“Frikë se mos e vriste Kadri Hazbiu”, Isuf Kalo rrëfen takim e Enverit me Ramiz Alinë ditën e vetëvrasjes se Mehmetit: Si rrallëherë, në panik, ai kërkoi…

  • 17 July 2019 - 12:25
“Frikë se mos e vriste Kadri Hazbiu”, Isuf Kalo rrëfen takim e Enverit me Ramiz Alinë ditën e vetëvrasjes se Mehmetit: Si rrallëherë, në panik, ai kërkoi…

Mjeku personal i Enver Hoxhës, profesor Isuf Kalo, në librin e tij “Blloku” të botuar nga UET Press, tregon incidentin mes Enver Hoxhës dhe Kadri Hazbiut, ish-ministrit të Brendshëm, ditën që ky i fundit e njoftoi për vetëvrasjen e Mehmet Shehut.

Enver Hoxha nuk pranoi që Kadri Hazbiu të ishte në një makinë me të dhe Ramiz Alinë kur ata u nisën nga vila e tij në Komitetin Qendror, për shkak të një pasigurie për fatin e tij. Kadri Hazbiu ishte i vetmi që lëvizte i armatosur. Por dyshimet ndaj Kadri Hazbiut datojnë shumë kohë më parë dhe ai mbetej jo shumë i mirëpritur në familjen Hoxha, sipas profesor Kalos.

Mënyra sesi dhe momenti kur Mehmeti mori vendimin e vetëvrasjes kanë mbetur mister. A e vendosi ai atë fill i vetëm, pa e biseduar me të shoqen, për të mos e tronditur para kohe atë? Apo e biseduan paraprakisht të dy? E konsideroi atë si alternativën e vetme të një humbësi të pashpresë, prej së cilës ndoshta mund të përfitonte ruajtjen e meritave dhe gjurmëve historike të vetes dhe të ardhmen e pacenuar të familjarëve të vet? A e shkroi letrën që la pas për t’iu dorëzuar personalisht Enverit atë natë apo e pati menduar ose shkruar si draft që më parë, në një version paraprak?

A ia kishte dhënë edhe Fiqiretes ta lexonte dhe ta komentonte? A la të shkruar edhe ndonjë letër tjetër personale për Fiqireten me porosi, amanete për miq ku mund të mbështetej, për varrimin, për armiqtë nga duhej të ruhej, për fatin e dokumenteve sekrete që dispononte, si dhe disa fjalë lamtumire? Apo ia la ato asaj me gojë, për të mos lënë gjurmë? Në qoftë se nuk ka lënë asgjë nga këto, atëherë tërthorazi duhet menduar se ai ka besuar se vetëvrasja dhe letra do ta preknin Enverin dhe ai do t’i plotësonte, pa hezitim, ato kërkesa modeste të tij: sidomos moscenimin e familjes dhe të meritave historike. Nga sa i njihja marrëdhëniet e Mehmetit me të shoqen, Fiqireten, nuk besoj që ai ta ketë marrë vendimin e vetëvrasjes i vetëm, pa e diskutuar fillimisht edhe me të.

Nuk besoj se ai do i shpërfillte implikimet e një akti të tillë te shoqja e tij e jetës dhe familja në tërësi. Pavarësisht nga dukja e jashtme, Fiqiretja kishte ndikim tek i shoqi. Megjithatë, deri tani, askush nuk ka folur apo shkruar publikisht për ndonjë takim dhe bisedë paraprake mes tyre gjatë asaj nate fatale. As vetë Fiqiretja, as djemtë, as hetuesia. Nuk është folur as që Mehmeti të ketë lënë ndonjë letër tjetër private për Fiqireten, për djemtë, mbesat, për të dashurit e tij ku t’u jepte lamtumirën plot dhembje. Si iku ai pa një të puthur para vetësakrifikimit të gruas që e shoqëroi në luftë dhe në jetë?

A mund të largohet njeriu, qoftë dhe i zakonshëm, përgjithmonë kështu? Apo të gjitha këto ia ka thënë asaj me gojë dhe të përlotur mund të jenë ndarë të përqafuar, të goditur nga ai hall i madh? Vetësakrifikimi i tij mund të ketë qenë zgjidhja që ai i ka imponuar së shoqes për të mirën e përgjithshme të atyre që la pas. Ajo, me lot dhe dhembje, mund ta ketë kundërshtuar, por as ajo nuk ka pasur alternativë tjetër më të mirë, më të sigurt, për të shpëtuar çfarë mund të shpëtohej.

