro Moisiun. Atë ditë koha ishte me shi. Ranë ca pika, por shpejt u ndërprenë. Enveri kishte veshur një mushama të zezë. Në rrugë e hoqi dhe e vuri në qafë të dorës.

Unë që i qëndroja tre-katër hapa mbrapa, një çast iu afrova dhe i thashë: “Ma jep mua mushamanë, shoku komandant”. Ma dha. Rrugët ishin të mbushura plot me njerëz. U afruam në ndërtesën ku zhvillohej mbledhja. Këtu ishte një truprojë nderi me partizanë. Në këtë kohë u dëgjua zëri i oficerit: Gatitu! Për nder armë! Djathtas ndero! Oficeri mori drejtqëndrim dhe nderoi me dorë. Para Enverit qëndronte një fotograf, që këtë moment e fiksoi në aparatin e tij. Në këtë mbledhje, për të cilën është shkruar gjatë në histori, si dëgjues mora pjesë edhe unë me Karafil Kapon.

S’kishte gëzim më të madh, që aty Enveri u zgjodh kryetar i qeverisë dhe iu ngarkua detyra për formimin e saj. Mbas mbarimit të mbledhjes ku u formua qeveria, Enveri kishte shumë vizitorë, të cilët e uronin për formimin e qeverisë. Vetëm ca ditë më pas u bë mbledhja e Frontit Nacionalçlirimtar. Patëm fatin të merrnim pjesë dhe ne. Këtu dëgjuam shumë kontradikta. Ngriheshin dhe propozonin për zgjerimin e frontit me njerëz që s’kishin marrë pjesë në luftë, por kishin qenë kundër luftës, si Cen Elezi e të tjerë.

Në këtë mbledhje, Koçi Xoxe, Sejfulla Malëshova e Naxhie Dume tregoheshin shumë aktivë. Kishin një gjallëri e një gjendje të gëzueshme, që nuk ua kishim vënë re më parë. Filluan debatet e propozimet për kandidatë të rinj në Këshillin e Përgjithshëm të Frontit. Më kujtohet një nga delegatët e Sarandës. Abedin Çiçi kundërshtoi zgjerimin e frontit me këta njerëz. Në diskutimin e tij tha: “Të lahen në dersitilën tonë, pastaj të vijnë këtu”. Iu kundërvu aty për aty Sejfulla Malëshova, duke i thënë: “Si e kuptoni ju zgjerimin e frontit me mua? Unë jam, por do të biem nga ata që s’kanë qenë në front”.

Në këtë mbledhje pati shumë debate, shumë delegatë s’qenë dakord, mirëpo Koçi Xoxe, Nako Spiro e Sejfulla Malëshova ngelën në këmbë duke bërë sqarime. Ne prisnim që të ngrihej Enveri, të precizonte këto kontradikta. Kuptuam se ai, me këto ide për zgjerimin e frontit, me këta elementë, s’ishte dakord. Kur debatet arritën kulmin, Koçi Xoxe u ngrit në këmbë nga presidiumi dhe propozoi që të bëhej 30 minuta pushim.

Mbas pushimit vazhdoi prapë mbledhja dhe u aprovua propozimi i Koçit me shokë. Ata që kundërshtuan nuk u ndjenë më. Ato ditë Enverin e vizitonin shpesh Koçi, Nakoja e Sejfullai. Në një rast, Enveri po u fliste me zë të lartë atyre duke u thënë: “Nuk ju kuptoj se çfarë doni të thoni me këto teorira? Ku doni të dilni? Ku keni qenë deri tani? Pse nuk i keni ngritur këto gjëra”. Kur dëgjonim këto debate, kuptuam se brenda udhëheqjes kishte kontradikta të thella. Ato ditë në Berat u bë dhe Kongresi i Gruas.

