Ndyshimet hormonale te femrat

  • 04 October 2019 - 10:35
Ndyshimet hormonale te femrat

Mungesa e estrogjenit lidhet me osteoporozë, lodhje dhe pagjumësi, kurse niveli i lartë i prolaktinës e zvogëlon libidonë.



ESTROGJENI

Ky hormon seksual e përgatit mitrën për shtatzënësi, është përgjegjës për libido dhe ndikon në imunitet. Niveli tepër i rritur i këtij hormoni mund t'i përkeqësojë simptomat e sindromës premenstruale e edhe e rrit rrezikun nga kanceri i gjirit dhe problemet me plleshmëri. Mungesa e tij shkakton osteoporozë, çrregullim të ciklit menstrual dhe pagjumësi. Pesha adekuate trupore siguron një sekretim të mirë të estrogjenit.

PROGESTERONI

Bashkë me estrogjenin ndikon në rregullimin e ciklit menstrual dhe në mbajtjen e shtatzënësisë. Ai e rregullon punën e hormoneve të tjera. Progesteroni vepron si sedativ i butë dhe e përmirëson gjumin, por mungesa e tij lidhet me paraqitjen e artritit, cisteve në vezore, lodhjes, depresionit dhe ngërçeve të dhembshme te menstruacionet. Niveli i lartë i këtij hormoni nuk shkakton ndonjë dëm.

TESTOSTERONI

Nuk është vetëm hormon mashkullor, meqë në një sasi të vogël prodhohet edhe nga vezoret dhe gjëndrat mbiveshkore. Është i nevojshëm për ovulim të rregullt dhe për një libido të mirë. Niveli tepër i lartë i testosteronit te femrat shkakton akne, zbokth, shtim të pranisë së qimeve në vende jo të rëndomta dhe shtim në peshë. Mungesa e testosteronit te femrat shoqërohet me rënie të epshit seksual dhe me disponim të keq.

PROLAKTINA

Ky hormon sekretohet nga hipofiza dhe ka rëndësi sidomos gjatë shtatzënësisë. Niveli tepër i lartë i prolaktinës e zvogëlon libidonë dhe mund të shkaktojë një gjendje të ngjashme me menopauzën. Shkaktohet edhe mungesa e ovulimit. Niveli i ulët shkakton humbjen e qumështit të gjirit pas lindjes, apo edhe rënien e imunitetit.

HORMONI FOLIKULOSTIMULUES

Bashkë me hormonin luteinizues, ky hormon ka rëndësi të madhe seksuale. Ai nxit rritjen dhe pjekjen e folikulave të Graaf-it në vezore. Kur ai folikul të pëlcet, në sipërfaqe del një qelizë e pjekur vezë. Niveli tepër i lartë i këtij hormoni shkakton probleme me memorie, pagjumësi dhe akne, kurse niveli i ulët, apo mungesa, shkakton probleme me fertilitet dhe ovulim. 

(Kosova Sot Online)