Ishte në lojë fati dhe e ardhmja e fëmijëve dhe e familjes. Sidoqoftë, nëse ka ndodhur vërtet ajo bisedë dhe ndarje e fundit mes atij çifti, i cili pak muaj më parë notonte në lumturi dhe tani ishte në prag të zhytjes në humnerën e një fatkeqësie të thellë, mund të përbëjë subjektin e një tragjedie rrëqethëse. Ata që e kanë parë dhe takuar Fiqireten në mëngjesin e 18 dhjetorit, kur Mehmeti u gjet i vetëvrarë, nuk e kanë përshkruar të hutuar, të vilanosur apo duke qarë me zë apo pa zë, për kobin që kishte ndodhur, por të pikëlluar dhe, njëkohësisht, relativisht të qetë e të përmbajtur, si të parapërgatitur për të pritur vizita ngushëllimi nga pushtetarët e lartë.

Dhe, madje, disi të çuditur që kjo nuk po ndodhte ose po vonohej. Qëndrimi iluzor i saj përputhej me pritshmërinë e plotësimit të amanetit apo të kërkesës së Mehmetit për ta varrosur me dinjitet dhe për të ruajtur të pacenuar familjen. Ajo nuk mund ta dinte se, për fat të keq, efekti i letrës dhe i vetëvrasjes tek Enveri do të ishte i kundërt me atë çka ai dhe ajo patën shpresuar. Enveri u habit kur dëgjoi lajmin atë mëngjes. Vetëvrasjen ai nuk e pati parashikuar. Në gjallje, Mehmeti e dënonte vetëvrasjen si dobësi dhe si një akt të papranueshëm për komunistët.

Në disa vende, si në Gjeorgji, ajo ndalohet me ligj. Kur Ramizi, i shoqëruar nga Kadri Hazbiu, të dy kritizerët më të ashpër të Mehmetit në mbledhjen e një ditë më parë, shkuan në mëngjesin e 18 dhjetorit në shtëpinë e Enverit për ta informuar për çka kishte ngjarë, ai e priti me shumë habi lajmin dhe pyeti dy herë: Përse e bëri këtë? Përse e bëri vallë? Ekzaktësisht, në të njëjtën mënyrë dhe me të njëjtën habi pati reaguar Stalini kur i njoftuan vetëvrasjen e së shoqes, Nadia Alillujeva. Edhe ajo u vetëvra pas prekjes së sedrës nga i shoqi pas një fyerjeje që ai i bëri me arrogancë në publik. “Përse e bëri këtë? Përse u bë kundër meje?”, pati pyetur Stalini. Dhe pati shtuar: “Vrau veten për të më goditur mua”. Pas kësaj, edhe ai e quajti të shoqen “tradhtare dhe armike” të tij. Pasi mësoi lajmin, Enveri doli menjëherë si furtunë nga shtëpia për t’u nisur në zyrë me makinën e tij bashkë me ata të dy.

Behar Zhurda, truproja personale e Enverit, i hapi derën e makinës. Enveri ulej gjithmonë në sediljen e pasme. Në sediljen tjetër të pasme përkrah tij, u ul Ramizi. Në sediljen e parë në krahë të shoferit duhej të ulej Behari. Por Kadriu, i mbetur pa vend, për t’i shoqëruar ata në të njëjtën makinë, i tha Beharit t’ia linte vendin atij dhe të vinte me makinën tjetër aty ngjitur, me të cilën Ramizi dhe Kadriu kishin ardhur. Distanca që do të përshkonin nga shtëpia e Enverit deri në zyrën e tij në Komitetin Qendror nuk ishte më shumë se 100 metra, por, çuditërisht, Enveri, i zymtë në fytyrë, ndërhyri dhe, si rrallëherë, e urdhëroi truprojën e tij të mos lëvizte nga vendi. “Qëndro aty!”, i tha. Kadriu le t’i ndiqte pas me makinën e tij. Ky reagim u duk i çuditshëm, sepse Enveri nuk e kishte pasur zakon të merrej me detajet e udhëtimit e të sigurimit të tij.