Më kujtohet kur erdhën delegatet nga të gjitha krahinat e Shqipërisë. Nga Vlora, më kujtohet erdhën shoqet Hanko Alimerko, Fato Zotaj etj.. Në këtë kongres mori pjesë dhe Enveri. Hyrja e tij në sallë u shoqërua me duartrokitje dhe parulla të tipit: “Rroftë Partia”, “Rroftë Komandanti”, “Rroftë Qeveria Demokratike”.

Pavarësisht shqetësimeve që kishte prej konflikteve me disa nga krerët e udhëheqjes, Enveri në kongres u shfaq i qeshur dhe i lumtur. Po kështu edhe ditët e tjera, paçka se i duhej me orë të tëra të merrej me sqarimet e kolegëve që ndanin mendime të ndryshme me të për të ardhmen e strukturave të partisë dhe frontit..

Në një nga këto ditë më thërret Bedri Spahiu. Ai më thotë: “Do të shkosh në Shkollën e Oficerëve, e cila u hap këto ditë në Berat”. Unë, i bindur se kjo do të ishte porosi e Enverit, ika e u paraqita në shkollën e sapohapur. Mbas tri ditëve më thotë përgjegjësi i shkollës që të shkoj se më kërkonte komandanti. U nisa dhe mendoja se përse më donte. Vajta e iu paraqita. Mbasi më përshëndeti, më pyeti: “Ku ke vajtur”.

I thashë se isha në Shkollën e Oficerëve. “Kush të dërgoi”,- më pyeti. “Shoku Bedri”,- iu përgjigja. “Ç’punë ka Bedriu me ty”,- më tha. Mbeta dhe nuk dija çfarë t’i thosha. “Mirë, mirë, shko në vend”,- më tha. Ika dhe mendoja se kisha bërë gabim që s’i thashë shokut Enver kur u largova. Kur shkova në shkollë, komandanti i shkollës më urdhëroi që të merrja plaçkat e të shkoja te komandanti. Vajta dhe u paraqita prapë. Enver Hoxha më tha se vetëm me urdhrin e tij do të lëvizësh që këtej.

Nga Berati në parakalimin e Tiranës të 28 nëntorit ’44

Më datën 27 nëntor 1944, Qeveria po përgatitej të nisej për në Tiranë. Ishim të gëzuar. Mbas kaq vuajtjesh niseshim për në kryeqytet. Ne partizanët që kishim një kohë të gjatë pranë udhëheqjes së Shtabit të Përgjithshëm, i njihnim gati të gjithë udhëheqësit. Binte në sy diçka, që s’e kishim parë kur ishim në mal. Te Koçi Xoxe, Sejfulla Malëshova, Nako Spiro etj., shihnim një gjallëri të madhe. Dukeshin shumë të angazhuar me punë dhe s’i mbante vendi nga gëzimi. Kjo, edhe gjatë udhëtimit për në Tiranë.

Sidomos Koçi Xoxe ra shumë në sy për organizimin e sigurimit të kolonës. U tregua shumë aktiv. Ne në Panarit e në Helmës na dukej njeriu më inaktiv. Vazhduam udhëtimin copa-copa nga Berati deri në urën e Hasan Beut me disa makina. Këtu u kalua lumi me disa trarë, po kështu dhe ura e Kuçit e deri në Urën e Rrogozhinës u kalua me një lundër të vogël. Në Rrogozhinë erdhën disa makina ndërmjet tyre dhe një veturë e zezë për Enverin dhe tre motorë që shoqëronin kolonën. Ne, deri në atë çast e dinim se Qeveria do të shkonte nga Durrësi.

Këtu u dha drejtimi për nga Elbasani. Më datën 27 nëntor, në mbrëmje, Enveri bashkë me shokët zunë vend në një hotel. Ne të tre shoqëruesit, organizuam shërbimin e brendshëm në një dhomë pranë. Në mëngjesin e datës 28 nëntor 1944, Enverit i shpunë ushqimin dhe ai na pyeti: “Po ju, hëngrët mëngjes?” I thamë se po. U bë organizimi i nisjes së Qeverisë për në Tiranë. Në krye të kolonës, në pararojë në motor dy vendesh u nis Llambi.

