Respekti lind nga respekti

  • 19 October 2019 - 11:23
Respekti lind nga respekti

Sipas filozofit Arthur Schopenhauer respekti është ‘imazhi i vlerës tonë në mendimet e njerëzve’. Një përcaktim shumë i bukur, që qendërzon mirë një pikë thelbësore: respekti ka të bëjë me përshtypjen që u japim të tjerëve. Ndaj jemi ne, me sjelljet dhe veprimet, që dekretojmë nëse të tjerët do të na respektojnë.

Në marrëdhëniet e çdo dite, edhe ato profesionale, është e domosdoshme – nëse doni që gjërat të zgjasin dhe funksionojnë – që të ketë respekt dypalësh, pra që të respektoni dhe t’ju respektojnë. Vetëm kështu mund të keni besim e për pasojë dhe kënaqësi, siguri, motivim. Por fatkeqësisht, jo vetëm respekti është i vështirë për t’u fituar, por është e mundimshme edhe ta ruash atë. Lajmi i mirë është se mund t’i ndihmoni të tjerët t’ju respektojnë, duke filluar me këto pesë hapa.

Nuk mund ta pretendoni respektin

Në të kaluarën mendohej se respekti duhej pretenduar, duhej fituar me detyrim dhe forcë, me kërcënime e me sjellje të ashpra. Nuk ka gjë më të gabuar se kjo. Respekti duhet merituar dhe mënyra më e mirë që t’ju respektojnë është që të respektoni ju të parët. Në vend që të mendojmë se gjithçka varet nga njerëzit e tjerë, duhet të fillojmë të sillemi në mënyrë që të jemi të denjë për respektin e tyre. Ndaj tregojuni kolegëve se sa të rëndësishëm janë, mësoni të vlerësoni eprorët dhe silluni në mënyrën më të mirë të mundshme me vartësit.

Jini profesionistë

Shumica e njerëzve janë të bindur se respekti varet nga karakteri, se njerëzit e ndrojtur mundohen më shumë që ta marrin atë, sepse kanë vështirësi për të ndërveprojnë me të tjerët dhe sepse mendojnë se peshkaqenët respektohen, pasi në një mënyrë a një tjetër, ia dalin gjithmonë të qëndrojnë të fortë. Në të vërtetë, respekti fitohet në fushë, duke treguar aftësitë, duke u treguar të përgjegjshëm dhe profesionistë, të aftë për të përfunduar një punë në kohën dhe mënyrën më të mirë.

Respekt nuk do të thotë të bësh lajka

T’i bëni qejfin dikujt nuk do t’ju sjellë më shumë respekt, përkundrazi mund t’ju vërë në vështirësi. Të tregoheni të gatshëm të ndihmoni të tjerët është një sjellje fisnike, por nëse e ekzagjeroni dikush mund të përfitojë nga ju për interesat e veta personale. Tregohuni të gatshëm të ndihmoni, por edhe të vendosur që mos t’ju tallin.

Respekti vjen nga drejtësia

Njerëzit e drejtë, që dinë t’u japin të tjerëve të njëjtat mundësi, që dinë të pranojnë gabimet e veta, kërkojnë falje, por edhe thonë faleminderit dhe tregojnë mirënjohje kur dikush i ndihmon. Këta janë njerëzit që fitojnë shumë më shpejt respektin e të tjerëve.

Komunikoni me të tjerët

Për të qenë të respektueshëm është e nevojshme të tregoni veten tuaj ashtu siç jeni. Me njerëzit që keni marrëdhënie më të ngushtë është e kotë të vishni një maskë, pasi herët a vonë ajo do të bjerë duke shfaqur fytyrën tuaj të vërtetë. Është e rëndësishme të flisni me kolegët, eprorët apo vartësit, për t’i dhënë mundësinë t’ju njohin deri në fund, edhe pse vetëm nga këndvështrimi personal. Në një klimë të ngrohtë dialogu dhe përballjeje janë të gjitha elementët e duhur për të krijuar një ambient të respektueshëm.

(Kosova Sot Online)