A ishte kjo shenjë paniku e pasigurisë së Enverit që ta linte veten pa truprojë në dorë të Kadriut, i cili, me ose pa dijeninë e Ramizit, kushedi se ku mund t’i çonte? Ndër ata të tre, Kadriu ishte i vetmi që lëvizte i armatosur. Ishte kjo shenjë krize e humbjes së besimit të Enverit pas situatës së krijuar me vetëvrasjen e Mehmetit te të gjithë bashkëpunëtorët e ngushtë të tij? Kjo dilemë u forcua dy vjet më pas, kur do të akuzohej dhe do të dënohej me pushkatim edhe Kadri Hazbiu, ish-kryebesniku i tij, si agjent i KGB-së dhe si “bashkëkomplotist” me Mehmet Shehun. Të kenë qenë vallë dyshimet apo planet për eliminimin e Kadriut, të fiksuara në mendjen e Enverit që ditën e atij episodi, dy vjet përpara se të shpalleshin?

Kjo pikëpyetje më lindi kur në kujtesë m’u zgjua një episod i sjelljes jo të zakontë të Nexhmijes me Kadriun, më 5 mars 1981, tetë muaj para se Mehmeti të vetëvritej. Datën e mbaj mend, sepse atë ditë pati vdekur vëllai i Nexhmijes, Fehmiu, si edhe Stalini shumë vite më parë, më 1953. Lajmi i fatkeqësisë erdhi natën, afër mëngjesit, në Vlorë, ku Enveri dhe Nexhmija ishin disa ditë për pushime në vilën e tyre në “Ujin e ftohtë”. Nexhmija ishte ende në gjumë kur lajmi iu dha së pari Enverit. Ai tha mos ia thoni Nexhmijes, sepse do ia them unë vetë. Dhe ashtu bëri, me mjaft dhembshuri dhe delikatesë. Nexhmija e donte shumë të vëllain dhe e përjetoi me shumë dhembje humbjen e tij. Ajo u nis menjëherë për Tiranë.

Enveri më tha që ta shoqëroja edhe unë, kurse vetë qëndroi në Vlorë prej nga erdhi në ditën e varrimit, por jo në varreza. Rrugës për në Tiranë, Nexhmija kërkoi që të shkoja në makinën e saj për të biseduar diçka. Ajo, veç të tjerash, më kërkoi miqësisht mendimin, si mjek i familjes, se cila do të ishte dega apo drejtimi profesional më i mirë për mbesën e vogël të saj, studente e shkëlqyer, e cila sapo kishte mbaruar ose ishte në mbarim të Fakultetit të Mjekësisë. Ndërkohë që po bisedonim, shoferi mori sinjal që në distancë para nesh, diku pa arritur te shkëmbi i Kavajës, kishte dalë në rrugë dhe po priste jashtë makinës së vet shoku Kadri, atëherë ministër i Brendshëm. Nexhmija sikur u prish në fytyrë dhe e shqetësuar pyeti dy herë: “Pse? Pse?”.

Nuk kishte dyshim që ai kishte dalë për ta ngushëlluar miqësisht, në shenjë solidariteti (mbase dhe për servilizëm) në fatkeqësinë që i kishte ndodhur dhe që ta shoqëronte në rrugën e mbetur deri në Tiranë. Besoj ishte thjesht “qokë”. Kadriu njihej që bënte të tilla me shumë ngrohtësi jo vetëm ndaj personaliteteve dhe nomenklaturës së lartë, por edhe ndaj punonjësve, veteranëve apo bashkëpunëtorëve vartës të tij. Por Nexhmija m’u duk sikur u bezdis. Ajo u ndal vetëm pak sekonda dhe pa dalë nga makina, shkëmbeu ftohtas ca fjalë me të. Dhe u nis pa e ftuar në makinën e saj që ta shoqëronte. E thënë ndryshe, ia shpërfilli zellin dhe xhentilesën.