Bashkë me mua në veturë ishte Enveri dhe Omer Nishani. Në Qafën e Kërrabës të dy anët e rrugës ishin të mbushura me makina të djegura, karro, kuaj dhe ushtarë nazistë të vrarë. Ishin fryrë e nxirë aq sa të qelbte era. Kur arritëm te Pallati i Brigadave, Enveri dha urdhër që kur të mbërrijmë te Legata Franceze do zbresim e do shkojmë në këmbë. Populli kishte mbushur rrugën, nga Legata Franceze e deri në Hotel Dajti. Këtu do të mbahej fjalimi. Dhe aty u zhvillua ajo ceremoni që tashmë njihet nga historia.

Në Hotel Dajti, Enveri u vendos për më se dy muaj. Në një dhomë zumë vend dhe ne shoqëruesit. Një ndryshim i paparë ndodhi në jetën time. As që e prisja: nga një jetë mizerje i rritur pa bukë, e i paveshur mbi tre vjet në Luftë, drejt e në hotelin më të mirë të Tiranës. Këto i gjykoja kur haja bukë në restorant, kur bija të flija në dyshek me lesh. Një të vuajturi, këto gjëra të zakonshme i bëjnë shumë përshtypje.

Për më shumë se një muaj hanim ushqim në restorant. Mirëpo, siç duket, ne e kishim kaluar kufirin e shpenzimeve. Sterjua që merrej me këto punë, kur pa se po harxhohej jashtë planit, përgatiti nga një bllok. Me të s’kishe si të harxhoje më shumë. Paratë deri në këtë kohë nuk i njihnim fare. Aty nga muaji mars i vitit 1945, na thërret Spiro Moisiu dhe na komunikon gradat të gjithë shoqëruesve. Niko Dollaku, Qazim Mali, Karafil Kapo, Namik Abazi, nëntoger, Axhem Abazi dhe unë toger. Rrogat filluan aty nga muaji qershor. Më vonë u hap mensa e oficerëve. Një ditë unë dhe Karafili iu paraqitëm Enverit për të na dhënë leje të dilnim në qytet. Kishte rregulluar Karafili pak lekë dhe më tha mua të dilnim të blinim ndonjë gjë. Na dha një orë leje. Mirëpo kur u kthyem e kishim thyer lejen. Ne nuk e mendonim se ai mund ta vinte re.

Më e keqja ishte se ne kishim pirë nga një gotë konjak dhe binim erë. U kthyem. Na thotë Qazimi: “Pse u vonuat. Më thirri shoku Enver dhe më tha që kur të vini, të paraqiteni tek ai”. Shkuam. Siç duket Enveri ndjeu erën e konjakut. “Kështu do t’i kërkoni llogari vartësve tuaj ju, duke qenë vetë të padisiplinuar?” – na qortoi. Na u zu pështyma në grykë dhe s’dinim çfarë të thoshim. “Mirë,- tha,- shkoni në garnizon”. Ikëm të dy dhe shkuam në garnizon. Oficeri i garnizonit na kërkoi fletarrestin. Kur i thamë se kush na kishte dërguar, nuk u ndie më. Kur shkuam brenda, më tha Karafili se këtu do të ngelemi ne, do të na harrojë shoku Enver, ku ka kohë ai që të mendojë për ne”.

Mbas pesë ditësh na erdhi makina e na mori. Shkuam e u paraqitëm. Na priti e duke qeshur na tha se këtu e kudo që të punoni duhet të jeni në rregull me disiplinën, kështu do të jeni në gjendje t’u kërkoni llogari vartësve tuaj. Aty nga muaji shkurt-mars, Enveri u largua nga Hotel Dajti e zuri shtëpi. Këtu u vendos me gjithë familjen. Pruri dhe pleqtë. U njohëm me xha Halilin dhe Anenë, pleq të mirë, na shikonin tamam si bijtë e tyre. Sidomos Aneja, aq e dashur, aq e ëmbël, gojëmjaltë.

