Produktet për pastrim që do t'jua kursejnë paratë

  • 28 July 2019 - 10:33
Produktet për pastrim që do t'jua kursejnë paratë

Zakonisht njerëzit janë shumë skeptikë për produktet e pastrimit të cilat i krijojnë vetë, megjithatë këta njerëz duhet të ndryshojnë mendim e qasje në momentin kur e kuptojnë që krijimi i produkteve të pastrimit në shtëpi është një alternativë shumë më e lirë sesa blerja e tyre në market. Për më tepër, ky proces është shumë i lehtë dhe nuk kërkon shumë përbërës

1. PASTRUESI I PËRGJITHSHËM Pothuajse nëpër të gjitha shtëpitë gjendet nga një produkt që shërben për pastrim të përgjithshëm, mirëpo zakonisht këto produkte janë shumë të shtrenjta dhe harxhohen shpejt. Nëse jeni lodhur nga një rutinë e tillë, atëherë shqyrtoni mundësinë e krijimit të një produkti për pastrim në shtëpinë tuaj. E gjitha që ju nevojitet është pak ujë dhe uthull. Vetëm hidhni sasi të njëjtë të ujit dhe uthullës në një kuti spreji dhe produkti juaj për pastrim do të jetë gati. Përzierjes mund t'i shtoni edhe pak vaj esencial, nëse doni që ajo të ketë aromë të këndshme.

2. PRODUKTI PËR PASTRIMIN E DRURIT Orenditë e punuara nga druri kërkojnë shumë kujdes dhe nëse ju blini produkte të veçanta për pastrimin e tyre, atëherë me siguri që shpenzoni shuma të mëdha parash. Mirëpo, në vend se të harxhoni shumë duke blerë produkte të tilla, përzieni dy lugë çaji me vaj ulliri me katërqind mililitra ujë dhe dyqind mililitra uthull të bardhë. Hidhni përzierjen në një shishe spreji dhe produkti juaj do të jetë gati.

3. PASTRUESI I DYSHEMESË Shumica e produkteve për pastrimin e dyshemesë e bëjnë punën e tyre për mrekulli, mirëpo e meta e tyre e vetme është që ato janë shumë të shtrenjta. Për të arritur efektin e njëjtë, përzieni sasi të njëjtë të uthullës së bardhë me alkool dezinfektues dhe kësaj përzierje i hidhni pak shampon të enëve. Përzierja e fituar do të bëjë mrekullinë në dyshemenë tuaj.

4. PASTRIMI I MYKUT Pastrimi i mykut është një proces shumë i vështirë dhe i mërzitshëm, madje produktet të cilat kanë efekt janë shumë të shtrenjta. Për t'ia lehtësuar vetes punën për largimin e mykut, përzieni një pjesë peroksid hidrogjeni me dy pjesë ujë dhe nga shishja e sprejit hidhni mbi myk. Përzierja duhet të qëndrojë përreth një orë në myk, ndërsa pas një ore largimi i mykut do të jetë shumë i lehtë.

5. SHAMPONI I ENËVE Shamponi i enëve është një produkt shtëpiak i cili është i domosdoshëm për çdo familje, mirëpo është pak i shtrenjtë, sidomos kur dihet se sa shpejt harxhohet. Për të krijuar një alternativë më të lirë, përzieni sasinë e njëjtë të sodës së bukës me boraks dhe hidhni një ose dy lugë përzierje për pastrim të enëve dhe do ta shihni që enët tuaja do të pastrohen për mrekulli.

6. DETERGJENTI I RROBAVE Për të krijuar detergjentin për larjen e rrobave, e tëra që ju nevojitet është 250 mililitra boraks, 250 mililitra sodë për pastrim dhe një sasi e vogël e shamponit për rrojë. Kjo përzierje do të kursejë shumë paratë tuaja, pasi që do t'ju nevojiten vetëm 15 mililitra për ngarkesa normale dhe 30-45 mililitra për ngarkesa të mëdha. 

(Kosova Sot Online)