U habita, sepse nuk ishte e tillë sjellja e zakonshme e Nexhmijes me “shokët e Byrosë” e veçanërisht me Kadriun, i shquar për besnikërinë dhe përzemërsinë ndaj Enverit. Edhe pse në princip dhe në bazë të postit, si ministër i Punëve të Brendshme, Kadriu duhej të ishte personi më i besuar i Enverit, më ishte dukur e çuditshme që, në fakt, ai nuk ishte personi tek i cili unë duhet të raportoja ose ta vija në dijeni lidhur me ngjarje apo probleme shëndetësore të Enverit. Ai nuk ishte personi im i kontaktit. Nuk kisha ndonjë porosi direkte dhe as ndonjë aludim nga pacienti im për këtë fakt, por kisha krijuar vetë një shpjegim të hamendësuar. Më ishte krijuar një ndjesi se Enveri ruante dhe nuk e hiqte asnjëherë dyshimin as në rastin e Kadriut, që ministri i Brendshëm, siç informohej fshehtas për çdo gjë në jetën e qytetarëve dhe të udhëheqësve të tjerë, mund ta mbante në survejim edhe atë vetë, lidhur me bisedat, telefonatat dhe jetën e përditshme private dhe familjare.

Një nga format e informimit mund të ishin afërsia, miqësia dhe kontaktet e ministrit me mjekun e tij. Në këtë kontekst, megjithëse Kadriu vetë dhe familjarët e tij ishin tejet mikpritës dhe të përzemërt ndaj meje, unë, me kompleksin e atij dyshimi të hamendësuar të Enverit, i dilja së keqes përpara, duke qëndruar qëllimisht disi i distancuar për të mos krijuar përshtypjen as në aparencë të ndonjë familjariteti apo miqësie të ngushtë me Hazbitë, çka ata, me aq sa pata kuptuar, e patën interpretuar si mendjemadhësi a fodullëk. Ishte marrëzi aso kohe të dyshoje në ndershmërinë dhe korrektesën e Kadriut ndaj Enverit, por nuk ishte gabim t’i dëgjoje me vëmendje qoftë dhe pa i besuar marrëzitë.

Një ditë, papritur, Kadriu më thirri vetë, së bashku me dr. Hajro Shytin, në shtëpinë e tij për të na informuar dhe kërkuar diçka që lidhej me shëndetin e Enverit. Përpara nesh, po atë ditë, pat thirrur në shtëpinë e tij edhe Sulo Gradecin, profesor Fejzi Hoxhën dhe dr. Ahmet Kamberin. Ishte koha pas vetëvrasjes së Mehmetit, kur Fiqiretja ishte arrestuar dhe po pyetej në hetuesi. Ai na tha se, “sipas të dhënave operative dhe të hetuesisë jashtë Shqipërisë, për shokun Enver armiqtë kishin në plan që në barnat kuruese të zemrës të sillej edhe një bar i kamufluar që përmbante helm”.

“Detyra tonë dhe juaja, – tha ai, – është që të merren të gjitha masat parandaluese që ky bar të mos vijë në Shqipëri”. Unë u habita nga çfarë dëgjova. Natyrisht, e falënderova për informimin, por dhe e sqarova që ne, mjekët e shokut Enver, nuk ishim aspak të përfshirë as në blerjen, as në sjelljen dhe as në dhënien e barnave për t’i pirë nga pacienti ynë. Blerja dhe sjellja e tyre nga jashtë vendit bëhej në mënyrë sekrete, sipas një procedure mjaft të detajuar nga Sulo Gradeci me oficerët e tij të besuar.

Ato dorëzoheshin prej tyre direkt tek infermierja, me procesverbal, dhe pastaj barnat shokut Enver ia jepnin në gojë për t’i pirë infermieret brenda shtëpisë. “Ne mjekët ishim krejt të përjashtuar në këtë proces. Prandaj informacioni vlen për oficerët roje dhe infermieret dhe do e transmetojmë. Kurse ne mjekët vetëm rekomandojmë barnat e duhura, por as i shohim as i prekim ato”. Kur dolëm nga shtëpia e Kadriut, pata përshtypjen se diçka nuk ishte si më parë në sjelljen e tij. Nuk bëri shaka, as na gostiti siç ndodhte shpesh me të.

Herë pas here bënte gjeste nervoze me duar për të shtruar flokët, që të rebeluar i binin përsëri dhe përsëri mbi ballë. Dukej i pushtuar nga një eksitim i fshehtë, i zymtë. Kur dolëm jashtë, mua më lindi një pyetje që më vuri në siklet. Pse po përfshihej Kadriu në çështjet shëndetësore të Enverit, për të cilat, zyrtarisht, person kontakti ne mjekët e Enverit njihnim vetëm Ramizin? A ishte thirrja dhe informimi që na bëri ai iniciativë personale e tij apo ia kishin ngarkuar? Nëse po, cili vallë? Ramizi apo vetë Enveri? Po sikur Enveri të mos kishte dijeni?