NË GJYQIN E BAHRI OMARIT

Në kinema “Kosova” u organizua gjyqi special i kriminelëve të Luftës. Kryetari i trupit gjykues ishte Koçi Xoxe e prokuror Bedri Spahiu. Enveri e ndoqi me vëmendje këtë gjyq, nga seanca e parë e deri sa mbaroi. Ai rrinte në lozhën e kinemasë.

Në të gjithë këto seanca e shoqëroja unë. Në njërën prej tyre u thirr si dëshmitar Jaho Gjoliku. E pyetën Jahon, nëse kishte miqësi ose armiqësi me të pandehurin Bedri Omari? Pastaj, Jahua tha se, një mbledhje që organizoi Partia në Cepo të Gjirokastrës për t’u bashkuar në luftë kundër okupatorit fashist, Bedri Omari e sabotoi atë. Kur u pyet Bedri Omari se çfarë kishte për t’i thënë dëshmitarit, tha se unë s’e njoh fare këtë burrë.

Jaho Gjoliku iu drejtua, duke i thënë: “I pandehur Bedri Omari, atëherë ishe bilbil, tani t’u paska prishur zëri, dil këtu e jep llogari para popullit, fol po ta mbajti bitha”. Detaje të tilla kishte ploë në ato seanca të ndezura. Në rrebeshin e tyre duhej të mbrohej edhe Bedri Omari, që ishte kunati i Enverit. Një pasdite, teksa niseshim me Enverin për të ndjekur seancën e radhës, më thirri me takt Aneja, nëna e tij dhe më porositi: I thoni Enverit, o bir, të bëjë diçka për Bahriun. I zënë disi ngushtë i thashë se me Enverin as bëhej fjalë të flisnim për këto gjëra.

Thuaj se juve ju dëgjon, ju do shumë,- m’u lut Aneja, duke menduar se mund të ndikoja sadopak tek Enveri për të zbutur vendimin për Bahriun. Në fakt, unë doja që Anesë t’ia bëja qejfin se e meritonte, pavarësisht se çfarë do bënte Enveri dhe mendoja për të gjetur një rast oportun për ta konsumuar porosinë e saj. Dhe ashtu bëra, por ç’e do, se nuk më dha ndonjë rezultat. Gjatë rrugës për në kinema “Kosova”, ku zhvillohej gjyqi, me makinën e tij Enver Hoxha merrte dhe doktor Nishanin, të cilin e donte shumë. Gjatë tërë rrugës bënin shaka me njëri-tjetrin. Ishin të dy në vendet prapa. Mendova se gjeta momentin që t’i them për porosinë e Anesë dhe aty për aty i parashtrova kuptohet me ndrojtje e pasiguri çfarë më kishte thënë ajo.

Nuk ma priti mirë dhe me një shpërfillje të qartë, më tha: “Thuaj Anesë të vijë në kinema ‘Kosova’, ku merr pjesë populli. Në rast se populli është dakord që ta fal Bahri Omarin edhe unë do të bashkohem me të”. Dhe ndodhi ajo që pritej. Gjyqi e çoi Bahriun para skuadrës së pushkatimit. Aneja u lëndua jashtë mase nga kjo tragjedi, por si grua e zgjuar që ishte nuk e dha veten. Më 20 maj të vitit 1945, u largova nga shërbimi pranë Enver Hoxhës për të shoqëruar një delegacion në Kosovë. Në krye të këtij delegacioni ishte Ramadan Çitaku. Prapë në rrugë, por kësaj here krejt ndryshe nga ajo e Luftës.

Pas këtij shërbimi, më thërret Koçi Xoxe në zyrën e tij dhe më komunikon se duhej të shkoja në Brigadën e Parë të ndjekjes në Divizionin e Mbrojtjes së Popullit. Më erdhi keq që u largova nga Enveri dhe nga familja e tij. Nuk m’u dha që të shkoja e t’i thosha Enverit për këtë urdhër të Ministrit të Brendshëm. Mendova se edhe ai kishte qenë dakord për transferimin tim.

Image

(Kosova Sot Online)