A duhej t’i tregoja atij për atë takim? Gjykova se do të ishte me rrezik dhe mund të krijoja dyshime nëse do ta mbaja të fshehtë. Prandaj i propozova me infermieren atë mbrëmje Enverit që ta vizitoja. Ai pranoi. Gjatë vizitës prita se mos më përmendte ai diçka, por nuk më tha gjë. Kur mbarova, infermierja na la vetëm dhe unë, me droje, pa qenë i sigurt sesi ai do ta priste, e vura në dijeni që na pat thirrur shoku Kadri dhe për çka na tha e për çka i thamë.

Ai më dëgjoi pa folur. As u vërejt, as u çel në fytyrë. Nuk tha e di, por nuk m’u duk që u bë kurioz dhe as u çudit. Më pas, kur edhe Kadriu, fill pas Mehmetit, ra një vit më vonë në të njëjtën fatkeqësi, i akuzuar si “agjent rus” dhe u dënua si “tradhtar dhe bashkëkomplotist me Mehmetin”, hamendësova se iniciativa e tij jo e zakontë e asaj dite mbase ishte ndërmarrë prej tij si akt demonstrativ besnikërie dhe ndershmërie ndaj Enverit, duke u investuar personalisht e vullnetarisht ai vetë për mbrojtjen e shëndetit dhe të jetës së tij. Nëse vërtetë ky ka qenë motivi, ajo përpjekje e tij shkoi kot.

Në mesnatën e 9 shtatorit 1983, pas disa muajve në hetuesi, Kadriu do të ekzekutohej në një nga kodrat e Linzës në rrethinat e Tiranës. Ishte i fundit nga ish-anëtarët e Byrosë Politike që po pushkatohej. Ata të tjerët përpara tij i kishte pushkatuar ai vetë. Fjalët e fundit që ai tha ishin: “Jam i pafajshëm”. Por ato nuk patën vlerë. Së bashku me të atë mesnatë u pushkatuan edhe Feçor Shehu gjithashtu ish-ministër i Brendshëm, profesor dr. Llambi Ziçishti, ish-ministër i Shëndetësisë, dhe Llambi Peçini, kuadër i lartë i Sigurimit të Shtetit, i konsideruar mik dhe i preferuari i Mehmetit.

Ky i fundit ishte pa dyshim një nga personalitetet më të kulturuara, më simpatik dhe me integritet të Ministrisë së Brendshme. Ai ishte sharmant, lexonte libra, poema e romane në rusisht, italisht dhe frëngjisht. Kisha miqësi dhe admirim të veçantë për të. Ishte mjaft i pasionuar pas shkrimtarit francez Marcel Pagnol, dhe kishte në bibliotekën e shtëpisë thuajse të gjitha librat e tij: Trilogjinë Marius, Fanny dhe Cesar, librin “Kujtime të vegjëlisë”, “Kështjella e nënës sime” etj., të cilat m’i pati huazuar edhe mua që t’i lexoja. Sidoqoftë, më 18 dhjetor në mëngjes, pasi u mësua vetëvrasja e Mehmetit, fill pas nisjes së Enverit në zyrë atë ditë, me porosi të Nexhmijes, përveç anëtarit të urgjencës së ekipit tonë mjekësor, shkova edhe unë.

Sa herë që kishte situata me adrenalinë të shtuar tek Enveri, masat tona mjekësore forcoheshin. Sulo më vendosi në një zyrë të vogël të Komitetit Qendror të Partisë, shumë pranë asaj të Enverit. Aty isha vetëm. I zhytur në mendime. Në botën e mbyllur të Shqipërisë, ngjarja më e bujshme dhe më e frikshme e asaj kohe sapo kish ndodhur. Mehmet Shehu ish gjetur i vdekur. I gjakosur me një plagë plumbi në gjoks. Dy mjekët e njohur të ekspertizës ligjore, Bashkim Xhuveli dhe Fatos Harito, u sollën menjëherë atë mëngjes në vendin e ngjarjes me detyrë të përcaktonin shkakun e vdekjes.

Ata vërtetuan që plaga në gjoks ishte tejpërshkuese: tipike për plagët e shkaktuara nga plumbi. Dr. Harito e gjeti edhe plumbin të zhytur dhe paksa të shtrembëruar në dysheme, prej nga ai e nxori me një spatul. Vdekja, sipas raportit të tyre, mund të ish shkaktuar nga hemorragjia, meqë plumbi mendohej të kishte përshkruar zemrën, ose aortën apo ndonjë arterie të madhe. Fjala “MUND” në raport u shënua nga dr. Harito, qëllimisht me germa të mëdha, sepse konkluzioni i tyre u bazua vetëm me anë të vrojtimit me sy të trupit nga jashtë dhe të ambientit. Askush nuk e mati sa ato ishin çarë, sepse autopsia nuk u krye. Nuk dihet pse dhe kush (cili?) pat thënë verbalisht (!!) që ajo nuk do të kryhet. Prandaj, shkaku i vdekjes u konkludua bazuar në trupin e shtrirë në krevat me një plagë të vetme të madhe në gjoks dhe një revolver pranë.

Dr. Fatos Harito e zhveshi vetë viktimën. Ai ishte i shtrirë në krevatin e tij ku flinte çdo natë, me pizhamet e zakonshme, por, ndryshe nga ditët e tjera, nuk e kishte zhveshur këmishën që kishte mbajtur veshur atë ditë. Sipas dr. Haritos, kjo ishte shenjë e tërthortë në favor të vetëvrasjes. Ai nuk ishte shtrirë në krevat si zakonisht për të fjetur, por kishte pasur në mendje një tjetër plan.

Dr. Harito i mori viktimës dhe kampione të gjakut, të cilat u analizuan. Ai është shprehur qartas shumë herë që në gjak nuk u gjetën shenja helmi, as të ndonjë substance narkotike apo somnifere që ta kishte vënë atë në gjumë. Gjykuar nga plaga dhe nga trajektorja e plumbit, të dy ekspertët mjekoligjorë janë shprehur të sigurt që Mehmeti është vetëvrarë. Të njëjtat argumente dhe konkluzione për vetëvrasjen si shkak i vdekjes dr. Harito ia ka dhënë hollësisht edhe Bashkim Shehut, djalit të vogël të Mehmetit, i cili pati ardhur posaçërisht nga Spanja, ku banon tani, për ta takuar atë. Sipas raportit të firmosur prej tij dhe dr. Bashkim Çuberit, “viktima në gjoks ka pasur vetëm një plagë dhe jo dy siç gabimisht prej disave pretendohet”.

Ajo që u tha se vulosi gjithçka, qe një letër. Ajo u gjet mbi tavolinën e dhomës brenda një zarfi, sipër të cilit ish shkruar me kaligrafinë autentike të Mehmetit: “T’i jepet në dorë shokut Enver. Askujt tjetër”. Bazuar në faktet e mësipërme dhe në analizën e rrethanave, në të cilat ai u gjend pa shpresë dhe pa rrugëdalje, edhe bindja ime është se Mehmeti u vetëvra. Kjo jo për pasojë të dobësisë apo krizës nervore.

Besoj se atë akt ai e kreu me mendje të kthjellët, si tentativë e fundit dhe e vetme për të shpëtuar në këmbim të ndarjes vullnetare nga jeta familjen e tij dhe disa vlera e merita personale dhe shtetërore shumë të shtrenjta për të. Atë ditë binte një shi i dendur, i mërzitshëm dhe herë-herë me vrull nervoz, inatçor. Nga dritarja shihej përballë ndërtesa e Kryeministrisë, e ndërtuar para Luftës nga italianët.

Mehmeti kishte “mbretëruar” në të për 27 vite rresht. Eleganca e linjave arkitekturore të saj dhe mermeri me ngjyrë qetësuese, të çelët, si një trëndafil i bardhë në rozë, bënte kontrast me stilin e zymtë, sovjetik, me kolona me harqe e korniza të shumta dhe ngjyrën nxitëse dominuese të kuqërremtë të ndërtesës përballë stil fortesë të Komitetit Qendror të Partisë, ku ndodhej zyra e Enver Hoxhës, e ndërtuar në kohën e miqësisë me Bashkimin Sovjetik. Atë ditë, të ndryshëm e të ndarë, si edhe dy ndërtesat, qëndronin përballë njëri-tjetrit, Enveri i nxehur i zemëruar dhe Mehmeti i ftohtë, i ngrirë, i gjakosur, i pajetë. Mes tyre, i heshtur, në shenjë pikëllimi, shtrihej shiriti i gjerë i zi i bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
(Kosova  Sot Online)